Osmani-Varhei: Negociatat të nisin sa më shpejt që të jetë e mundur

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, gjatë vizitës së tij në Bruksel, ka takuar komisionerin e BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varheji. Në takim u diskutua perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut, marrëdhëniet e mira fqinjësore, nismat dhe pritjet rajonale në periudhën e ardhshme, në pritje të Këshillave të dhjetorit, si mundësi për një hap pozitiv në fazën e ardhshme të procesit tonë eurointegrues, informuan nga Ministria e Punëve të Jashtme për punët e jashtme, transmeton Portalb.mk.

Bashkëbiseduesit iu referuan gjetjeve të Raportit të sivjetmë të Komisionit Evropian (KE), i cili dërgoi sinjal të fortë dhe të qartë se besueshmëria e politikës së zgjerimit mbetet investimi kryesor gjeostrategjik për paqen, stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin ekonomik në mbarë Evropën.

Në takim u rikonfirmuan vlerësimet pozitive të KE-së për vendin për të gjithë parametrat, përfshirë thirrjen e qartë drejtuar shteteve anëtare, që pa vonesë të përmbyllin diskutimet për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare, e cila duhet të mbahet sa më shpejt që të  jetë e mundur.

Gjatë takimit u bisedua edhe për zhvillimet e fundit të brendshme politike në vend, por edhe për përpjekjet për tejkalimin e dallimeve mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, si prioritet për të zhbllokuar rrugën tonë drejt BE-së.

“Qeveria mbetet fuqimisht e përkushtuar ndaj agjendës reformuese dhe integrimit evropian, me impuls dhe proaktivitet shtesë në zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, si një vlerë e shtuar kyçe në zhvillimin e stabilitetit rajonal. Politika e zgjerimit është mjeti më i mirë për nxitjen e reformave komplekse dhe konsolidimit demokratik, kurse fuqia e saj transformuese bazohet në kushtëzimin dhe vlerësimin objektiv të rezultateve në procesin përmes të cilit pasqyrohen vlerat e Bashkimit Evropian”, theksoi Osmani.

Gjatë takimit, Varhayi informoi për përpjekjet e Komisionit Evropian për përtëritjen e vrullit evropian në rajon, por edhe për zbatimin e Planit të Investimeve Ekonomike, i cili përfaqëson mbështetjen e fortë të BE-së për forcimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor, rritjen e bashkëpunimit rajonal dhe rritjen e lidhjeve me BE-në.

Osmani gjatë ditës do të takohet edhe me Andreas Schieder, kryetar i Komisionit të Përbashkët Parlamentar ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, Ilhan Kuçuk, raportues për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian dhe këshilltarët për politikë të jashtme të Presidentit të Këshilli Evropian Charles Michel dhe Presidentes së KE Von der Layen.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button