fbpx

Shkupi i zgjuar: Agjendë e re për kryeqytetin

Martin Nikolovski
Martin Nikolovski

E ardhmja është përplot me zgjidhje, përderisa nuk i marrim serioizisht problemet dhe të bëjmë plane dhe të njëjtat t’i ndjekim.

Pajisje të zgjuara, telefona të zgjuar, këto janë kohë që kërkojnë zgjidhje të zgjuara për qytetet ku jemi rritur ose ku jetojmë. Pikërisht, jeta në një epokë që po modernizohet dhe po bëhet më komplekse ndërsa modernizohet, duke përfshirë migrimin nga një mjedis rural në një mjedis urban ose nga një qytet më i vogël në një qytet më të madh, diçka që vazhdon të zhvillohet në mbarë botën dhe kërkon rimendim të koncepteve të mjediseve urbane.

Qytetet çdo ditë bëhen më të mëdha, veçanërisht në shtetet në zhvillim, kurse qytetet e mëdha po shndërrohen në metropole. Kjo nuk duhet të na habisë, duke ditur se nga njëra anë, qytetet e mëdha sigurojnë punësim, shëndetsi, arsim dhe kulturë. Nga ana tjetër, edhe pse ekzistojnë mundësitë ku nevojat tona personale mund të plotësohen, sfida e trajtimit të gjërave si problemet e transportit, ndotja e ajrit, siguria, rritja e shkallës së krimit, menaxhimi i mbetjeve, infrastruktura e papërshtatshme dhe stresi, po bëhen shumë më të ndërlikuara.

Me qëllim që të parandalohet ky konfuzion dhe të thjeshtohet jeta në qytet, në botë filluan të paraqiten të ashtuquajturat qytetet e zgjuara. Sa për ilustrim, ky është shembulli i qytetit të zgjuar të sapondërtuar Sogndo në Korenë e Jugut, si dhe Masdar City në Emiratet e Bashkuara Arabe. Këto qytete, të cilat janë plotësisht të planifikuara dhe të pajisura me teknologji të reja, janë shembujt më të spikatur të jetës së organizuar. Qytetet e zgjuara na premtojnë jetë më të mirë në qytet me zgjidhje më efektive dhe të qëndrueshme.

Trafiku në qytet, sistemi i transportit publik, konsumi i energjisë, ngrohja dhe ajrosja kontrollohen nga një qendër. Trafiku i mbingarkuar mund të parashikohet dhe merren masa para se të ndodhë kaosi dhe të gjitha llojet e objekteve që mund të komunikojnë me njëri-tjetrin shkëmbejnë të dhëna që do të ofrojnë shërbim më të mirë për qytetarët.

Në botë ekzistojnë qytete të mëdha të cilat mundohen të shndërrohen në qytete të zgjuara (inteligjente). Po flasim për tentativa në qytetet siç janë Barcelona, Londra, Çikago, Malmo, Singapor, Kopenhagë. Puna e tyre është padyshim më e vështirë. Instalimi i teknologjisë së re në infrastrukturën e vjetër është një punë e shtrenjtë. Megjithatë, këto qytete janë një nga qytetet më të planifikuara në botë. Puna e tyre nuk është aq e vështirë sa ndoshta do të ishte në vendin tonë.

Urbanizmi i zgjuar në Maqedoni

Në Maqedoni, qyteti i cili ka potencialin më të madh të shndërrohet në një qytet inteligjent (smart) është Shkupi.

Megjithatë, para së gjithash, qytetet tona duhet të jenë qytete të përshtatshme për të jetuar, përpara se të shndërrohen në qytete të zgjuara. Nuk ka dyshim se ne duhet të përdorim plotësisht teknologjitë inteligjente duke i bërë qytetet tona të jetueshme, por mbi të gjitha duhet të përdorim mendjen tonë.

Në një qytet me pothuajse një milion banorë, banorë të përhershëm dhe ata që migrojnë çdo ditë (në një vend me një popullsi totale prej mezi dy milionë), ka ende pushtete vendore që lejojnë të ndërtohen ndërtesa pa vende të parashikuara parkimi. Shtëpitë e vjetra dhe ndërtesat e vogla po prishen dhe në vend të tyre po ndërtohen ndërtesa të larta në shumë kate. Kurse rrugët rreth saj mbeten të njëjta, trotuaret janë të njëjta. Thjesht nuk ka vende për parkim. Në vendin ku më herët jetonin 10-15 veta, tani do të jetojnë 50-60 veta. Çdo apartament ka të paktën një makinë. Megjithatë, infrastruktura nuk lejon që të plotësohen nevojat në rritje.

rotuaret e ngushta përkëmbësorë janë kthyer në parkingje për makina. Në një qytet ku njerëzit janë prioritet, duhet të ketë trotuare të gjera, lehtësisht të kalueshme dhe lehtësisht të aksesueshme për personat me aftësi të kufizuara. Ne kemi nevojë për pedonale cilësore që ndërtohen një herë dhe do të përdoren për vite me rradhë.

Kaosi i trafikut nuk duhet shpjeguar fare. Periudha kur njerëzit largohen ose kthehen nga puna dhe pritja e gjatë në semafor, mund të zgjasë deri në disa orë kohë të kaluar nëpër rrugët e qytetit.

Lirimi i trotuareve nga “hapësira për parkimin” e makinave

Hapësirat publike janë kthyer në beton. Parqet nuk janë të mjaftueshme, kurse prerja e gjelbërimit që ka mbetur po shtohet çdo ditë e më shumë. Humbja e “mushkërive” të qytetit në vitin 2017 bëri që Shkupi të jetë qyteti më i ndotur në botë dhe kjo u përsërit në janar të vitit të kaluar kur Shkupi sipas me indeks 183 ishte i pari në listën e qyteteve më të ndotura në botë sa i përket cilësisë së ajrit dhe sipas parametrave të këtij indeksi të gjitha vlerat mbi 100 konsiderohen jashtëzakonisht të larta. Sipas Indeksit Evropian të Cilësisë së Ajrit, Shkupi ia kaloi Kalkutës, Indisë, Dakës dhe Bangladeshit.

Në Shkup dhe qytete të tjera maqedonase na duhen trotuare mbarëbotërore, pa pengesa, lehtësisht të aksesueshme me shtigje për biçikleta. Këmbësorët duhet të jenë gjithmonë prioritet, e jo automjetet.

Modernizimi dhe promovimi i përdorimit të transportit publik

Edhe pse kohët e fundit janë bërë investime të konsiderueshme në transportin publik, kjo është ende e pamjaftueshme. Përdorimi i transportit hekurudhor dhe publik me autobus është i rëndësisë jetike. Sisteme të tilla janë një zgjidhje transporti që mund të integrohet lehtësisht me teknologjitë inteligjente. Për sa i përket metrosë, ai është një sistem i shtrenjtë, megjithëse është i shpejtë, i përshtatshëm, ekonomik dhe miqësor ndaj mjedisit, ende duhen vite për të ndërtuar një sistem të tillë në kryeqytetin tonë. Edhe pse zyrtarët e qytetit paralajmëruan „tramvaj me rrota“, një projekt i tillë mbetet vetëm një premtim për banorët e Shkupit.

Tramvajet qarkullojnë me trafikun aktual në shumë qytete të botës dhe janë një metodë efikase e transportit publik. Por, duke qenë se nuk kemi trafik të rrjedhshëm, nuk ka kuptim përfshirja e një tramvaji. Nëse do të ndërtohet një tramvaj, duhet të përdoret një linjë e veçantë. Por, edhe pse çdo metër katror është i vlefshëm në Shkup, duhet të mendohen zgjidhje të ndryshme.

Një risi në botë është ndërtimi i një „monorail“ respektivisht një hekurudhe e përbërë nga një hekurudhë apo tra. Monorail-et janë gjithashtu më pak të kushtueshme, më të shpejta dhe më të lehta për t’u zbatuar dhe mund të transportojnë pasagjerë me një kapacitet sa një metro.

Qendrat tregtare për blerje (shopping Centers) duhet të zëvendësohen me hapësira tregtare. Në vend që të shtyhen njerëzit në ndërtesa të mbyllura, të izoluara, duhet të merret parasysh integrimi i parqeve të mëdha të gjelbra në projekte, të cilat po rinovohen me transformim urban përderisa është e nevojshme dhe projekte të tilla që do të sjellin jetë në rrugë, dyqane, restorante.

Ne nuk kemi gjelbërim në qytete. Duhet të krijojmë parqe të mëdha si në shumë vende evropiane. Nuk po flas për pika pikniku jashtë qytetit. Duhet të ketë zona të integruara me qytetin ku njerëzit mund të arrijnë lehtësisht në këmbë ose me biçikletë.

Ne duhet të përdorim në maksimum burimet e rinovueshme të energjisë. Vendi ynë është një parajsë për energjinë diellore dhe të erës. Kjo do të reduktojë emetimet e karbonit. Kjo kërkon një mbështetje më të madhe qeveritare. Në atë rast ne do të jemi të pavarur në përdorimin e energjisë elektrike dhe nuk do të importojmë energji elektrike nga jashtë.

Përdorimi i automjeteve elektrike dhe autonome do të rritet në 5-10 vitet e ardhshme. Automjetet autonome që komunikojnë me njëra-tjetrën, respektojnë rregullat dhe gjejnë një vend parkimi përpara se të arrijnë destinacionin e tyre, padyshim që do të parandalojnë kaosin e trafikut.

Gjatë kësaj periudhe gradualisht do të mësohemi me marrjen me qira të makinave. Si kushtet ekonomike ashtu edhe teknologjia e zhvillimit mund ta bëjnë më fitimprurëse për ne marrjen me qira të një makine sesa të kemi një makinë. Nëse ka një makinë pikërisht në fillim të rrugës që mund ta përdorim sa të duam, kur të duam, pse të kemi makinën tonë? Kështu do të reduktohen nevojat për rrugë dhe parkim dhe do të hapet më shumë hapësirë ​​për njerëzit.

Ndërtesat që janë të lirauara nga lëndët djegëse fosile, që ngrohen nga përdorimi i energjisë diellore, sigurojnë energji me erë dhe automjetet e transportit publik do të na ofrojnë qytete me më shumë oksigjen.

Qytetet e së ardhmes

E ardhmja është përplot me zgjidhje, përderisa nuk i marrim serioizisht problemet dhe të bëjmë plane dhe të njëjtat t’i ndjekim. Zgjuarja e qytetit tonë nënkupton edukimin e përgjithshëm të banorëve të tij për domosdoshmërinë e sjelljes së menduar gjatë të jetuarit në një kolektiv dhe me fokus qëndrueshmërinë dhe jetën afatgjatë në bërthamën urbane. Kjo nuk është e pamundur, kurse inkorporimi i qyteteve “të zgjuara”, digjitalizimi dhe ekologjia janë hapat që nevojiten urgjentisht që Shkupi të vazhdojë të jetë një qytet i dëshirueshëm për të jetuar.

Burimi: Respublica

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button