Mbi çiklizmin, kosumatorizmin dhe pragmatizmin e pushtetit lokal

Çiklistët nuk janë të përshtatshëm për rregullat dhe pritshmëritë e shoqërisë konsumatore. Ata zakonisht nuk blejnë makina të shtrenjta sepse përjetojnë më shumë kënaqësi me lëvizjen e balancuar të biçikletave të tyre. Lëre që nuk blejnë nga dy ose tre makina për familje, çiklistët rrjedhimisht nuk blejnë as polisa sigurimi për ato makina. Rrjedhimisht, ata nuk kanë nevojë të blejnë rregullisht as benzinë, naftë apo gaz e as të paguajnë vazhdimisht për vende parkimi. Çiklistët janë më të shëndetshëm dhe më të shkathët, prandaj blejnë më pak barëra dhe më pak konsumojnë shërbime shëndetësore. Ata poashtu hanë më pak dhe rrallë ndodh që të jenë mbipeshë. Ata nuk e ndotin ambientin dhe në këtë mënyrë kontribuojnë që edhe të tjerët të jenë më të shëndetshëm. Shoqëria konsumatore nuk i do çiklistët sepse ata nuk janë konsumatorë të mirë. Këmbësorët janë ende më të papërshtatshëm për konsumatorizmin, ata nuk blejnë as biçikleta.

Çiklistët në Tetovë kanë qenë gjithmonë të sfiduar në baza ditore. Për të përdorur biçikletën në këtë qytet duhet të përballesh me rrezikun permanent se mund të shtypesh nga makinat që lëvizin pa kontroll dhe pa rregulla. Njoh shumë njerëz që për këtë arsye nuk ndihen të sigurtë të vozisin biçikleta në këtë qytet duke thenë se nuk ka kushte për këtë. Por ata që e kanë pasion çiklizmin nuk presin për krijimin e kushteve, ata thjesht i ngasin biçikletat e tyre duke u gjindur ashtu siç dinë në trafikun e mbingarkuar.

Kur u vendosën korsitë e biçikletave në Tetovë, qyteti u bë i njohur ndërkombëtarisht, jo për shkak se për herë të parë në këtë qytet u vendosën korsi të tilla por sepse aktivistët qytetarë dhe shoqatat e biçiklistëve u tallën me këto korsi duke thenë se ishin të papërshtatshme për çiklistët. Çuditërisht, ditën kur u hoqën korsitë e biçikletave dhe kur u lejua sërish parkimi i makinave në ato korsi, qyteti nuk u bë sërish i njohur ndërkombëtarisht, edhe pse të heqësh korsi biçikletash në një qytet në shkeullin 21 dhe në kohën kur qasja ekologjike ndaj ndryshimeve klimatike është esenca e çdo agjende ndërkombëtare është jo vetëm tërësisht absurde por edhe skandaloze. Por siç duket ky vendim u shkon për shtat edhe aktivistëve dhe ambientalistëve me sustë të këtij qyteti të cilët nuk panë asgjë kontestuese ne pamundësimin e çiklizmit të rregullt  përkundër faktit që pikërisht çiklizmi shihet si akt i lartë i mbrojtjes së pastërtisë së ambientit jetësor. Noshta edhe atyre u konvenon më shumë vendimi për të mos pasur korsi biçikletash sepse shumica prej tyre ngasin vetë makina duke ndotur kështu çdo ditë ambientin jetësor të cilin pretendojnë se e mbrojnë me shumë pasion.

Mangësitë e korsive të biçikletave në rrugët e qytetit të Tetovës më së miri i dinë vetë çiklistët që i përdornin ato e të cilëve u pengonin kontajnerët e hedhurinave që ua zinin rrugën, u pengonte papastërtia e korsive, copat e qelqit dhe gropat në asfalt që çdo ditë i rrezikonin gomat e biçikletave. Duke ndjekur premtimet parazgjedhore, kur për një çast fillon të besosh se së shprejti do të jetosh në një qytet modern evropian ku të gjitha problemet zgjidhen me shkop magjik, çiklistët e këtij qyteti prisnin që pushteti i ri lokal do ta zgjeronte rrjetin e korsive të biçikletave, do i largonte kontajnerët prej tyre dhe do të krijonte mundësi të reja për të lëvizur në mënyrë ekologjike. Çiklistët madje pritën që në përpjekje për ta zgjidhur problemin jetik të ndotjes së ajrit, pushteti i ri do të caktonte ditë kur vozitja e makinave do të ndalohej dhe qytetarët do të inkurajoheshin të përdorin transportin publik dhe biçikletat. Çiklistët më optimistë prisnin bile që pushteti i ri të inkurajojë çiklizmin duke i subvencionuar qytetarët të ndryshojnë mënyrën e transportit dhe duke krijuar kushte që jo vetëm në qendër, por edhe në rrethinën e qytetit qytetari të mund të zgjedhë të ngasë biçikletën në vend të makinës. Fundja këto gjëra nuk janë trillime të çiklistëve por masa konkrete në qytetet normale evropiane.

Por, një gjë janë pritshmëritë e çiklistëve dhe tjetër gjë është pragmtizmi i pushtetit lokal. Kryetari i ri i komunës u tregua shumë pragmatik në zgjidhjen e këtyre problemeve reale ditore të çiklistëve tetovarë. Në vend të largimit të kontajnerëve, pastrimit të copave të qelqeve dhe sanimit të gropave të korsive të biçikletave që padyshim do të merte shumë energji, ai i largoi vetë korsitë dhe i mbylli të gjitha muhabetet. Sepse nuk mund të ankoheni se duke levizur me biçikletë pengoheni në kontajnerin kundërmues kur në fakt nuk keni as korsi për të vozitur biçikletën. Një udhë e tri punë: s’ka ankesa për korsi biçikletash të papastruara, ka qytetarë të lumtur se mund të parkohen ku të duan, bile ka edhe gjasa për bum të fuqishëm ekonomik. Afaristët e ndryshëm ishin ankuar se konsumatorët nuk mund të parkohen para dyqaneve të tyre dhe të blejnë mallërat e tyre pikërisht për shkak të korsive të biçikletave dhe kishin kërkuar me shumë insistim largimin jo të makinave të parkuara pa leje, por largimin pikërisht të rrugicave të atyre që janë pikërisht në kundërshtim me konsumatorizmin.

Tani të gjithë mund të jetojmë të lumtur në këtë qytet evropian pa korsi biçikletash. Ambientalistët mund të vazhdojnë t’i vozisin makinat e tyre ndotëse dhe të shesin mend për ambientalizëm. Shitësit e dyqaneve mund të jenë të qetë dhe t’i fërkojnë duart sepse në çdo çast pritet një rritje e madhe ekonomike nga e cila ata dukshëm do të pasurohen, tani që i hoqën qafe çiklistët anti-konsumatoristë. Qytetarët e lumtur do të pinë makiato duke i pushuar sytë në vijat e kromuara të makinave të tyre të parkuara mu përpara hundës së tyre, tani që edhe parkimi zonal u pezullua. Sepse asgjë nuk të shijon më shumë se makijatoja e pirë duke shikuar para vetes objektin e çmuar, madhështinë e saj të pakontestuehme, Mercedesin Benz apo BMW-në e shëndritshme.

Ata që e duan çiklizmin do vazhdojnë t’i përdorin biçikletat e tyre, sepse për ta çiklizmi nuk është vetëm sport, është mënyrë e jetesës. Sigurisht, ka shumë dallim kur mund të çiklosh në korsi të veçantë dhe kur detyrohesh të çiklosh duke thithur tymin e makinës dizel para teje. Por çiklistët e dinë më së miri që vetë jeta është si çiklizmi, për ta mbajtur balancin, duhet të vazhdosh të lëvizësh.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button