Presidenti bullgar Radev drejt fitores së një mandati të dytë

Presidenti bullgar Rumen Radev duket se po fiton një mandat të dytë me një epërsi të thellë të dielën, ndërsa votuesit në vendin më të varfër të Bashkimit Evropian mbështetën mesazhin e tij të fortë kundër korrupsionit, siç tregojnë sondazhet në qendrat e votimit, transmeton VOA.

58 vjeçari Radev kryesonte ndaj kundërshtarit të tij Anastas Gerdzhikov, po ashtu 58 vjeç, duke siguruar 64%-66% të votave krahasuar me 32%-33% të rivalit të tij në balotazhin presidencial, pasi iu afrua fitores në raundin e parë më 14 nëntor, sipas sondazheve të votuesve të kryera nga Alpha Research dhe Gallup International, mes një pjesëmarrjeje të ulët rekord.

Zgjedhjet vijnë në klimën e pakënaqësisë së gjerë kundër korrupsionit të nivelit të lartë që i dha fund qeverisjes dhjetëvjeçare të ish-kryeministrit Bojko Borisov në prill dhe solli si rezultat fitoren e një partie të re kundër korrupsionit në zgjedhjet parlamentare të javës së kaluar.

Posti i presidentit është kryesisht ceremonial, por ofron një platformë të fuqishme për të ndikuar në opinionin publik. Roli i tij fiton peshë në kohë krize politike, kur kreu i shtetit mund të emërojë kabinete të përkohshme.

Radev, një ish-komandant i forcave ajrore, fitoi popullaritet pasi mbështeti hapur protestat masive kundër korrupsionit kundër ish-kryeministrit Borisov në vitin 2020 dhe emëroi qeveri të përkohshme që nxorrën në dritë marrëveshjet e fshehta të prokurimeve publike të kabinetit të fundit të qendrës së djathtë të zotit Borisov. Ky i fundit ka mohuar të ketë kryer shkelje.

Gerdzhikov, rektori i Universitetit të Sofjes i mbështetur nga partia GERB e ish-kryeministrit, e kishte akuzuar Radev se i kishte përçarë bullgarët. Ai ishte angazhuar ta bashkonte vendin që ka përjetuar një nga përqindjet më të larta të vdekjeve nga koronavirusi në BE dhe po vuan pasojat e rritjes së kostos së energjisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button