fbpx

Tensionet me Iranin rriten nga zgjerimi i ndikimit turk

Arrestimi i agjentëve iranianë në Turqi muajin e kaluar, thonë analistët, është shenja më e fundit e rritjes së tensioneve midis dy fqinjëve. Kjo po ndodh ndërsa Turqia po zgjeron ndikimin e saj në rajonin e Kaukazit në dëm të Iranit, shkruan VOA.

Forcat turke të sigurisë arrestuan agjentët iranianë për të cilët Turqia thotë se po tentonin të rrëmbenin një disident iranian. Videoja e arrestimit të kryer në tetor u shpërnda gjerësisht, duke e vënë në pozitë të vështirë Teheranin.

Incidenti vjen ndërsa Irani dhe Turqia janë në një luftë në rritje për të zgjeruar ndikimin e tyre në Kaukaz. Pajisjet ushtarake turke dhe izraelite ishin jetike për forcat e Azerbajxhanit në betejën e tyre për të larguar ushtrinë armene vitin e kaluar nga enklava e Nagorno-Karabakut. Një konflikt, që analistët thonë se dobësoi ndikimin e Iranit në rajon.

“Tani lidhjet izraelito-azerbajxhanase janë më të ngushta, lidhjet e Turqisë me Azerbajxhanin janë shumë më të ngushta, duke krijuar një realitet të ri gjeopolitik në Kaukazin e Jugut në të cilin roli i Iranit është zvogëluar, ai i Turqisë është rritur, dhe Rusia ka marrë rolin kryesor. Të gjithë këta faktorë e kanë rritur pakënaqësinë e Iranit”, thotë Galip Dalay, ekspert i organizatës “Chatham House”.

Irani tani po kundërpërgjigjet dhe ka shtuar përpjekjet e tij diplomatike në rajon. Në tetor, Teherani zhvilloi stërvitje ushtarake, për herë të parë në disa dekada, në kufirin me Azerbajxhanin.

“Tani, Irani po i bën trysni Azerbajxhanit. Marrëdhëniet diplomatike midis Iranit, Armenisë dhe Rusisë në lidhje me Kaukazin po bëhen më të ngushta. Irani po zhvillon stërvitje ushtarake pikërisht pranë kufirit të tij me Azerbajxhanin. Pra, mund të themi se ka tension në rajon që do të jetë i qëndrueshëm në planin afatgjatë”, thotë Ozgur Unlu hisar cikli, ekspert i Fondit Gjerman Marshall.

Në shenjë mbështetjeje, Turqia mbajti stërvitje të përbashkëta ushtarake me forcat azerbajxhanase pranë kufirit iranian pas shfaqjes së forcës nga Teherani, duke nënvizuar rëndësinë që ka Turqia për Azerbajxhanin.

Thellimi i lidhjeve ushtarake të Turqisë me fqinjin lindor të Iranit, Pakistanin, po e shton gjithashtu shqetësimin e Teheranit, thonë vëzhguesit, duke nxitur tensionet sektare. Turqia dhe Pakistani janë vende myslimane të sektit suni, ndërsa Irani ka një popullsi kryesisht shiite.

“Teherani po vëzhgon me shqetësim thellimin e bashkëpunimit ushtarak mes Pakistanit dhe Turqisë, si dhe midis Turqisë, Azerbajxhanit dhe Pakistanit. Dinamika e politikës më të gjërë rajonale në Lindjen e Mesme nga Irani përceptohet dhe analizohet nga këndvështrimi sektar shiit”, thotë Zaur Gasimov, studiues në Universitetin e Bonit.

Ekonomia në krizë e Iranit, varet nga tregtia me Turqinë, dhe kjo, thonë analistët, e lejon Ankaranë të mbajë një qëndrim të fortë ndaj Teheranit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button