Në Indi nuk digjen “kullat e rrezatimit të 5G”, videoja është e vitit 2018 ndërkaq korona s’ka lidhshmëri me rrjetin 5G

Përmes një postimi në faqen “Roza Rozmarina” në Fejsbuk sërish është kthyer teoria e konspiracionit në lidhje me lidhshmërinë e rrjetit 5G dhe virusit korona. Kësaj radhe, autori i këtij postimi ka përdorur një video të vjetër, të vitit 2018, me pretekstin se e njëjta është incizuar gjatë periudhës së pandemisë dhe se indianët kanë vënë zjarr në “kullat e rrezatimit të 5G”. Ritheksojmë se rrjeti 5G nuk ka asnjë lidhshmëri me pandeminë e Kovid-19 ndërkaq Portalb-i gjeti videon origjinale dhe arsyen reale të zjarrit, shkruan Portalb.mk.

Autori që ka publikuar këtë video mundohet të bind lexuesit se shkaku i atij zjarrit në video është rrjeti 5G, gjegjësisht, se popullata në Indi ka vendosur zjarr kullave të rrezatimit 5G.

“Në Indi po i ndezin zjarr kullave të rrezatimit 5G” shkruan titulli i postimit.

Më pas, i njëjti ka rikthyer teorinë “e famshme” konspirative në lidhje me lidhshmërinë e rrjetit 5G dhe virusit korona, ndër të tjerat shkruan se kjo ndodhë në mënyrë që të na kontrollojnë mëndjet në të ardhmen.

“Satanistët mbështeten në teknologjinë e frekuencës së elektromagnetit EMF për të kontrolluar masat, nëpërmjet rrezatimit dhe kontrollit të mendjes. Është ndoshta një ide e zgjuar, për të hequr këto infrastruktura 5G në mënyrë që të mos kenë burimet për kontroll. Frekuencat elektromagnetike radioaktive shkaktojnë probleme masive shëndetësore, këto simptoma quhen helmim nga rrezatimi, qeveria po e quan Covid” thuhet në postimin që e recensojmë” shkruan ai në postim.

Si qëndron e vërteta e kësaj video?

Gjithçka në postimin e faqes “Roza Rozmarina” është e pavërtetë, duke filluar edhe nga videoja e publikuar. E njëjta video, gjegjësisht origjinalja, është publikuar në “Youtube” në kanalin e HindiXpress më datë 27 janar të vitit 2018. Zjarri ka ndodhur në distriktin e Ambalës, Barara ndërkaq në atë kohë virusi korona as nuk ekzistonte.

Videoja me zjarrin e njëjtë, më 20 janar të vitit 2018 është transmetuar në televizionin publik të Indisë, “India TV”.

Sipas kësaj, videoja e publikuar me pretendimin se në Indi qytetarët i ndezin kullave të rrezatimit kundër 5G është dezinformatë sepse e njëjti zjarr ka ndodhur katër vite më herët ndërkaq në Indi aktualisht as nuk është i instaluar rrjeti 5G.

Kanalet tjera të cilat katër vite më herët kishin publikuar këtë video për të cilën pretendohet se është inçizuar tani, mund ti shihni duke klikuar këtu, edhe këtu.

Por… si qëndron e vërteta me rrjetin 5G dhe lidhshmërinë e tij me Kovid-19?

Nuk mund ta detektojmë me siguri gjenezën e përhapjes së informacioneve të para që bënë lidhjen mes virusit korona dhe rrjetit 5G. Mediat botërore raportojnë se një lidhje e këtillë ka filluar përafërsisht nga muaji janar, atëherë kur filloi të marrë përmasa globale shqetësimi nga Covid-19. Disa sugjerojnë se COVID-19 është shpikur për të shërbyer si mbulesë për pasojat shëndetësore që sjell teknologjia 5G. Sipas kësaj teorie, simptomat e virusit; ethe të forta, kollitje dhe vështirësi në frymëmarrje, në të vërtetë janë reagimi i organizmit të njeriut nga ekspozimi ndaj valëve të 5G. Një teori tjetër sugjeron se rrjeti 5G dobëson sistemin imunitar dhe tjetra thotë se virusi po përdor valët e rrjetit për të zgjedhur viktimat, duke përshpejtuar kështu përhapjen e tij. Teoria është pritur me skepticizëm nga ekspertët, të cilët theksojnë se raste të virusit korona janë identifikuar edhe në shumë vende ku akoma nuk ka rrjet 5G. Si e shohin ato?

“Ideja që 5G-ja dobëson sistemin nuk ka asnjë lloj baze. Sistemi imunitar i njeriut mund të dobësohet nga shumë gjëra, që nga një ditë e lodhshme deri tek një dietë e keqe ushqimore. Këto gjëra, sado të vogla mund të bëjnë që të jeni më të prirur për të kapur virusin. Valët magnetike mund të çrregullojnë fiziologjinë e njeriut kur ngrohen, që do të thotë se sistemi imunitar nuk mund të funksionojë. Por niveli i energjisë nga valët e 5G janë fare të vogla dhe e kanë të pamundur që të ndikojnë në sistemin imunitar. Ka pasur shumë studime për këtë“, shpjegon për BBC, Simon Klark, doktor i biologjisë molekulare.

Shpërndarja në mënyrë masive e informacioneve për një lidhje mes instalimit të rrjetit 5G dhe virusit korona mori përmasa shqetësuese. Ato nxitën edhe veprime konkrete me akte vandale. Si pasojë e këtyre teorive, në Britaninë e Madhe, në qytetet Belfas, Liverpull, Birmingam u raportuan dhjetëra raste të akteve të dhunës, konkretisht, vënies flakë të antenave të kompanive celilare, si shenjë proteste ndaj 5G.

Në një deklaratë të përbashkët, kompanitë celulate në Britaninë e Madhe, BT Group, Telefonica, O2, Vodafone dhe Three, në pronësi të CK Hutchison Holdings (CKHUY), thanë që pretendimet mbi 5G në asnjë mënyrë nuk janë të lidhura me pandeminë.

“Jo vetëm që këto pretendime janë të pabaza, ato janë të dëmshme për njerëzit dhe bizneset që mbështeten në vazhdimësinë e shërbimeve tona. Ata gjithashtu kanë çuar në abuzim të inxhinierëve tanë dhe, në disa raste, kanë parandaluar mirëmbajtjen thelbësore të rrjetit”, thanë operatorët celular.

Deri tani, nuk ka asnjë dëshmi se opsionet teorike që u përmendën janë të vërteta, që kanë lidhje me njëra tjetrën ose që janë arsyeja për krizën e krijuar në të gjithë botën nga pandemia. Për aq kohë sa operatorët e pranojnë që punojnë dhe sunojnë instalimin e plotë të rrjetit 5G, nuk ka logjikë të mendohet se diçka e këtillë u bëka në mënyrë të fshehur, gjatë orës policore. Nuk ka asnjë tregues ose studim që zogjtë kanë ngordhur si pasojë e “valëve të dëmshme” 5G të cilat, në fakt, akoma nuk aplikohen te ne. Nuk ka asnjë dëshmi që botës i është dashur të shpikë një virus korona për të mbuluar “pasojat që shkakton rrjeti 5G” në shëndetin e njerëzve dhe gjallesave të tjera. Për t’i dhënë një përgjigje pytjes fillestare, në bazë të studimeve aktuale, rrjeti 5G dhe virusi korona nuk kanë asgjë të përbashkët.

Ndryshe, sipas “Wikipedia”, rrjeti 5G është gjenerata e pestë e rrjetit të celularëve. Është një standard i ri global i valëve pas zhvillimit në faza të 1G, 2G, 3G dhe 4G. Rrjedhimisht, valët e tij janë më të forta dhe lidhja në rrjet është më e shpejtë. Spektri i frekuencës së 5G është i ndarë në valë milimetrike, të brezit të mesëm dhe të brezit të ulët. Arritja është e shkurtër, kështu që kërkohen më shumë antena. Valët e milimetrike kanë vështirësi të përshkojnë shumë mure dhe dritare, kështu që mbulimi i brendshëm është i kufizuar.

Disklejmer, baner, Fact Check COVID19, verifikimi i fakteve, vertetematës, koronavirus, coronavirus, COVID, vertetematesi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button