DITË ZIE

Një lajm i trishtë që të shtang, që të lë pa fjalë, që të shkakton dhembje, që të humb çdo motiv për punët e përditshme.

Është lajmi për udhëtimin e fundit jetësor të 45 njerëzve të ri në moshë, në mesin e të cilëve edhe shumë fëmijë.

Ata humbën jetën në tragjedinë që ndodhi në Bosnek të Bullgarisë derisa udhëtonin në relacionin Stamboll – Shkup.

Është kjo një tragjedi tronditëse përballë së cilës duhet vetëm të lutesh për shpirtrat e atyre që kanë ikur në amshim dhe të bashkëndjesh dhembjen me familjarët e tyre.

Është tragjedi e rëndë për familjen Jahiu nga Shkupi, e cila humbi dhjetë anëtarë të familjes.

Është tragjedi e rëndë për familjen Ahmeti, e cila humbi më të dashurit e tyre, përfshirë edhe dy fëmijë binjakë.

Është tragjedi e rëndë për familjen Ukalli nga Kërçova, sepse në mesin e viktimave është biri i tyre, Gazmendi, me të fejuarën nga Tetova. Djali i mikut tim të ndjerë, Dr. Xhevdet Ukallit, e festoi ditëlindjen e fundit në Stamboll.

Është tragjedi e rëndë edhe për shumë familje tjera që i humbën më të dashurit e tyre.

Fotografitë e shpërndara nëpër rrjetet sociale të lëndojnë shpirtërisht. E ndjen se sa e brishtë, sa e paparashikueshme dhe sa e përkohshme është jeta.

Shkaqet e tragjedisë mund të jenë të shumta. Gjetja e shkakut (apo shkaqeve) nuk i kthen jetët e humbura, por shpëton jetë tjera dhe eviton tragjedi të ngjashme.

Brenda një qarku të shkurtër kohor ndodhën disa tragjedi, të cilat pasi harrohen shpejt dhe pasi nuk ka përgjegjës edhe përsëriten shpesh.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button