Kasami: Shkelje të rënda ligjore në realizimin e punimeve infrastrukturore në Tetovë

Nën dyshimin se po kryhen pa standard, kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami kërkoi nga sektori për veprimtari komunale dhe mbrojtje të ambientit jetësor dhe natyrës të pezullon punimet pas disa ankesave, duke paralajmëruar që do të shqyrtohen tenderët, dhe do të ketë një raport për të gjitha punimet infrastrukturore, rrugët, rrjetet e kanalizimit dhe rezervuarët e ujësjellësit. Kasami për Portalb.mk tha se e ka marrë raportin dhe se në gjetjet nga ky i fundit ka shkelje të rënda ligjore, shkruan Portalb.mk.

Sipas raportit të marrë në lidhje me realizimin e punimeve infrastrukturore, Kasami tha se bëhet fjalë për shkelje të rënda edhe të bazës ligjore.

“Për të njëjtat komisioni është duke përpunuar raportin dhe për këtë në ditët në vijim do të njoftoheni detajisht për të gjitha gjetjet që janë në bazë të analizës që është bërë edhe në teren por edhe të dokumentacionit nga komisioni. Shkeljet janë ligjore. Sipas informatave që kemi bëhet fjalë edhe për shkelje të afateve ligjore të Kodit Zgjedhor, që nënkupton mos nisjen e punimeve brenda afatit ligjor, ka edhe shkelje të procedurës së tenderimit.” tha Bilall Kasami.

Ai shtoi se në bazë të raportit që do ta merr nga komisioni do të konstatohet se aty ku ka lëshime të rënda ligjore në aspektin formalo-juridik apo në aspektin teknik të realizimit të punëve, do të duhet të bëjnë raport të veçantë për çdo projekt.

“Aty ku nuk do të konstatojmë gabime të rënda dhe ku do mund të përmirësohen në këtë fazë, me urgjencë do të vazhdohet dhe në kohë sa më të shpejtë ato projekte do përmbyllen.” tha Kasami.

Kasami tha se do përfundohen disa rrugë, por i pyetur se a përfshihet këtu edhe bulevardi “Bllagoja Toska”, Kasami u përgjigj kështu:

“Janë projekte të cilat janë nisur në afatin paraprak, pa pasur komisioni raporte dhe analizojë a ka shkelje në atë projekt, nuk mund të përgjigjem në atë drejtim.”

Momentalisht në territorin e Komunës së Tetovës, janë duke u realizuar disa projekte infrastrukturore. Prej të cilave edhe disa rrugë brenda në qytet, të cilat fatkeqësisht ende më shumë e kanë bllokuar komunikacionin dhe qarkullimin në qytet. Ndërkaq, Bilall Kasamilistën e prioriteteve për 100 ditëshin e parë ka paraparë disa pika për sa i përket lehtësimit të komunikacionit. Ndërsa dje filluan të largohen shtyllat sinjalizuese që e ndanin rrugën me shtegun e biçikletave, kështu ky i fundit nuk do të ekzistojë më dhe rruga do të kthehet si ka qenë më parë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button