“Nuk dal të votoj më” është qëndrimi i disa votuesve në Maqedonia e Veriut

Mile Nikollovski, tridhjetë vjeçar, me profesion bukëpjekës nga Shkupi, thotë për Radion Evropa e Lirë se drejtuesit e partive politike me veprimet e fundit, duke akuzuar njëra-tjetrën se kush e ka shumicën parlamentare, që kanë çuar dhe në bllokimin e punës së Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, dëshmojnë se aspak nuk janë të interesuar për mirëqenien e qytetarëve në këtë kohë krize shëndetësore dhe ekonomike.

“Nuk shoh se ndonjë nga politikanët është serioz, nikoqir që me zell do t’i qaset zgjidhjes së problemeve të qytetareve, që kanë të bëjnë me krizën dhe pandeminë. Kjo bën që më të mos besoj në politikë, andaj nuk do të dal të votoj në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që të mbahen. Nuk ia vlen”, thotë Nikollovski.

Nga ana tjetër, Lulzim Xhemaili, punonjës në administratë thotë se kriza politike reflektohet dhe në efikasitetin e institucioneve:

“Qytetarët janë të interesuar për një qeveri të qëndrueshme që do të mundësojë që proceset të ecin përpara. Për momentin gjendja është kaotike. Popullit i intereson të krijohen kushte për standard më të mirë, mirëqenie më të mirë dhe siguri dhe për ta më pak ka rëndësi se kush është në qeveri”.

Këto reagime vijnë pas qëndrimeve të fundit të partive në opozitë, VMRO-DPMNE dhe Aleanca për Shqiptarët se qeveria nuk ka legjitimitet pasi tashmë 60 deputetë janë shprehur se janë për rrëzimin e Qeverisë së Zoran Zaevit.

Përderisa zyrtarë të lartë të qeverisë thonë se shumica parlamentare është në rritje dhe mbeten të përkushtuar në menaxhimin e krizës ekonomike dhe asaj shëndetësore si dhe procesin e integrimeve, synime këto që jo pak goditen, siç kanë theksuar, nga manovrat e partive në opozitë.

Apatia politike në dëm të zhvillimeve të proceseve demokratike

Zhaneta Trajkovska nga Instituti për Studime të Komunikimit për Radion Evropa e Lirë thotë se komunikimi mes partive politike përmes akuzave dhe fyerjeve duke shmangur përgjegjësitë, bën që qytetarët të ndihen të mashtruar dhe njëherësh të humbin ¬çdo shpresë se diçka mund të shkojë nga e mbara.

“Në përgjithësi, apatia e qytetarëve ndaj politikës ka ndikim tejet negativ ndaj zhvillimeve në një shoqëri, e cila synon t’i plotësojë standardet e vendeve me demokraci të zhvilluar për të mundësuar që shteti të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian”, thotë Trajkovska.

“Nuk do të kemi zhvillim, kjo do të rrisë numrin e atyre qytetarëve që shpëtimin do ta kërkojnë jashtë shtetit pasi nëse një qytetar i rëndomtë nuk beson në ndryshime pozitive, pas deklaratave të drejtuesve politikë që nuk tregohen parimorë dhe nuk angazhohen në zgjidhjen e problemeve, atëherë si zgjidhje e vetme për të mbetet kërkimi i perspektivave jashtë vendit”, thotë ajo.

Ndërkaq, Emin Azemi ligjërues në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se vendimi i kryeministrit Zoran Zaev për të shtyrë dorëheqjen e qytetarëve lexohet si porosi se drejtuesit e qeverisë nuk kanë aftësi t’i realizojnë vendimet për të cilat janë deklaruar.

“Këto kalkulime lexohen keq nga ana e qytetarëve pasi qytetarët presin zgjidhjen e problemeve dhe nuk duan që një politikan, i cili drejton shtetin njëherë të thotë se jep dorëheqje dhe pastaj ndryshon mendimin dhe thotë se nuk jep dorëheqje ose e ka shtyrë të njëjtën. Këtu kemi më shumë dimensione, ai etik, politik dhe është dhe ai dimensioni pragmatik ku qytetarët nga drejtuesit e qeverisë presin t’i përmbushin obligimet”, thotë Azemi, duke shtuar se shumë zhgënjyes për qytetarët është edhe qëndrimi i liderit të opozitës, Hristian Mickoski, se ka siguruar shumicën e re parlamentare derisa një gjë e tillë nuk ndodh.

Zaevi u shmanget paraqitjeve publike

Kryeministri Zoran Zaev që nga mbarimi i raundit të parë të zgjedhjeve lokale nuk është paraqitur në asnjë aktivitet si kryetar i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Nga kabineti i kreut të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për Radion Evropa e Lirë kanë theksuar se Zoran Zaevi si kryeministër për çdo ditë është në vendin e punës dhe realizon takime dhe konsultime në funksion të realizimit të politikave të qeverisë.

Jordan Shishovski, profesor universitar, konsideron se kjo qasje e Zaevit për të mos u dukur në opinion është e gabuar se krijon edhe më shumë mosbesim kundrejt politikave të qeverisë.

“Që të funksionojë sistemi politik me patjetër qytetarët duhet të kenë besim tek institucionet, para së gjithash, në institucionin ‘kryetar i qeverisë’. Më e pakta që duhet të bëjë kryeministri Zaev është që mos fshihet, por qartë para qytetarëve të tregojë se për sa kohë, një dy apo deri kur e ka shtyrë dorëheqjen nga posti i kryeministrit. Vetëm në këtë mënyrë qytetarët do t’u besojnë vendimeve të kreut të shtetit, përkatësisht qeverisë”, vlerëson Shishovski.

Javën e kaluar dështoi iniciativa e partive opozitare të kryesuara nga VMRO-DPMNE dhe Aleanca për Shqiptarët për të rrezuar qeverinë e kryeministrit Zoran Zaev.

Ndërkohë, që gjatë kësaj jave zyrtarë të lartë të qeverisë së Zoran Zaevit kanë theksuar se së shpejti do të bëhet e ditur se cilët deputetë, përkatësisht parti do t’i bashkohen shumicës parlamentare për të rritur stabilitetin e qeverisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button