Deri ku mund të arrijë LSDM në bisedimet për zgjerimin e shumicës, Bytyqi përmend nga 64 në 67 deputetë

LSDM aktualisht ka shumicë me të gjitha forcat progresive, qeveria e re do të jetë më e madhe dhe më stabile se që ishte më parë, do të ketë shumicë parlamentare të qëndrueshme, pa marrë para syshë a janë 64, 65 apo 67 deputetë, e cila do të vazhdojë të qeverisë deri në fund të mandatit dhe më në fund në vendin tonë të kemi zgjedhje parlamentare në katër vite, tha nënkryetari i LSDM-së Fatmir Bytyqi në  “24 analizë” në TV 24.

“Negociatat për rritjen e shumicës vazhdojnë, procesi është i hapur, për të gjithë opozitën, për të gjithë ata që besojnë se në këtë periudhë mund të shfrytëzojmë mundësitë e ofruara nga aspekte të ndryshme, pasi jemi përpara një sërë sfidash dhe të gjithë duhet t’i kapërcejmë së bashku”, theksoi Bytyqi.

Duke folur për dorëheqjen e paralajmëruar dhe aktualisht të “ngrirë” të Zoran Zaevit edhe në pozitën e kryeministrit edhe të liderit të LSDM-së, Bytyqi theksoi se shoqëria nuk duhet të kërkojë, por politikanët janë ata që japin dorëheqje, kurse lidershipi, siç tha ai, e ka mbështetur aktin moral i kryetarit të partisë.

“Bisedojmë për opsione të ndryshme, në këtë moment e rëndësishme është rritja e shumicës parlamentare, momenti i dytë është konsolidimi i partisë, tani është e rëndësishme të fokusohemi në sfidat që do të thonë jetë”, tha Bytyqi.

Ai theksoi se partia funksionon në atë mënyrë që kryetari të zgjidhet në zgjedhje të drejtpërdrejta, gjë që e bën LSDM-në partinë e vetme në rajon ku kryetari zgjidhet me zgjedhje të drejtpërdrejta.

“Dorëheqja e kryetarit nga ana tjetër do të thotë se edhe lidershipi po jep dorëheqje dhe kjo nënkupton marrjen e përgjegjësisë. Nëse publiku ka nevojë ta shohë një akt të tillë moral individualisht me anëtarët e kryesisë, kjo mund të bëhet lehtësisht”, theskoi Bytyqi.

Ai theksoi se ajo që bëri Zaevi në këto pesë vite është shenjë e mjaftueshme e bashkimit, unitetit dhe kohezionit dhe kjo jo vetëm në parti.

Zaev javën e ardhshme pritet të takohet me Afrim Gashin, që sipas njoftimeve mund të rezultojë që Alternativa (e cila ka katër deputetë) t’i bashkohet shumicës qeverisëse, e cila në atë rast do të arrinte 64 deputetë, duke pasur parasysh deklaratat e Kastriot Rexhepit se ai mbetet pjesë e shumicës. Sidoqoftë, Bytyqi theksoi se procesi i negociatave për shumicë më stabile “është i hapur për gjithë opozitën”.

Shumica e deritanishme, në të cilën ka marrë pjesë edhe Besa, ka pasur 62 anëtarë.

Pardje Bytyqi, përsëri, në njërën anë tha se “së shpejti do të kemi ‘Qeverinë Zaev tre’, sërish e udhëhequr nga Zaevi, kurse nga ana tjetër paralajmëroi shkarkimin e gjashtë deri në shtatë ministrave, që mund të nënkuptojë hapjen e procedurës për zgjedhjen e një qeverie të re.

Sipas nenit 94 të Kushtetutës, nëse Kryeministri propozon shkarkimin e më shumë se një të tretës së anëtarëve të Qeverisë nga përbërja fillestare, Kuvendi vendos për zgjedhjen e Qeverisë së re. Nëse kihet para syshë se qeveria aktuale numëron 20 anëtarë, së bashku me Zaevin (12 prej të cilëve janë nga LSDM), shkarkimi i shtatë ministrave do të nxiste procedurën për zgjedhjen e qeverisë së re, me kthimin e mandatit te presidenti Stevo Pendarovski, i cili më pas do t’ia jepte kadidatit të partisë e cila vërteton se ka shumicë parlamentare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button