Për shkronjat dhe vetmitarin e penduar

Studiuesja franceze Natali Klejer [Nathalie Clayer] e përmend ngjarjen që Gjergj Qiriazi ia kishte rrëfyer konsullit austriak në Manastir.

Në raportin e konsullit flitet për hoxhën nga Tetova, i cili kërkonte libra në gjuhën shqipe.

“Në shkurt të vitit 1900, gjatë muajit të Ramazanit, në dyqanin e tij (Gjergj Qiriazit) kishte hyrë një hoxhë që, duke u ruajtur, e kishte pyetur nëse kishte libra në shqip. Ai mori ato që lejoheshin, ungjij, psalme, etj. dhe, meqë kërkonte ndonjë gjë tjetër, iu dha së fundmi me kujdes edhe një abetare – sepse ai mund të ishte një agjent sekret, siç ndodh shpesh tani. Hoxha pyeti nëse mundej që dikush t’i mësonte alfabetin dhe u gëzua kur u ftua të vinte çdo ditë për të mësuar nga pak me vëllain e të zotit të dyqanit. Me një zell djaloshar, ai iu fut punës dhe mësoi kaq mirë, saqë pas disa leksionesh ai mundte të lexonte shqip në mënyrë të mjaftueshme. Shumë shpejt ai zuri miqësi me patriotët lokalë dhe iku nga Manastiri me një pako të vogël librash (për shkak të mungesave), libra që në shumicë ishin fetarë dhe të krishterë.” [Cituar sipas: Nathalie Clayer, Në fillimet e nacionalizmit shqiptar, Përpjekja, Tiranë, 2012, f. 471.]

Gjergj Qiriazi besonte se hoxha do të ndikonte te nxënësit e medresesë së tij që t’i mësonin shkronjat shqipe.

Hoxha quhet Rexhep Voka ose Rexhep Çudi (1847-1917), i cili pas revolucionit xhonturk ngulmoi që librat shqip të shkruheshin me shkronja arabe, kurse përdorimin e këtij alfabeti kështu e përligjte në intervistën për gazetën bullgare “Vesti” të Stambollit: “Duke përdorur shkronjat arabe, ai [shqiptari] do të mund të mësojë më lehtë gjuhën e administratës turke. Në këtë mënyrë, nga njëra anë, ne do të kemi më shumë shqiptarë në administratën e shtetit dhe, nga ana tjetër, do të eliminojmë më lehtë mendimet e këqija që ekzistojnë për ne mes turqve, [kur ata na konsiderojnë] si renegatë të Turqisë”. [Po aty, f. 562.]

Rexhep Voka nuk arriti ta kuptonte realitetin e ri se Perandoria Osmane i kishte ditët e numëruara. Më vonë u pendua për qëndrimin e tij, i cili nxiti protesta në disa qytete shqiptare.

Për pendesën e tij ka shkruar më 1910 edhe revista “Lahut’ e Malsis”, një organ i “Shoqnisë së Djelmunisë Shqiptare” të Manastirit, që shtypej nga “Bashkim i Kombit” dhe drejtohej nga Hristo D. Qiriazi.

“Mësojmë se Rexhep Efendiu qenka penduar fort për këto trazyra që ngjanë për çështjen e abecesë, për të cilat ai është vetë një nga shkaktarët, po tashi që nisi valën e do e heqë do e mos, se s’munt të bëjë ndryshe”, thuhet mes tjerash në artikull. [“Rexhep Efendi, Myftiu i Manastirit”, Lahut’ e Malcisë, nr.2, shkurt 1910, f.14.]

Qasja e tij iluministe është vlerësuar nga studiuesit, por është kritikuar për insistimin që shqipja të shkruhej me shkronja arabe.

Rexhep Voka lindi në Shipkovicë të Tetovës. Sipas studiuesve Feti Mehdiu dhe Muhamed Aruçi, aty e përfundoi shkollimin fillor, kurse shkollimin e mesëm e vazhdoi në Medresenë e Xhamisë së Sahatit në Tetovë dhe në Medresenë e Prizrenit. Më pas studioi në Fatih Dersim, në Stamboll, ku edhe ligjëroi deri në vitin 1895. Në këtë vit u rikthye në vendlindje dhe ligjëroi në medresenë e Tetovës. Në vitin 1903 u emërua Myfti i Manastirit. Pas dorëheqjes nga posti u rikthye në Stamboll. Me gjasë më 1910, ku fillimisht punoi në një librari.

Sipas studiuesve, Rexhep Voka u shpërfill nga pushteti osman, sepse kishte punuar në dobi të nacionalizmit shqiptar. Njëkohësisht u kritikua prej intelektualëve shqiptarë për shkak të qëndrimit ndaj alfabetit.

Në pleqëri mundi të mbijetonte si shitës lulesh nëpër rrugët e Stambollit. Vdiq i vetmuar, i varfër dhe i penduar për shkak të qëndrimit kundër përdorimit të shkronjave shqipe. La pas disa libra ku bënte thirrje që shqiptarët të shkolloheshin në gjuhën e tyre.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button