Anila Aliu, fitoi vendin e parë, interpretoi në një prej sallave më prestigjioze në botë, në Carnegie Hall (VIDEO)

Muret e mbushura me plot çmime dhe certifikata dhe çdonjëra prej tyre ka një histori në vete. Stacioni i saj i vetëm është po kjo kabinë, në të cilën ajo e kalon gjithë ditën. Sot për Portalb flet Anila Aliu, 21-vjeçarja nga Gjilani. Tani ajo  është në vitin e fundit në Akademinë e Arteve në Prishtinë, ku studion pianon. Me muzikë merret që në moshën 7-8-vjeçe dhe që në atë moshë Anila ka marrë pjesë në shumë koncerte, recitale, masterklasa dhe shumë evenimente të ndryshme, jo vetëm në Kosovë, por, në mbarë botën.

Për pianon ajo flet me shumë dashuri. Që nga paraqitja e saj e parë në skenë, ajo e kuptoi se i takon asaj skene dhe atij instrumenti. Veprat e artistëve botëror, skena, publiku, janë disa prej arsyeve që e shtyjnë Anilën ta japë maksimumin e saj dhe të mos heqë dorë nga muzika. Fakti që pas çdo performance ajo mezi priste performancën e radhës para publikut, e bëri të kuptojë se ky është profesioni që do ta ushtrojë gjatë jetës.

Para pak ditësh ajo fitoi çmimin e parë në Garën Ndërkombëtare të Muzikës Klasike në Nju Jork. Anila mori një ftesë për të interpretuar në një prej sallave më prestigjioze në botë, në Carnegie Hall. Aty ajo mori vëmendjen e merituar, ku u ndje si një yll holivudian. Të gjithë i afroheshin Anilës për komplimente, për fotografi dhe për autograf.

“Gjatë periudhës së pandemisë, kur gjithçka u mbyll, vendosa të kërkoj festivale të cilat transferoheshin on-line dhe kështu gjeta garën në Nju Jork. Vendosa të aplikoj, ku dërgova një videon time duke performuar. Pjesëmarrës kishte nga e gjithë bota, të disiplinave të ndryshme. Interpretova vepra të kompozitorëve të ndryshëm. Menjëherë u njoftova se jam kualifikuar për garën e radhës, ku më pas fitova vendin e parë. Tre vendet e para kishin ftesën që të interpretojnë në një prej sallave më prestigjioze në Nju Jork, në Carnegie Hall.” tha Anila Aliu.

This slideshow requires JavaScript.

Mirëpo, kjo nuk është arritja e vetme e Anilës. Ajo ka marrë pjesë në shumë festivale, duke nisur gjithçka në Kosovë. Më pas, kur kuptuan profesorët e saj talentin që ajo ka, e angazhuan edhe në gara dhe festivale në Shqipëri, Maqedoni, Serbi, Kroaci, për të vazhduar pastaj më larg, në Itali, Lituani, Gjermani, Austi, Luksemburg, Francë, Belgjikë, por dhe në Afrikë. Çdo vend ka qenë një eksperiencë e veçantë për Anilën, por kjo e fundit në Nju Jork do të ngelet gjithnjë e preferuara e saj.

“Gjithçka që bëj, e bëj për arsye se e dua pianon me gjithë shpirt, kjo më bën të lumtur. Ambiciet dhe qëllimet e mia janë të mëdha dhe ia kam caktuar vetes që do t’i arrij që kur kam qenë fëmijë. Tërë ky mund, orë të tëra ushtrimesh në piano, të cilët njerëzit nuk i shohin, por, në fund shohin vetëm rezultatin, është shumë i lodhshëm por, unë asnjëherë nuk jam dorëzuar. Do të vazhdoj të punoj deri në atë nivel kur do të jem e kënaqur me veten dhe deri sa ta arrij një nivel ku do të përfaqësoj jo vetëm veten, jo vetëm vendin tim, por, të gjithë shqiptarinë.” u shpreh Anila Aliu.

Mesazhi që ajo përcolli për të gjithë artistët e rinj është që secili nga ne ka brenda vetes një pasion që na dallon nga të tjerët. Gjetja e këtij elementi që kemi brenda vetes, caktimi i qëllimeve,  pastaj puna e madhe do të shpërblehen një ditë. Mos u dorëzoni asnjëherë dhe mos u ankoni që diçka që ju jeni duke e punuar nuk do të vlerësohet. Por, punoni dhe do t’i arrini qëllimet tuaja, e përmbylli Anila.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button