OSBE-ja po i monitoron 24 raste gjyqësore të korrupsionit të lartë, përfshirë edhe ish lëndët e PSP-së

Misioni i OSBE-së në Shkup vazhdon me monitorimin e proceseve gjyqësore të nivelit të mesëm dhe të lartë të krimit të organizuar dhe korrupsionit, në kuadër të projektit të përbashkët me Bashkimin Evropian “Mbështetja për administrim më efektiv të drejtësisë në rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Maqedoninë e Veriut përmes monitorimit të gjykimeve”, njofton Portalb.mk.

“Monitori ja filluar në korrik të vitit 2021 dhe aktualisht ekipi po monitoron 21 raste (përfshirë edhe ish rastet e Prokurorisë Speciale Publike) në faza të ndryshme gjykimi. Objektivi është monitorimi i 50 rasteve të krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të mesëm dhe të lartë”, thonë nga OSBE-Shkup për Portalb.mk.

Ata informojnë se për monitorimin e rasteve gjyqësore do të publikojnë dy raporte, të cilat do të jenë publike.

“Do të ketë dy raporte publike, njëri në vitin 2022 dhe raporti përfundimtar në fund të projektit, pra në fund të vitit 2023”, shtojnë nga OSBE.

Ndryshe, projekti tre-vjeçar synon përmirësimin e administrimit të drejtësisë dhe uljen e korrupsionit dhe krimit të organizuar, të domosdoshme për përmbushjen e kritereve të anëtarësimit në BE.

Projekti kontribuon në luftën kundër korrupsionit të përhapur dhe sistemik, si dhe krimit të organizuar që janë kërcënime për stabilitetin dhe prosperitetin afatgjatë në mbarë rajonin.

Nëpërmjet këtij projekti do të shqyrtohen praktikat aktuale, do të zbulohen çështjet sistemike dhe do t’iu ofrohen rekomandime dhe gjetje të gjithë subjekteve relevante për veprimet e tyre të mëtejshme që synojnë adresimin e mangësive në administrimin e drejtësisë. Çështjet sistemike do të identifikohen përmes mbledhjes dhe analizës së të dhënave (përfshi analizë të raportimeve të mediave) duke vazhduar me konsultime dhe forum diskutimi me aktorët gjyqësorë dhe shoqërinë civile.

Projekti do të ndihmojë gjykatat, prokuroritë dhe organet e zbatimit të ligjit në rritjen e kapaciteteve të tyre dhe ofrimin e një mundësie për të mësuar nga palët e tjera të interesit, si dhe do të ofrojë njohuri përkatëse për të ndikuar në zhvillimin e politikave për zgjidhjen e çështjeve të identifikuara gjatë projektit. Në planin afatgjatë, pas
përfundimit të projektit, pritet që këto institucione të përfitojnë nga marrja e mbështetjes së synuar përmes ndërtimit të kapaciteteve, përmirësimeve në strukturën institucionale dhe politikëbërjen.

Reformat në gjyqësor janë ndër parimet kryesore të autoriteteve qeveritare, duke e pasur parasysh se Maqedonia e Veriut duhet t’i fillojë bisedimet – a të njëjtat do të ndalohen menjëherë nëse gjyqësori vazhdon me praktikën e vjetër – jo-transparencë, jo-profesionalitet, anshmëri, pabarazi apo ndikim të pushtetarëve në vendimet e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button