Tetovë, qyteti me shenja komunikacioni të dëmtuara (FOTO)

Një numër i shenjave të komunikacionit në Tetovë janë të dëmtuara dhe kjo përbën rrezik për sigurinë në komunikacion. Shenjat e dëmtuara gjenden në të gjitha pjesët e qytetit, pa përjashtime. Nga komuna e Tetovës thanë se janë të angazhuar për të zgjidhur këtë problem, shkruan Portalb.mk.

Që në hyrje të qytetit të Tetovës nga fshati Drenovec, elementi i parë që të bie në sy janë shenjat e komunikacionit të rrëzuara, të dëmtuara dhe të shtrembëruara. Kjo situatë është e pranishme edhe brenda në qytet. Dëmtimet e shenjave janë nga më të ndryshmet, madje ka raste kur në një mbajtëse ka dy shenja të cilat duhet të jenë në një drejtim të vendosura, ata janë në kahje të kundërta. Në disa raste janë vetëm mbajtëset pa shenja, e në disa të tjera shenjat janë të rrëzuara përtokë, ka raste kur edhe semaforët janë të shtrembëruar.

Rrëzimin e shenjave për toke, gjegjësisht rrëzimin e shenjës e cila tregon se ndalohet parkingu në një pjesë të rrugës e pësoi qytetari Xh.F. gjatë verës, i cili duke parë se nuk kishte shenjë në atë pjesë të rrugës e parkoi veturën e tij, dhe kur u kthye ia kishin bllokuar.

“Nuk kishte shenjë që e ndalon parkimin në këtë pjesë, andaj edhe e parkova veturën. Kur u ktheva ma kishin bllokuar. U desh të paguaja dënimin duke mos qenë faji im, kur i pyeta se pse ma kanë bllokuar veturën, më thanë se është e ndaluar të parkosh këtu, kur i pyeta ku është shenja më thanë se ja këtu për toke. Katastrofë!”, tha qytetari Xh.F.

Gazetari i Portalb.mk ishte në terren dhe gjendjen se si janë shenjat e komunikacionit në Tetovë më së miri e tregojnë fotografitë më poshtë.

This slideshow requires JavaScript.

Nga Sektori për Punë të Brendshme Tetovë thanë se për mirëmbajtën e shenjave të komunikacionit, kompetencat i ka Komuna e Tetovës, gjegjësisht Inspektorati i Komunikacionit.

Nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk thanë se janë të angazhuar për të zgjidhur problemin me shenjat dhe rregullimin e tyre.

“Gjatë skenimit që do e bëjmë në terren do evidentojmë se cilat shenja janë të nevojshme të ndërrohen. Natyrisht që pasi të ndërrohen të gjitha do vazhdojë edhe mirëmbajtja e tyre, nga dëmtimet apo raste te tilla.  Nuk mund te japim date fikse se kur mund te ndërrohen. Por se shpejti.” thanë nga Komuna e Tetovës.

Nga komuna shtuan se do të ketë kontrolle të vazhdueshme për të parë parregullsitë të cilat do të shfaqen.

Ndryshe, problemi me shenjat e komunikacionit nuk është i vetmi i kësaj natyre në Tetovë. Një problem tejet i madh për tetovarët është edhe kaosi urbanistik, për të cilin nga Komuna e Tetovës thanë se do të krijojnë regjim të ri, i cili do të lehtësojë trafikun në qytet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button