Gjashtë nga tetë shkaqet për degradim të tokës burojnë nga bujqësia, prodhimtaria organike është shpëtimi

Gjashtë nga tetë shkaqet për degradim të tokës burojnë nga aktivitetet bujqësore. Përdorimi i tepërt i preparateve kimike, por edhe mënyra joadekuate e përpunimit e shkatërrojnë njërin prej resurseve më të rëndësishme natyrore të cilët, bashkë me ajrin e pastër dhe ujin e pijshëm, duhet ta ruajmë. Toka e shëndetshme është e pazëvendësueshme dhe e domosdoshme për të qëndruar në jetë dhe prodhim të ushqimit të sigurtë. Nga ana tjetër, si resurs është nën ndikim serioz edhe nga ndryshimet klimatike dhe lehtë mund të shkatërrohet, ndërsa karakteristikat e saj natyrore dhe aftësia për ripërtëritje të biomasës janë të kufizuara, shkruan Meta, njofton Portalb.

Edhe krahas kësaj, kujdesi për tokën në vendin tonë është në nivel jo të kënaqshëm, janë dakordues edhe ekspertët edhe bujqit. E domosdoshme është të ndërmerren masa urgjente për t’u ruajtur nëpërmjet edukimit të prodhuesve për zvogëlimin e përdorimit të pesticideve dhe preparateve tjera kimike, monitorim i rreptë i cilësisë dhe analiza të shpeshta laboratorike.

Zvogëlimi i materies organike në tokë, erozioni, kontaminimi, salinizimi, reduktimi i biodiverzitetit dhe dendësia, janë ndër shkaqet kryesore për degradimin e tokës, të shkaktuara nga bujqësia, që i ka identifikuar Bashkimi Evropian. Profesoresha e Fakultetit për Bujqësi dhe Ushqim, Tatjana Mitkova, thotë që problemi me shkatërrimin dhe ndotjen e këtij resursi natyror është serioz, ndërsa mund të bëhet edhe më keq nëse vazhdon të mos menaxhohet në mënyrë të drejtë.

“Bujqit nuk ushtrojnë kontroll paraprak mbi pjellorinë e tokës dhe shpesh herë në mënyrë joadekuate përdoren plehra minerale dhe mjete për mbrojtje të bimëve. Ato, përveç plehrave azotike, të cilat toka nuk ka mekanizëm për t’i mbajtur, përfundojnë në ujërat nëntokësore dhe i ndotin. Fatmirësisht, prodhuesit tanë, për shkak të gjendjes financiare në të cilën gjenden, nuk përdorin sasi të cilat i përdorin bujqit në vendet e zhvilluara, ndaj kontaminimi i tokës nuk është drastik. Megjithatë, kjo nuk donë të thotë që nuk na nevojitet edukim dhe ndryshim i shprehive”, thekson Mitkova.

Viteve të fundit, vërehet dallim në praktikat të cilat i aplikojnë fermerët e rinj, veçanërisht ata që janë përcaktuar për prodhimtari organike. Ata rregullisht e monitorojnë tokën që e përpunojnë dhe kërkojnë rekomandime për preparatet që duhet t’i përdorin për të mos ndotur. Sipas të dhënave të Ministrisë për Bujqësi, në vendin tonë sipërfaqet e përgjithshme nën prodhimtari organike nga viti 2016 deri në vitin 2020 janë rritur nga 3.240 në 3.957 hektarë, ndërsа numri i prodhuesve organikë është rritur nga 533 në 908 prodhues.

Suzana Dimitrievska nga fshati Mustafinë në Ovçe Pole prodhon ushqim organik më tepër se 15 vite. Ajo thotë që tani, procesi për të filluar me këtë lloj prodhimtarie është shumë më i lehtë se më parë, gjë që duhet t’i inkurajojë bujqit.

“Para më shumë se një dekade kishte vetëm ligj për prodhimtari organike dhe asgjë më tepër. Tani janë miratuar të gjitha rregulloret, të njohura janë preparatet që mund të përdoren, është harmonizuar mënyra e konvertimit dhe ka dituri solide profesionale që mund t’i udhëheqë gjatë procesit. Ekzistojnë edhe kompani për certifikim, ndërsa edhe subvencionet të cilat i ndan shteti janë të mira,” thotë Dimitrievska.

Në anën tjetër, thekson ajo, motivim shtesë është fakti që kjo mënyrë e prodhimtarisë është zgjidhja më efikase për shpëtimin e tokave prej ndotjes dhe degradimit.

Viteve të fundit, prodhimtaria organike është trend, në veçanti te fermerët e rinj, ndërsa po shfaqen edhe kompani të cilat përpunojnë rreptësisht produkte organike për shkak se janë të kërkuara në treg.

Sipas Programit nacional për bujqësi dhe zhvillim rural, mbështetja për prodhimtari organike është për 30% më e lartë nga subvencionet për prodhimtarinë konvencionale të tagjisë, 50% më e lartë për kulturat e përpunimit të tokës, prodhimtarinë blegtorale dhe bletare, 70% për pemëtari dhe vreshtari dhe 100% për produkte kopshtare.
Prodhuesit fitojnë edhe mbulim të gjysmës së shpenzimeve për certifikim të prodhimtarisë organike dhe 70% të shpenzimeve për analiza agrokimike, pedologjike ose analizë të mbetjeve nga pesticidet, metalet e rënda dhe tjera., të materieve në tokë dhe në produktet organike. Janë rritur edhe subvencionet, të cilat vitin e kaluar kanë qenë 60 milionë denarë ndërsa këtë vit janë 104 milionë denarë.

Me këtë lloj të kultivimit të bimëve, nga të gjitha rreziqet e përmendura mbi shëndetin e tokës, më së shumti do të shmanget kontaminimi dhe dendja, për shkak se shmanget përdorimi i preparateve kimike dhe aplikohet përpunim i reduktuar i tokës. Sipas profesoreshës Mitkova, përdorimi i drejtë i praktikës së mirë bujqësore donë të thotë që fermerët përkujdesen si për bimët, ashtu edhe për tokën.

“Nëse shtëpia ndërtohet nga themeli, atëherë një fermeri, që investon shumë të madhe parash në plantacion, hapi i parë i tij duhet të jetë testimi i tokës dhe i cilësisë së saj. Më tutje, duhet të përdoret plehërim i drejtë dhe përpunim i reduktuar që donë të thotë, me një kalim të mekanizimit të përfundohen më tepër operacione. Te kulturat shumëvjeçare, të përdoret kultivim i barishteve ndërmjet, të cila në mënyrë të natyrshme do ta pasurojnë tokën me azot dhe e stimulojnë aktivitetin mikrobiologjik të tokës dhe e mbrojnë nga erozioni si dhe e përmirësojnë strukturën e tokës”, thotë Mitkova.

Ministria e Bujqësisë ka përpunuar Strategji nacionale për bujqësi dhe zhvillim rural 2021-2027, që paraqet dokument strategjik për zhvillim të mëtejmë të prodhimtarisë organike bujqësore. Prej aty thonë që në periudhën e ardhshme është planifikuar të rritet informimi i prodhuesve për qasjen te mjetet për mbrojtje me publikim të listave të preparateve të lejuara, si dhe të bëhen hulumtime për potencialin e resurseve natyrore dhe zonat e mbrojtura për prodhimtari organike bujqësore në shtet.

“Industria e përpunimit do të jetë e mbështetur për rritje të sasisë dhe asortimanit të përpunimeve nga produktet organike bujqësore që do të kontribuojë për rritje të prodhimtarisë primare organike dhe rritje të vlerës së shtuar të produkteve. Në drejtim të zhvillimit të sektorit të përpunimit organik bujqësor, parashihet rritje e lartësisë së mbështetjes për përpunim të produkteve organike bujqësore dhe të produkteve në kalim si dhe të mbështetjes për tregtinë me produkte të freskëta e të përpunuara organike në kalim me prejardhje vendase”, informojnë nga Ministria.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button