Në gjendje të krizës energjetike, në RMV vidhet rrymë për gërmimin e kriptovalutave (Infografik)

Derisa Maqedonia e Veriut, ashtu sikur e gjithë bota po përballet me krizë energjetike, gjegjësisht është në gjendje krize me furnizim të energjisë elektrike, në vend, në mënyrë ilegale po gërmohen kriptovaluta duke vjedhur rrymë elektrike. Qytetarët e pandërgjegjshëm, në mënyrë ilegale i kyçin në rrymë makineritë për gërmimin e kriptovalutave të cilat harxhojnë sasi të madhe të rrymës dhe me këtë e rëndojnë situatën e krizës me furnizimin e rrymës.
Sipas statistikave
që kemi siguruar, Bitcoin në mbarë botën, në nivel vjetor harxhon rreth 120 teravat-orë energji elektrike, apo rreth 20 herë më shumë se sa harxhon Maqedonia e Veriut, shkruan Portalb.mk.

Bitcoin ka hyrë në treg në vitin 2009 dhe prej atëherë ka shkaktuar polemika rreth konsumimit të lartë të energjisë elektrike. Ajo është një një prej valutave që dallon prej euros, dollarit apo denarit, pasi që tërësisht është virutale, por megjithatë mund të blihen mallra ose shërbime në internet. Përveç Bitcoinit, ka edhe lloje tjera të valutave si Ethereum, Litecoin, Dogecoin etj. Vlera e 1 Bitcoini, sipas Coinmarketcap, momentalisht është 60.500 dollarë, ndërkaq 1 Ethereum është 4.200 dollarë.

Përdorimi i Bitcoinit, apo kriptovalutave tjera në RMV, nuk është i ndaluar me ligj, por as nuk është i pranuar nga shteti, pra me Bitcoin në RMV nuk mund të paguhen fatura, apo të kryhen transferime financiare. Megjithatë, kripto-valutat shiten në mënyrë joformale dhe ato lehtë mund të gjenden nëpër shpalljet në internet, ku gjithashtu mund të blihen edhe makineri për gërmim.  Çmimet e makinerive, variojnë prej 2.000 deri në 3.000 euro për një makinë gërmimi. Makineri të reja mund të blihen në internet prej jashtë vendit, të njëjtat mesatarisht kushtojnë 5-6 mijë euro.

Problematika me Bitcoinin nuk është përdorimi i saj apo kriptovalutave të tjera, por te krijimi i tyre, pra gërmimi. Për të gërmuar kriptovaluta, apo Bitcoin, përdoren kompjuterë shumë të fuqishëm të cilët harxhojnë sasi të mëdha të energjisë elektrike dhe “gërmuesit”, lidhen ilegalisht në rrjetin e energjisë elektrike, pra e vjedhin rrymën.

Sipas përllogaritjeve që i kanë nxjerrë autoritetet paraprakisht, makineritë për gërmimin e kriptovalutave harxhojnë 20 deri në 30 herë më shumë se sa një amvisëri.

“Ky biznes gjithsesi duhet të rregullohet nga institucionet financiare në vend. Nëse do të ishte i rregulluar, atëherë edhe tarifën do ta rregullonte Komisioni Rregullator i Energjetik, sepse nuk bëhet fjalë për amvisëri. Nuk e dimë se si ky fenomen është i rregulluar në shtete tjera. Por, sinqerisht nuk besojmë se gërmimi i bitcoin bëhet me shfrytëzim të paligjshëm të energjisë elektrike”, thonë për Portalb.mk nga EVN.

Disa ueb-faqe në internet që shesin miniera për gërmimin e kriptovalutave, kanë disa kalkulatorë për të llogaritur harxhimet e rrymës dhe përfitimet nga një makinë për gërmim.

Në “ASIC Miner Value”, ne përllogaritëm se sa harxhon një makinë e gërmimit e tipit “AvalonMiner 1166 Pro”. Përllogaritur në euro, çmimin e 1 kilovat-orë energji elektrike sa kushton në RMV, kjo makineri mund të harxhojë rrymë në muaj rreth 250 euro.

Në bazë të të dhënave që siguron Universiteti i Kembrixhit nga autoritetet shtetërore amerikane, makineria e Bitcoin në vitin 2019-të ka harxhuar 119.7 teravat, apo më shumë se shumë shtete që harxhojnë për nevojat e tyre. Krahasuar me Maqedoninë e Veriut, Bitcoin në këtë vit ka harxhuar rreth 20 herë më shumë.

Sipas Universitetit të Kembrixhit, sasia e harxhuar e energjisë elektrike për prodhimin e Bitcoin do të mjaftonte që për 874 vjet të plotësoheshin të gjitha nevojat e universitetit të tyre. Gjithashtu, mund të plotësonte nevojat për të ngrohur ujin e të gjithë çajnikëve në Britaninë e Madhe për 27 vjet.

The New York Times, ka dhënë disa fakte interesante, krahasuar me energjinë elektrike që harxhon Bitcoin. Sipas tyre Bitcoin harxhon energji elektrike më shumë se 1/3 e kondicionerëve për ftohjen e banesave në SHBA dhe shtatë herë më shumë se sa të gjitha operacionet globale të Google.

Sa vidhet dhe shpenzohet energji elektrike në Maqedoninë e Veriut? 

Vjedhja e rrymës elektrike sipas Kodit Penal të RMV-së dënohet me para dhe burg deri më 3 vjet. Gjatë vitit 2021, janë konstatuar 3 vepra penale (4 kryerës) të vjedhjes së rrymës elektrike, të cilët kanë kyçur pajisje kompjuterike në rrjetin elektrik me qëllim që të gërmojmë kriptovaluta.

Vjedhësit e rrymës elektrike

Megjithatë, vjedhësit e rrymës për qëllime biznesi, gjegjësisht në këtë rast për gërmim të kriptovalutave, përdorin metoda tjera për t’iu shmangur kapjes nga autoritetet. Zakonisht, ata nuk i kyçin minierat nga shtëpitë e tyre, por nga vende tjera që janë më rëndë për t’u identifikuar si për shembull, shtëpi të braktisura, rrjetin e ndriçimit publik e vende tjera.

“Shpeshherë ka raportime nga vetë konsumatorët të cilët kërkojnë shkyçjen e plotë të objekteve të caktuara nga rrjetet e tensionit të ulët, sepse rrezikojnë furnizimin e tyre me energji elektrike. Raportime të tilla mes vetë konsumatorëve janë vërejtur edhe në rrjetet sociale ku vihen në dukje individë dhe kërkohet ndërhyrje nga shërbimet kompetente për të kontrolluar dhe hequr kompjuterët që kryejnë gërmime dhe të cilët dëmtojnë rrjetin distributiv. Kemi lajmërime se gërmuesit e bitcoinave i vendosin kompjuterët e tyre në shtëpi të braktisura të fshatit ku mendojnë se do të jetë më vështirë për t’u zbuluar dhe nuk do të çrregullojnë stabilitetin e furnizimit”, thonë nga EVN.

Të martën u publikua nëpër media, se ekziston dyshimi që në bodrumin e Qendrës Tregtare të Shkupit, ka fermë (sasi të madhe të makinerive) për prodhimin e kriptovalutave. Megjithatë, MPB i demantoi informatat pas inspektimit në terren. Raportime në media, për kapjen e “gërmuesve” të kriptovalutave ka pasur edhe më herët.

Paraprakisht kryetari i Komisionit Rregullator të Energjetikës, Marko Bislimovski konfirmoi se në vend gërmohen ilegalisht kriptovaluta, pra vidhet rrymë për të fituar kriptomonedha.

“Është e saktë, kemi rritje të shpenzimit të rrymës elektrike veçanërisht në disa pjesë të Shkupit dhe aty, përveç që është rritur, kemi edhe marrje të rrymës në mënyrë ilegale. Sipas informatave që kemi nga kompania që e shpërndan rrymën elektrike tanimë ka kapur një numër më të madh të shfrytëzuesve-amvisëri të cilët gërmojnë bitcoin dhe zakonisht kyçen në mënyrë ilegale në ndriçimin publik”, tha Bislimovski.

Nga EVN, thonë se sipas lejeve energjetike, amvisëritë janë të kufizuara në konsum prej 11 kW. Shfrytëzimi i paligjshëm i energjisë elektrike mund të shkaktojë mbingarkesë të trafostacioneve që rezulton në dëmtime serioze dhe madje edhe djegie të vetë transformatorëve, ndërkaq riparimi i këtij lloji dëmtimi nga pikëpamja financiare kushton dhjetëra mijëra euro.

“Është fakt që veçanërisht në rajonin e Shkupit gërmimi i kriptovalutave është rritur. Më shpesh, rrjeti nuk është i projektuar për konsumin e sapokrijuar të energjisë gjatë gërmimit të kriptovalutave dhe individët lidhen në rrjet në mënyrë të paligjshme për të shmangur koston e lartë të biznesit të tyre të ri. Pasojat e shfrytëzimit të paligjshëm të energjisë elektrike për gërmimin e kriptovalutave janë të mëdha dhe të dëmshme si për kompaninë ashtu edhe për konsumatorët, të cilëve ju çrregullohet furnizimi normal”, thonë për Portalb.mk, nga EVN.

Portalb.mk, siguroi të dhëna nga MEPSO në lidhje me atë se sa ka harxhuar Maqedonia e Veriut rrymë elektrike gjatë vitit 2020 dhe sa prej saj është humbur në rrjetin shpërndarës.

Humbja e rrymes

Sipas Çmimores së KRRE-së, 1 kWh të tarifës “Amvisëri NJËTARIFORE”, kushton 5.36 denarë. Sipas kësaj, në rrjetin shpërndarës, kanë humbur 695.473.612 denarë apo mbi 11 milionë euro.

Portalb.mk, ka krijuar infografik, me të dhëna nga Administrata e Informacionit të Energjisë së SHBA-së në lidhje me atë se sa harxhon rrymë elektrike në nivel vjetor, Maqedonia e Veriut.

Sipas asaj që mund të shihet, në 10 vitet e fundit, Maqedonia e Veriut mesatarisht ka harxhuar 6 deri në teravat-orë energji elektrik në vit.

Shpenzimi i rrymës

Ndryshe, më 9 nëntor Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpalli gjendje krize për furnizim me energji elektrike në kohëzgjatje prej 30 ditëve.

Portalb.mk, paraprakisht shkruajti se autoritetet e Maqedonisë së Veriut premtojnë se deri në mbarim të këtij viti nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike, por pas 1 janarit nuk dihet çfarë do të ndodhë, megjithëse premtojnë se do të ndihmojnë në tejkalimin e krizës e cila është e përmasave botërore. Ekspertët nga ana tjetër, vlerësuan se kriza energjetike vetëm se ka filluar të ndjehet, ndërkaq në përkeqësimin e gjendjeve mund të kontribuojnë temperaturat e ulëta të dimrit, kur dhe rritet kërkesa për energji elektrike për ngrohje të amvisërive.

Për shkak krizës energjetike edhe shtetet evropiane kanë filluar të ndërmarrin masa. Spanja ka miratuar masa urgjente për të zvogëluar faturat e energjisë, Greqia do të ofrojë subvencione për shumicën e familjeve deri në fund të vitit, për t’i bërë kostot e energjisë elektrike më të përballueshme, Italia mund të rishikojë mënyrën e llogaritjes së faturave të energjisë elektrike, në Gjermani, çmimet e energjisë janë bërë temë debati në prag të zgjedhjeve të 26 shtatorit, ndërkaq Britania, ka vendosur kufi për tarifat e energjisë më të përdorur qysh në vitin 2019.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button