Të lënduarit në aksidentin në Bullgari janë në gjendje stabile

Mjekët e spitalit “Pirogov” në Bullgari konfirmuan se të gjithë pacientët nga aksidenti i djeshëm në autostradën “Struma” janë në gjendje stabile dhe nuk janë në rrezik për jetë, transmeton Portalb.mk.

“Janë kryer intervenimet urgjente të nevojshme. Dje janë bërë dy operacione. Një pacient i operuar ka pasur frakturë në pjesën e poshtme të këmbës. Edhe njëri nga pacientët është operuar për shkak të thyerjes së nyjës së gjurit. Pacientët e kanë kaluar natën qetë”, sqaroi d-r Maja Argirova, udhëheqëse e Klinikës për djegie dhe kirurgji plastike.

Sot, siç sqaroi ajo, do të bëhen edhe dy operacione – të një pacienti me djegie të rëndë të të dy duarve dhe të një vajze 16 vjeçare e cila e ka lënduar gjurin e djathtë.

“Psikologët punojnë me pacientët. Njëri nga pacientët ka tronditje të rëndë psiqike”,shtojnë mjekët nga “Pirogov”.

Argirova deklaroi se në Klinikën për djegie dhe kirurgji plastike janë pranuar gjashtë pacientë dhe një pacientë është në Klinikën për traumatologji.

Mjekët do ta shqyrtojnë mundësinë për lëshimin e pacientëve nga spitali në ditët e ardhshme.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe sot ka zhvilluar bisedë me drejtorin e spitalit Pirogov në Sofje, Ivan Poromanski, ku janë të hospitalizuar shtatë pacientët që i mbijetuan aksidentit të djeshëm dhe janë nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore.

“Të gjithë pacientët janë në gjendje stabile dhe janë nën mbikëqyrje të vazhdueshme shëndetësore, ndërsa u është dhënë edhe mbështetje psikologjike. Të gjithë shtatë pacientët do të mbesin në mjekim spitalor deri të premten, ndërsa më pas do të bëhet plan për transportin e tyre në Shkup”, njoftuan nga Ministria e Shëndetësisë.

Më 23 nëntor rreth orës 02:00 pas mesnate pranë fshatit Bosnek, në jug-perëndim të kryeqytetit të Sofjes, një autobus i kompanisë Besa Trans-Shkupështë aksidentuar dhe është djegur, si pasojë e të cilit 45 persona kanë vdekur. Aksidenti ka ndodhur në Bullgarinë perëndimore, në autostradën “Struma”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button