LSDM paralajmëron se Buxhetin do ta miratojë me shumicë të shtuar, VMRO-ja thotë është joreal dhe do ta bllokojë me amendamente

Në Komisionin Parlamentar për Financa dhe Buxhet sot duhet të vazhdojë debati për projekt-buxhetin për vitin 2022. Nga LSDM-ja në pushtet thonë se bëhet fjalë për propozim-buxhet që ka për qëllim ruajtjen e shëndetit dhe jetës së qytetarëve, rimëkëmbjen ekonomike dhe rritjen e përshpejtuar dhe njoftuan se bashkë me ligjet e tjera të bllokuara do të miratohet me shumicë të shtuar parlamentare, transmeton Portalb.mk.

“Duke pasur parasysh sfidat me të cilat përballet shteti dhe qytetarët si kriza energjetike, pandemia, vazhdimi i rrugës euroatlantike të vendit, çdo deputet duhet të arsyetojë besimin e fituar në zgjedhje dhe të punojë në interes të qytetarëve. Blloku demokratik përmes një shumice të shtuar dhe stabile parlamentare të udhëhequr nga LSDM në periudhën para nesh do të miratojë Buxhetin dhe ligjet e bllokuara nga opozita”, thonë nga LSDM.

Në anën tjetër, VMRO-DPMNE-ja projektbuxhetin e konsideron joreal dhe jo zhvillues me shumë harxhime joproduktive dhe thotë se do të vijojë ribalanci në tremujorin e parë të vitit 2022, ndërsa paralajmëroi se do të paraqesin mbi 200 amendamente.

Sot do të jetë dita e dytë e debatit në komision për propozim-buxhetin. Sipas afateve, Komisioni për Financa dhe Buxhet mund të debatojë 10 ditë – pesë ditë për debat të përgjithshëm dhe pesë ditë për amendamentet. Për debat plenar, sipas Rregullores së punës janë caktuar pesë ditë. Buxheti duhet të miratohet deri në fund të vitit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button