MISIONI I UNIVERSITETIT

(In memoriam: Sezai Karakoç)

Këtyre ditëve yjësia e viganëve humbi nga ndriçimi i vet, u zbeh. Ndërroi jetë Sezai Karakoç: poet, eseist, përkthyes dhe intelektual i veçantë turk, një nga mendimtarët më të mëdhenj të Lindjes (Duran, 2021), i njohur me poezinë “Mona Rosa”. Ai ka lindur në vitin 1933, në Ergani të Dijarbakërit. Pas përfundimit të shkollës së mesme në Gaziantep, ku u takua me Nexhip Fazëll Kësakyrekun, shkon në Stamboll për të studiuar filozofi, pavarësisht dëshirës së të atit për teologji. Regjistrohet në Fakultetin e Shkencave Politike në Ankara, në kryevatrën e politologjisë turke, ku përfundon degën financë dhe ekonomi në vitin 1955. Poezinë e parë e ka botuar në revistën “Kështjella” (Hisar), në vitin 1951. Për njëfarë kohe ka punuar si nëpunës shtetëror. Ai është themeluesi i shtëpisë botuese dhe i revistës Diriliş (Rilindja). Themeloi edhe një parti me të njëjtin emër. Që prej vitit 2007 e këndej, ai ka mbajtur ligjërata në selinë e Partisë së Re të Rilindjes, të cilat transmetoheshin drejtpërdrejt në internet. Është i njohur për poezitë. Me idetë e tij është shndërruar në një ekol mendimi për jetën letrare dhe kulturore. Përmes tij janë përgatitur shumë intelektualë e artistë. Temat që ai trajton përbëjnë një zë tjetërfare nga ato të poetëve të tjerë, për shkak të stilit narrativ mbi vlerat te të cilat beson, dhe në bazë të të cilave synon të ndërtojë një personalitet bashkëkohor të bazuar në vlera autentike. Karakoç nuk merret me tema trendy si pesimizmi, brenga, kriza etj., të cilat i quan të kufizuara te materia. Ai është një poet që e kapërcen materien, i lidhur me vlerat shpirtërore dhe kombëtare. Në veprat e tij nuk ka fjalë kolokuiale (argo) apo shprehi të obskenitetit. Njihet për përdorimin e disa metaforave të jashtëzakonshme.

Veprat poetike: Gryka (Körfez, 1959), Aorta (Şahdamar, 1962), Dyzet orë me Hidrin (Hızırla Kırk Saat, 1967), Zëra (Sesler, 1968), Libri i Tahasë/Sihariqi i trëndafilit (Taha’nın Kitabı/Gül Muştusu, 1968-1969), Fjalë kushtuar kohës (Zamana Adanmış Sözler, 1970), Lejla dhe Mexhnuni (Leyla ile Mecnun, 1981), Mona Rosa (Mona Rosa, 1998)etj.

Librat kërkimorë dhe në fushën e mendimit: Junus Emre (Yunus Emre, 1965), Shkrime (Yazılar (1967), Struktura ekonomike e shoqërisë islame (İslam Toplumunun Ekonomik Strüktürü, 1967), Mehmet Akifi (Mehmet Akif, 1968), Shpella dhe drita (Mağara ve Işık, 1969), Ngritja pas vdekjes (Ölümden Sonra Kalkış, 1970), Ringjallja e shpirtit (Ruhun Dirilişi, 1974), Shekulli dhe frymëzimi I-II-III-IV (Çağ ve İlham I-II-III-IV, 1974), Ringjallja e njerëzimit  (İnsanlığın Dirilişi, 1975), Parajsa e humbur (Yitik Cennet, 1976), Rizgjimi i Islamit(İslam’ın dirilişi, 1976), Shkrime letrare I-II-III: Ëndra e qytetërimit, Qytetërimi i ëndrrave, Lëvozhga  e dhëmbit, Piramida të shtrembëra (Edebiyat Yazıları I, II, III, 1982-1986: Medeniyetin Rüyası-Rüyanın Medeniyeti, Dişimizin Zarı, Eğik Ehramlar), Horizonte tejfizike dhe përtej I-II-III (Fizikötesi Açısından Ufuklar ve Daha Ötesi I-II-III, 1986),MendimeI-II (Düşünceler I-II, 1986), Harresa dhë përkujtimi (Unutuş ve Hatırlayış, 1996), Lufta për mbijetesë (Varolma Savaşı, 1997).

Në veprën Nga mendimi perëndimor bashkëkohor (Çağdaş Batı Düşüncesinden, 1997) ka përkthyer mendimtarë si Alain Bousqet, Alain Mauriac, Gabriel Marcel, André Malraux, Miguel de Unamuno e të tjerë.

Çmime: Shpërblimi i Shkrimtarëve Hungarezë në Ekzil (1970), Çmimi për Rrëfimin i Unionit të Shkrimtarëve të Turqisë (1982), Çmimi për Shërbime të Larta i Unionit të Shkrimtarëve të Turqisë (1988), Çmimi i Akademisë Botërore të Artit dhe Kulturës (1991), Çmimi Special i Ministrisë Turke të Kulturës (2006).

Ndër çështjet të cilat i ka trajtuar është edhe ajo e universitetit, funksionit dhe  misionit të tij. Idetë e tij rreth kësaj teme në mënyrë konçize i ka shprehur në esenë e tij “Universiteti dhe përgjegjësia”, të cilën para 5 viteve e kemi përkthyer në kuadër të veprës Mendime dhe koncepte (Logos-A), që më poshtë e japim në formë integrale:

“Roli i universitetit në kuadër të jetës shoqërore dhe kombëtare lind nga funksionet shumëpërmasore të tij. Mund të themi se në sferën politike, ekonomike dhe sociale, shkak i ekzistencës së universitetit është një gjë praktike: përgatitja e kuadrove të nivelit të lartë, evaluimi i drejtpëdrejtë apo i tërthortë i avancimeve në sferën e shkencës, artit dhe teknologjisë, i veprave produktive; gjenerimi i orientimeve teorike për të ruajtur dhe ngritur nivelin ekzistues. Universitetet kanë edhe misionin e tyre etik: rrënjosjen e idesë së drejtësisë, bukurisë dhe mirësisë në shpirtin e brezave intelektualë. Një detyrë tjetër e universitetit është që atmosferën dhe mënyrën e jetesës që njihet si“mënyrë jetese universitar(ç)e” ta bëjë me ndikim në rrjedhat shoqërore, duke lënë gjurmë të thella në jetën shoqërore përgjatë historisë.

Nëse i kthejmë sytë nga historia, do shohim akademitë e Greqisë antike, komplekset e periudhës së artë të qytetërimit islam, siç është ai i Bagdadit, Harranit, medresetë e Kajros, komplekset e Fatihut dhe të Sulejmanijes nga periudha osmane, pra insitucione edukative dhe arsimore qytetërimndërtuese. Që nga periudha pas Rilindjes e deri më sot, edhe në botën perëndimore, universitetet kanë qenë faktori kryesor i ndërtimit dhe avancimit të shoqërisë. Lëvizja reformiste e Luterit ka filluar nga universitetet.

Në universit, që është një arenë diskutimi e ideve të ndryshme, si rrjedhojëe lirisë së mendimit, përveç rrymave pozitive gjallërojnë edhe ato negative. Por, në shoqëritë e shëndosha, fuqia shkencore dhe morale e universitetit ia del të ngadhënjejë ndaj lëvizjeve destruktive.

Në kohën tonë, më tepër se në çdo shekull tjetër, lufta politike dhe kulturore mes shteteve dhe rrjeti i propagandës shtrihet edhe në universitete, në veçanti në periudhat e ndryshimeve kulturore dhe shoqërore, ku shkakatojnë deformime dhe shkatërrime të shumta.

Në shekullin tonë e kemi shumë të vështirë që të bëjmë dallimin mes shkencës dhe artit të vërtetë dhe të rremë. Kjo ngaqë tanimë ekziston edhe shkenca e prodhimit të artit dhe shkencës së rreme; madje pajisja propagandistike është në duart e këtyre shkencave, filozofive dhe doktrinave të rreme. Sot, pseudo-shkenca, pseudo-filozofia, pseudo-doktrinat, si në qarqet universitare, si në ato intelektuale, me një mjeshtëri dhe me një ngulmim të paparë, pa u bezdisur, shfaqen çdo ditë në treg me një pamje të re dhe shumë tërheqëse. Në këtë drejtim, universitetet kanë një detyrë të rëndësishme: t’i përgatisin brezat e rinj që të mendojnë, të vlerësojnë, të masin, të krahasojnë dhe të mos mashtrohen më nga pilulat me yje.

Edhe te ne, në një periudhë ndryshimi kulturor që zgjat goxha, nuk mund të thuhet se universitetet kanë qëndruar imune karshi këtyre efekteve shkatërrimtare. Në periudhën e fundit të terrorit dhe anarkisë, universitetet tona janë kurbani i këtij ankthi, madje herë-herë janë shndërruar edhe në fajtorë të disa ngjarjeve të pahijshme.

Duke marrë mësim nga këto ngjarje të dhimbshme, në fazën e rindërtimit, risistemimit dhe rifunksionalizimit, universitetet duhet të sillen në mënyrë shumë të kujdesshme në çdo aspekt. Universitetet nuk duhet të harrojnë se çdo problem, njollë dhe ndryshk që vihet re në to ka një ndikim të madh në jetën e kombit. Për shoqërinë, universitetet janë institucione që duhet të jenë në shërbim të së vërtetës, të drejtësisë, të së bukurës dhe të së mirës; janë institucione që duhet të kontribuojnë për konsolidimin dhe ndërtimin e vendit, vatra të përgjegjësisë për përgatitjen e brezave dhe kuadrove idealistë.”

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button