Filipçe ia propozoi Shtabit të Krizave kufizimet e reja, Qeveria do të vendos nesër

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, sot në mëngjes në seancën e Shtabit të Përgjithshëm për koordinim të krizave propozoi masat e reja kufizuese të rekomanduara javën e kaluar nga Komisioni për Sëmundje Infektive. Shtabi i krizës nuk ka arritur në asnjë konkluzion dhe masat do të diskutohen nesër në seancën e qeverisë. Ato i referohen vaksinimit të detyrueshëm të punonjësve shëndetësorë dhe testimit të detyrueshëm për punonjësit në sektorin publik, transmeton Portalb.mk.

Para shtabit të krizës, siç njoftuan nga kabineti i Filipçes, ministri theksoi se masat mbështeten plotësisht dhe do të japin rezultate, gjegjësisht me to do të ruhet gjendja relativisht stabile epidemiologjike në vend, kurse do të rritet edhe shtrirja e vaksinimit.

“Duke folur për situatën në vend, ministri shpjegoi se spitalet janë të mbushur me pacientë të pavaksinuar, gjegjësisht përqindja e të pavaksinuarve, kurse i të hospitalizuarve lëviz nga 75 për qind deri në 80 për qind. Këto lloj masash, por edhe shumë më rigoroze ka kudo në rajon, në Bullgari, Kroaci, Slloveni, Greqi, si dhe në Austri, Holandë e të tjera”, njoftuan nga Ministria e Shëndetësisë.

Filipçe sonte do të ketë takim edhe me sindikatat, të cilat në periudhën e fundit kanë reaguar dhe kanë kërkuar që të mos vendoset vaksinimi me forcë, si dhe teste PCR falas për punonjësit e sektorit publik.

Nga ana tjetër, Oda e mjekëve si dhe Oda Ekonomike u dhanë mbështetje të plotë masave të rekomanduara nga Komisioni për Sëmundjet Infektive.

Masat e propozuara për të cilat Qeveria do të vendos nesër nënkuptojnë vaksinim të detyrueshëm të punëtorëve shëndetësorë, kurse deri në hyrjen në fuqi do të jepet afat kohor prej 30 ditësh.

Për të punësuarit në sektorin publik, megjithatë, propozohet futja e certifikatës së detyrueshme për:

  • vaksinimi; ose test negativ PCR që do të jetë i vlefshëm për të paktën 72 orë;
  • ose vërtetim që e keni kaluar kovidin jo më të vjetër se 45 ditë ose vërtetim nga ndonjë specialist që personi nuk mund të vaksinohet.

Për masat në sektorit publik propozohet që të hyjnë në fuqi dhjetë ditë pasi të miratohen në seancën e qeverisë.

Të njëjtat masa, por në nivel rekomandimi dhe jo të detyrueshme, janë dhënë edhe për sektorin privat.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button