BNR: Mbetet vetoja bullgare për fillimin e bisedimeve të Shkupit me BE-në

Nuk ka ndryshim në qëndrimin e Bullgarisë për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut për anëtarësim në BE, në mbledhjen e djeshme të Këshillit për çështje të përgjithshme, raporton BNR, transmeton Portalb.mk.

Vetoja bullgare mbetet, megjithëse qëndrimi i prerë i Bullgarisë i planifikuar për dje, i cili duhej të paraqitej në Këshill, nuk u shpreh për shkak të tragjedisë në autostradën Struma, mësojnë mediat nga një burim diplomatik.

Përfaqësuesi i përhershëm në BE, Rumen Aleksandrov, fillimisht shprehu ngushëllime të thella për tragjedinë, pas së cilës theksoi se Maqedonia e Veriut ende nuk i plotëson kriteret për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Siç njoftoi radioja bullgare, Aleksandrov shtoi se në muajt e fundit Bullgaria ka ofruar një sërë opsionesh për tejkalimin e çështjeve të pazgjidhura, siç janë garancitë për të drejtat e personave me identitet bullgar, dhe se Maqedonia e Veriut duhet të ndërmarrë angazhime konkrete, disa prej të cilave do të përmbushen në afat të shkurtër, ndërsa pjesa tjetër në kornizën e ardhshme negociuese.

“Derisa të ndodhë kjo, nuk mund të pritet përparim”, tha Alexandrov.

Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Gasper Dovzhan, edhe një herë shprehu shpresën e presidencës së BE-së se kjo çështje do të zgjidhet deri në fund të këtij viti.

“Ky proces duhet të zhvillohet në një spirale pozitive,” tha ai.

Kujtojmë se presidenti bullgar, Rumen Radev në Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor më 6 tetor në Slloveni deklaroi se, përderisa bullgarët në Maqedoni i nënshtrohet asimilimit suptil dhe u shtypen të drejtat themelore në raport me etnitë tjera, Bullgaria nuk do të thotë “po” për fillimin e negociatave me BE-në.

Përndryshe, Bullgaria është kundër pranimit të Maqedonisë së Veriut për shkak të mosmarrëveshjeve historike dhe gjuhësore. Por edhe nëse ka ndonjë marrëveshje, gjendja e keqe pasqyron paralizën e planit të BE -së që të ndërtojë “unazë miqsh” nga Ukraina në Tunizi, duke ofruar lidhje më të ngushta, por edhe tregti dhe ndihmë.
Bullgaria nga fundi i vitit 2020, bllokoi fillimin e negociatave midis Maqedonisë së Veriut dhe BE -së dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Të dy vendet nënshkruan Marrëveshje për Fqinjësi të Mirë në vitin 2017, por përfaqësuesit e të dy vendeve kanë fajësuar njëri -tjetrin për shkeljen e marrëveshjes.

Megjithatë Bashkëkryetari i koalicionit “Ndryshimi vazhdon”, Kiril Petkov, i cili fitoi në zgjedhjet parlamentare të së dielës në Bullgari dhe është kandidati më serioz për kryeministër të ardhshëm, po jep shpresë në lidhje me marrëdhëniet bullgaro-maqedonase, duke thënë se nuk duhet të rrënohet i gjithë procesi i fqinjësisë së mirë me Maqedoninë e Veriut dhe ata të pranohen në BE vetëm në bazë të një kriteri – historisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button