Ekstaza e dashurisë

Mistikët përmes një rruge të panjohur u nisën në dallgët e dashurisë. Ata u stërpikën me pika eliksiri të mbjella në frymëzime dhe filluan që të rrokullisin idetë e mendimet të varura nga ndjenjat. Dashuria e tyre është melhem për t`u lexuar e blasfemi për tu praktikuar. Nuk mund që qenia të shkrihet në qenien, ose krijesa të shkrihet në Krijuesin. Edhe pse gjuha e dashurisë është gjuhë universale, e pakuptueshme për masat, e rangut më të lartë, prapë se prapë, ajo nuk mund që të denigroj integritetin e njeriut.

Metafizika e dashurisë josh vrushkullin e zemrave që presin rend për të pirë ujë në ujëvarat e saj. Sikur kërkuesit e etshëm të Vërtetës, edhe dashnorët pas Dashurisë, sakrifikojnë të pa sakrifikuarën. Lexuesi duhet të kuptoj, se në temat për dashurinë, e logjikshmja humb nga pesha dhe bie në ekstazën e të palogjikshmes. Nyjat e suksesit janë të varura në rrugën një kahesh të dashurisë. E po qe se e lyejmë me pak kuptim dashurinë, bëhemi njerëzit më qesharak në rruzullin tokësor.

Epsharak në fazën e mendimit, ndërsa sufinj në fazën e praktikës, ky është definicioni i botës globale të kuptuar me syzet e një rrethi të mbyllur katërdhomësh. Dashuria në gjah kundër epshit ose epshi në gjah ndaj dashurisë, ky është thelbi. Beteja nuk mund të humbet tek kontrolli i epshit. Por, qysh në fillim është tentim i kot rruga drejtë shkatërrimit të tij. Ke dalë jashtë natyrës njerëzore, kjo e krijuar për mrekulli nga ana e Krijuesit të botëve. Dëshiron që të ndjekësh rrugën djallëzore në kahen e kundërt me natyrën e pastër të njeriut si mikrokozmos në univers. Kthim kundër universit, ose universi i kthyer kundër njeriut.

“ Unë pashë se dita e këtij universi që shtrihet në drejtime të tjera, prej të cilave drita ndriçon pallatin dhe kasollen, e siguronte ekzistencën e saj nga rrotullimi i një planeti dhe zgjaste vetëm për aq kohë sa të thuash se ajo ishte atje, ajo u nis. Oh! Kjo është një ditë e mbarë që nuk i përket kohës, mëngjesi i së cilës s`ka as drekë, as mbrëmje; një ditë drita e të cilës e ndriçon shpirtin, e në sajë të cilës mund të shihet tingulli ashtu siç shihet ngjyra!”- Muhamed Ikball.

Ky vegim katërcipëshi në këtë ditë të këtij universi, loton në dhimbjen e dashnorit dhe zgjohet në pluhurin e tokës ku shkel këmba e Lejlasë. Ndoshta shpirti me shpejtësi shndërrohet në Mexhnun dhe kërkon si një shtazë ekzistencën e një rrotullimi në mendjen e një njeriu.

Pritjet tua janë të mëdha. Përderisa nuk përballesh me realitetin e të qenurit i varur pas kësaj dite madhështore. Ditë që ta drejton shpirtin kah kasollja e zemrës së ndërtuar prej pulsit e gjakut. Ndoshta të kujtohet ajo copa e mishit e përmendur nga Miku i Madh i shpirtrave dhe mendjeve. Në trupin e njeriut, gjendet një copë mishi….Oh Zot, sa shpesh është përmendur e diskutuar kjo copë mishi nga verbalistët duke sulmuar thelbin e esencën e dashurisë.

Përballë këtij uragani akuzash, do ta ulësh kokën si një fëmijë me faj, për lëndimin e dorës së shokut të lagjes. Nuk mund të pajtohesh me fatin se ti lëndove dorën e tjetrit pa pasur qëllim lëndimi, ndërsa more ndëshkimin e dyfishtë në këtë botë. Shpesh herë ndëshkimi vjen si rezultat i të keqkuptuarit të ekstazës së dashurisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button