Psikologët konfirmojnë: Pandemia e kovid ka sjellë probleme të ndryshme psikologjike te nxënësit

Pandemia Kovid-19 ka ndikuar seriozisht në shëndetin mendor të të rinjve. Ndonëse dukej i parrezikshëm në fillim mësimi nga shtëpia, periudha e gjatë e mos shoqërimit e ka çmimin e vet. Dy muaj e gjysmë pas fillimit të vitit shkollor me prezencë fizike, Meta.mk bisedoi me psikologët e shkollave për këtë temë. Ata thonë se kthimi në shkollë ka çuar në dy ekstreme – disa nxënës janë të lumtur dhe të tjerë janë nën stres të vazhdueshëm.

“Të parët kanë nevojë të kompensojnë shoqërimin, janë të motivuar, nxisin aktivitete jashtëshkollore, prej tyre burojnë nisma të ndryshme, janë proaktive. Por ka fëmijë që janë ndjerë të sigurt kur e kanë ndjekur mësimin onlajn, ndaj tani janë të stresuar dhe të tronditur mësimi me prani fizike. Këta janë fëmijë që kanë më shumë vështirë të përshtaten, ndaj kanë frikë, të vjella, dhimbje koke, probleme me ushqimin dhe gjumin. Ata kanë qenë në zonën e rehatisë për një kohë të gjatë, kurse tani testi në prani fizike për ta është gjëja më e frikshme në botë. Ankthi i tyre social është rritur”, thotë Ana Poprizova, psikologe në shkollën e mesme “Orce Nikolov”.

Ajo thekson se vëllimi i punës së saj me nxënësit që kanë probleme të tilla është dyfishuar.

“Unë punoj me nxënës që kanë frikë, pritshmëri të mëdha, ndërsa shumë raportojnë se kanë probleme me përqendrimin, ulje të motivimit, janë më apatikë. Ne punojmë me ta se si të përballemi me frikën, si të bëjmë plan për mësim. Prindërit dhe mësuesit janë gjithashtu të përfshirë. Kërkojmë që profesorët të kenë mirëkuptim, t’u japin mundësi nxënësve t’i përmirësojnë notat e tyre”, shtoi Poprizova.

Niki I. Kotevska, e cila ligjëron psikologjinë në gjimnazet e Shkupit “Georgi Dimitrov” dhe “Nikola Karev”, thotë se sipas analizave që mund t’i shohim nga profesionistët e mjekësisë, komplikimet nga kovidi tek fëmijët dhe të rinjtë janë shumë të vogla (edhe pse ka përjashtime), por fatkeqësisht fatura që e paguajnë nxënësit për shëndetin mendor është shumë më e lartë dhe ajo që marrin si pasojë është rritje ekstreme e jo normaliteteve mendore.

Ajo thotë se si asnjëherë më parë tek nxënësit ka probleme të ndryshme psikologjike. Në fillim të këtij viti shkollor, në periudhën e javëve të para që shërbeu për përshtatjen e tyre serishme në bankat shkollore, të dukshme ishin simptomat e ankthit social, të shoqëruar shpesh me simptoma psikosomatike si shfaqja e dhimbjeve të kokës, dhimbje barku.

“Në fillim dukej se mësimi në distancë u ofronte nxënësve rehati më të madhe (është fakt që ne e pamë dhe si pjesë e nxënësve u përfshinë në mësim nga shtrati, kafeneja, palestra etj.), por izolimi i tyre, frika nga shëndeti, frika nga vdekja dhe humbja e ndonjë personi, largimi nga rutinat e përditshme si shkuarja në shkollë dhe të përmbushja e rregullt e përgjegjësive të tyre ka rezultuar në ndryshim të plotë të stilit të tyre të jetesës dhe rrjedhimisht në çrregullimin e shëndetit mendor”, tha ajo.

Kotevska konsideron se situata është e rëndë dhe se mësimdhënësit, prindërit dhe psikologët e shkollave duhet të bisedojnë me nxënësit.

“Është kohë kur duhet të fokusohemi tek ndjenjat e fëmijëve tanë dhe vetëm me marrëdhënie të shëndetshme, marrëdhënie që do të thotë mirëkuptim, mes secilit prej nesh që është pjesë e zinxhirit në procesin edukativo-arsimor duhet të punojmë për të kapërcyer këtë krizë të re jo normale psikike”, shton ajo.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button