Armenia thotë se iu vranë gjashtë ushtarë gjatë përleshjeve me Azerbajxhanin

Armenia ka thënë se gjashtë ushtarë të saj janë vrarë në përleshjet kufitare me Azerbajxhanin, më herët gjatë javës.

Ky njëherësh ka qenë konflikti më i rëndë prej luftës 44-ditore, në të cilën janë përfshirë këto dy shtete vitin e kaluar për rajonin e Nagorno-Karabakut.

Azerbajxhani ka thënë se shtatë ushtarë të saj janë vrarë dhe 10 të tjerë janë plagosur në luftimet e 16 nëntorit, për të cilat palët fajësojnë njëra-tjetrën.

Në një deklaratë të lëshuar më 19 nëntor, Ministria armene e Mbrojtjes ka bërë të ditur emrat e personave të vrarë.

“Është duke u bërë punë intensive me ndërmjetësim dhe pjesëmarrje të Rusisë për të riatdhesuar ushtarët që janë dërguar në burgje apo janë zhdukur si rezultat i luftimeve”, është thënë më 19 nëntor, duke shtuar se situata në kufi mes Armenisë dhe Azerbajxhanit ka qenë “relativisht stabile” në mëngjes.

Pas përleshjeve të 16 nëntorit, Jerevani dhe Baku-ja janë pajtuar për të ndalur armiqësitë në zonën kufitare.

Dhuna ka rikthyer thirrjet ndërkombëtare që dy fqinjët të demarkojnë kufirin e periudhës sovjetike.

Armenia dhe Azerbajxhani, me ndërmjetësim të Rusisë janë pajtuar për arritje të armëpushimit më 2020, pas luftës së zhvilluar për gjashtë javë në vjeshtën e po atij viti për rajonin e Nagorno-Karabakut, transmeton REL.

Ky rajon është njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por është kontrolluar nga armenët etnikë qysh në fillim të viteve 1990.

Rreth 6,000 njerëz janë vrarë në luftimet e vitit të kaluar, që kanë përfunduar me një marrëveshje armëpushimi të ndërmjetësuar nga Moska.

Sipas marrëveshjes, një pjesë e Nagorno-Karabakut dhe të shtatë rrethet përreth tij janë vendosur nën administrimin e Azerbajxhanit, pas gati 30 vjetësh nën kontrollin e forcave etnike armene.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button