Tetovë, “Shkumbini” vazhdon me problemet e vjetra, Kasami: E kemi prioritet rregullimin e tij

Mos-rregullimi i shtratit dhe pjesëve anësore të lumit “Shkumbin” si dhe mos-pastrimi i rregullt i tij nga mbeturinat, është një nga problemet me të cilin ballafaqohen çdo ditë banorët e lagjes “Dardania”.  Kjo situatë e krijuar në këtë pjesë të qytetit shkakton frikë se lumi mund të del përsëri nga shtrati dhe të shkaktojë dëme të mëdha si në vërshimet e vitit 2015 kur kjo pjesë ishte më e dëmtuar. Kryetari i ri i Tetovës, Bilall Kasami tha se rregullimi i shtratit të lumit do të jetë ndër prioritetet për të cilin janë në përpunim e sipër, shkruan Portalb.mk.

Komuna e Tetovës në të kaluarën e ka pastruar herë pas here lumin por në mënyrë sipërfaqësore duke i lënë mbeturinat anash lumit andaj të njëjtat janë shtuar ende më shumë. Problemi me vite ka mbetur i pazgjidhur.

Për gjendjen katastrofike të shtratit të Lumit Shkumbin në pjesën e Lagjes Dardania, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami për Portalb.mk tha se do të jetë ndër prioritetet dhe projektet për të cilat janë në përpilim e sipër.

“Rregullimi i shtratit deri te rreth rrotullimi deri në fakt qarkorja që është jashtë Tetovës, prioritet do të jetë rregullimi i shtratit të lumit por është projekt më kapital. Aty do të duhet të përgatitet projekt, kam informata se një ndër shtëpitë e arkitekturës privat që janë ka projekt, do duhet t’i kontaktoj, të siguroj projektin, të shoh a është adekuat edhe të nis menjëherë procesin e sigurimit të mjeteve për realizimin e të njëjtit.” tha Bilall Kasami.

Inspektorati ekologjik i padobishëm, Kasami: Do bëhet plan i detajuar

Nga ana e qytetarëve të Tetovës ka ankesa se inspektorati ekologjik dhe numri në ueb-faqe ka qenë jofunksional kur ata kanë denoncuar personat që kanë ndotur ambientin, andaj Portalb.mk pyeti Kasamin se çfarë planifikojnë për funksionalizimin e këtij inspektorati, se a do shtohen më shumë inspektorë apo a do të punohet me më shumë ndërrime.

Kështu u përgjigj Kasami për Inspektoratin Ekologjik:

“Edhe aty do të bëhet një plan i detajuar edhe me kapacitetet që ka inspektorati por edhe me sektorin civil do të ulemi do të bëjmë një strategji se si më së miri të reagojmë në kohë për të ndërprerë të gjitha keqpërdorimet që bëhen edhe me ndotësit por edhe me aspektet tjera.”

Edhe pse gjatë fushatës parazgjedhore shtrati i Lumit Shkumbin u përmend si një nga problemet më të mëdha, Kasami nuk e ka vendosur këtë në mesin e projekteve të cilat sipas tij do t’i realizojë gjatë 100 ditëve të para të mandatit, pasi kjo sipas tij kërkon më shumë punë.

Ndryshe, aktualisht Inspektorati ekologjik vazhdon të mbetet i padobishëm. Ne aplikacionin  “E-report”  qytetarët mund të raportojnë për sjelljet e pandërgjegjshme të personave fizik dhe juridik të cilët me veprimet e tyre ndotin ambientin jetësor, por në këtë aplikacion numri është jofunksional. Autoritetet nuk bëjnë inspektime dhe kontrolle të shpeshta në terren si masë parandaluese ndaj hedhjes së materialeve të renda, e sidomos te shtrati i Lumit shkumbin në Lagjien Dardania, e cila është shndërruar në një xhungël.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button