Nuredin Fetai drejtori i ri i NPK-Tetovë, ende nuk janë zgjedhur udhëheqësit e ndërmarrjeve dhe sektorëve

Në Komunën e Tetovës ende nuk janë emëruar udhëheqësit e sektorëve dhe drejtorive që funksionojnë në kuadër të kësaj komune. Kryetari i komunës tha se për momentin funksionojnë në kushte të jashtëzakonshme. Shumica prej sektorëve dhe ndërmarrjeve funksionojnë me ushtrues detyre të rinj. Dje te “NP” Tetova u emërtua drejtori i ri ndërsa në pikëpyetje është fati i ndërmarrjes së parkingjeve. Për shumë vendime nevojitet formimi i këshillit i cili nuk është formuar ende, mbledhja e parë mbahet sot, shkruan Portalb.mk.

Në kuadër të komunës së Tetovës funksionojnë tetë sektorë dhe tre njësi të tjera, si Njësia Territoriale Kundër Zjarrit, Seksioni për Revizion të Brendshëm dhe Seksioni për Resurse Njerëzore, si dhe tre ndërmarrje publike.

Kryetari i komunës, Bilall Kasami tha se për momentin funksionojnë në kushte të jashtëzakonshme, ku emërimi i udhëheqësve të sektorëve dhe i ndërmarrjeve është një proces që duhet të respektohet në baza ligjore.

“Duhet të shoh a kam plan për punësim dhe për avancim që në bazë të planit të bëhet çdo punësim dhe avancim në administratë. Pra ende jemi në analizë të situatës dhe në moment kur do të kemi bazë ligjore dhe zgjidhje kadrovike do të nis emërimi i kuadrove.” tha Bilall Kasami.

Kasami gjatë periudhës së fushatës zgjedhore në #Debatpërnime premtoi se kur do të bëjë emërimet e sektorëve dhe drejtorive, nga 11 prej tyre premtoi se gjashtë do të udhëhiqen nga gra, ku deri më tani vetëm 3 prej tyre kanë qenë të udhëhequra nga gratë.

I pyetur nga Portalb.mk se a do e mbaj këtë premtim Kasami tha “Do të presim”.

Dje është emërtuar drejtori i ri i NP “Tetova”, në krye të kësaj ndërmarrje tani si drejtor është Nuredin Fetai, ndërkaq paraprakisht Kasami kishte autorizuar Lulzim Shaqirin si ushtrues detyre, kështu duke larguar Ajetali Dervishin nga funksioni i drejtorit.

Te ndërmarrja e transportit publik, momentalisht vazhdon të qëndrojë drejtor Darko Spirovski. Kasami tha se transporti publik është një nga shkeljet eklatante të menaxhmentit të kaluar.

“Ndërmarrja e transportit publik juridikisht është e themeluar, realisht nuk ka asnjë të punësuar dhe gjitha veprimet bëhen në kundërshtim me ligjet, gjithë të punësuarit janë në komunë dhe funksionojnë në kuadër të ndërmarrjes, por nuk dua të jap më shumë detaje sepse pres një raport të detajuar për të cilin do të informoj mediat.” tha Kasami.

Ndërkaq pikëpyetjet më të mëdha janë për ndërmarrjen e parkingjeve. Kasami ka dhënë urdhër që parkingu zonal i qytetit të Tetovës të funksionojë përkohësisht pa pagesë. Ai ka kërkuar nga udhëheqësi i kësaj ndërmarrjeje që të përgatis një raport se si është gjendja e ndërmarrjes dhe pastaj të vendoset si do të vazhdojë mënyra e punës, ndërkaq Kasami tha se si opsion mund të jetë edhe mbyllja e saj.

“Te parkimi zonal ne jemi në analizë të situatës, sigurisht që ka disa opsione të cilat ne jemi duke i analizuar, pres pra në komunikim me drejtorin e ndërmarrjes së parkingjeve që të më ofrojë zgjidhje për situatën aktuale. Një ndër zgjidhjet mbyllja edhe likuidimi i ndërmarrjes. Nuk është vendim, janë disa opsione, një ndër ato mund të jetë edhe kjo.” tha Bilall Kasami.

Ndërsa për punëtoret e punësuar në këtë ndërmarrje Kasami tha se ata mund të transferohen në ndërmarrje tjera. Kjo ndërmarrje ka rreth 60 të punësuar.

Te NP “Parkingu i Qytetit” është ndërruar drejtori, në krye të kësaj ndërmarrje si ushtrues detyre momentalisht është emërtuar Igor Dodevski, ndërkaq deri më tani me këtë ndërmarrje ka udhëhequr Sadat Alili.

Kjo ndërmarrje edhe pse gjeneron të hyra nga pagesat e qytetarëve, vazhdimisht ka punuar në humbje. “Vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, dallimi mes të hyrave dhe të dalave te NP “Parkingu i Qytetit” është 1.363.000 denarë apo mbi 22.000 euro.

Sot në ora 11 është caktuar të mbahet seanca e parë e këshillit komunal, e cila është paralajmëruar të transmetohet online që në seancën e parë. Kasami tha se e kanë siguruar shumicën, por nga çështja e zhvillimeve të fundit që ndodhën në nivel qendror është shtyrë takimi. I pyetur nga Portalb.mk se kush është në këtë shumicë, Kasami tha se kur do të mbahet mbledhja do ta kuptojmë edhe shumicën, apo si do të funksionojë këshilli.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button