Maqedonia e Veriut prej sot do të jetë e integruar plotësisht ushtarakisht në NATO

Me nënshkrimin e deklaratës së përbashkët me NATO-n sot do të përfundojë zyrtarisht procesi i integrimit ushtarak të Republikës së Maqedonisë së Veriut në strukturat komanduese dhe në strukturën e forcave të Aleancës, transmeton Portalb.mk.

Për këtë qëllim, mëngjesin e sotëm në vend arriti komandanti i Komandës së Lartë Aleate për Transformim të NATO-s, gjenerali Philip Lavigne, i cili në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm do të takohet me ministren e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral-nënkolonelin Vasko Gjurçinovski.

Temë e bisedimeve zyrtare, siç thuhet në deklaratën e ShP-së dhe MM-së, përveç përfundimit të procesit të integrimit ushtarak në strukturat e NATO-s, do të jenë edhe aktivitetet në procesin e transformimit dhe modernizimit të Ushtrisë në përmbushjen e objektivave të NATO-s të aftësive dhe njohjeve me aktivitetet stërvitore të ushtrisë në periudhën e ardhshme.

Pas takimeve në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm, gjenerali Philip Lavigne do të zhvillojë takim me kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, pas së cilës do të pritet nga presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe shefi i forcave të armatosura, Stevo Pendarovski, ku do të mbahet ceremonia e nënshkrimit të deklaratës së përbashkët për integrimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në strukturat e NATO-s.

Në ceremoni, pas fjalimeve të presidentit Stevo Pendarovski, ministres Radmila Shekerinska dhe gjeneralëve Filip Lavigne dhe Vasko Gjurçinovski, do të pasojë nënshkrimi i deklaratës së përbashkët nga gjeneralët Lavinj dhe Gjurçinovski, me të cilën edhe zyrtarisht RMV-ja do të jetë plotësisht ushtarakisht e integruar në Aleancën e NATO-s.

Përfundimi i procesit të integrimit ushtarak në NATO është dëshmi e përkushtimit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut në përmbushjen e qëllimeve të dhëna që ndodhin përmes proceseve transformuese në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ushtri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button