Bashkëpunëtorët më të afërt të Zaevit nuk shihen si pasardhës të tij

Në pritje të mbledhjeve të nesërme të Këshillit Qendror dhe Ekzekutiv të LSDM-së, nga disa prej bashkëpunëtorëve më të afërt të kryeministrit Zoran Zaev, të cilët janë në pozita të larta në pushtetin qendror dhe në kryesinë e partisë, vijnë mesazhe se nuk e shohin veten si pasardhës të tij, shkruan 360 Gradë, njofton Portalb.

Sekretari i përgjithshëm aktual i LSDM-së, Lupço Nikollovski, i cili në qeverisjen aktuale të Zaevit e fitoi pozitën e zëvendëskryeministrit për luftë kundër korrupsionit, për shkak të së cilës u ndërrua Statuti i partisë, ndërsa në zgjedhjet lokale ishte edhe shef i shtabit zgjedhor të socialdemokratëve, sot e hodhi poshtë mundësinë për t’u ulur në karrigen e kryeministrit.

“Nuk e shoh veten dhe nuk do të jem njëri nga kandidatët”, ishte përgjigjja e Nikollovskit në pyetjen nëse e sheh veten si pasardhës i Zaevit si kryeministër.

Nëse nesër, siç paralajmërohet, hyn në fuqi dorëheqja e kryetarit të partisë, Nikollovski thotë se zgjedhja e kryetarit të ri do të bëhet me procedurë transparente.

“Takimet e parapara për nesër në LSDM po e tërheqin vëmendjen. Është partia dhe organizata më e madhe politike, demokratike dhe moderne, në të cilën para disa muajsh ka pasur zgjedhje të drejtpërdrejta për kryetar të partisë, ka pasur vetëm një kandidat. Dhe nëse tani vendoset që të hapen të njëjtat procedura, do të kemi një procedurë plotësisht të hapur, transparente, demokratike që nuk ekziston në asnjë parti politike dhe ku do të mund të kandidojë kushdo që i plotëson kushtet”, tha Nikollovski.

Edhe nënkryetari i LSDM-së dhe Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, i cili konsiderohet edhe një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Zaevit, sot në “Brifingun e mëngjesit” tha se për momentin nuk mendon të kandidojë për kryetar të partisë.

“Nuk mendoj në atë drejtim fare për momentin”, ishte i prerë Spasovski, i cili po ashtu mendon se Zaev duhet të qëndrojë edhe në parti edhe në qeveri sepse sipas tij është indi lidhës.

Mila Carovska, e cila së bashku me Spasovskin është në një nga pozitat nënkryetare në LSDM, nuk deshi të komentojë se kush do të jetë lideri i ardhshëm.

“Mendoj që as nuk është përgjegjësia ime ta them, as nuk mendoj se duhet të spekulohet. Të gjithë bashkërisht duhet t’i ndjekim këto procese sepse nuk janë naive dhe duhet të konsiderohen seriozisht sepse nga ato vendime varet e ardhmja dhe rrjedha e vendit dhe zhvillimi i tij”, tha Carovska.

Sipas saj, vendimi i Zaevit për dorëheqje duhet të respektohet, por ajo thekson se e rëndësishme është se çfarë do të ndodhë me shumicën në Kuvend.

“Disa vendime në momente të caktuara tregojnë gjerësi dhe i tillë është vendimi i Zaevit. Dhe ky është vendimi. Ai e tha qëndrimin e tij dhe ky është qëndrimi i tij dhe duhet respektuar. Është me të vërtetë shumë e rëndësishme ajo që do të ndodhë më pas, të sigurohet shumicë adekuate në Kuvend për të ruajtur kursin euro-perëndimor të vendit, për të ruajtur proceset demokratike dhe, natyrisht, zhvillimin intensiv që është zhvilluar gjatë pesë viteve të fundit dhe zhvillimin ekonomik dhe social”, tha Carovska, e cila nuk deshi të spekulojë në pyetjen nëse Alternativa do të hyjë në shumicën qeveritare.

Zaev erdhi në krye të LSDM-së në vitin 2013. Nëse nesër zyrtarizohet dorëheqja para organeve të partisë, siç ka paralajmëruar të premten, atëherë socialdemokratët do të duhet të nisin procedurën për zgjedhjen e kreut të ri. Pasardhësi, siç ishte rasti me rizgjedhjen e Zaevit në mars të këtij viti, do të zgjidhet në zgjedhje të drejtpërdrejta brenda partiake, gjegjësisht me votim nga e gjithë anëtarësia.

Askush nga LSDM deri më tani nuk ka shprehur publikisht ambicie për të qenë kandidat për lider, e më pas ndoshta edhe kryeministër. Por një ndër më të përmendurit është zëvendësministri aktual i Financave Dimitar Kovaçevski. Ai të premten e shoqëroi Zaevin në një takim me liderin e Alternativës, Afrim Gashi, që në publik u interpretua si sinjal se ai është kandidat potencial për të ardhur në krye të LSDM-së dhe të udhëheqë Qeverinë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button