Zgjedhjet lokale pas dorëheqjes së Zaevit shkaktuan krizë politike

Fitorja e BDI-së në 11 komuna po zbehet për faktin se BDI-ja nuk arriti të fitojë në Tetovë dhe Gostivar, që janë dy qytete të rëndësishme politike për shqiptarët. Opozita shqiptare nuk mund të jetë aspak e kënaqur me votat e fituara në zgjedhjet lokale. Surprizën e këtyre zgjedhjeve lokale e dhuroi Lëvizja BESA, e cila fitoi 25 mijë vota, raporton ResPublica.

Zgjedhjet lokale kanë përfunduar! Ndryshe nga blloku politik maqedonas, në të cilin tabloja është e qartë dhe e padyshimtë, në bllokun shqiptar nuk është e mundur të përcaktohet me saktësi fituesi dhe humbësi i këtyre zgjedhjeve.

BDI-ja fitoi, por humbi Tetovën dhe Gostivarin

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) është fitues në këto zgjedhje për nga numri i votave. Në zgjedhjet lokale, BDI-ja me 105 mijë vota të fituara, mbajti numrin identik të votave të fituara në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2020.

Por nëse rezultati i zgjedhjeve lokale të këtij viti krahasohet me rezultatet e zgjedhjeve lokale të vitit 2017, BDI-ja ka një rritje prej 15 mijë vota, sepse atëherë BDI-ja kishte fituar 90 mijë vota.

Me këtë rezultat BDI-ja fitoi në 11 komuna! Ajo fitoi në raundin e dytë në shtatë komuna: Haraçinë, Çair, Strugë, Kërçovë, Bogovinë, Tearcë dhe Dollneni, kurse në raundin e parë fitoi në tri komuna: Saraj, Likovë dhe Pllasnicë. BDI-ja fitoi edhe zgjedhjet lokale në Dibër, të cilat u mbajtën më 14 nëntor 2021 për faktin se gjatë përsëritjes së votimit në një vendvotim më 31 tetor, asnjë kandidat nuk arriti të fitojë 50 për qind të votuesve.

Por fitorja e BDI-së po zbehet për faktin se BDI-ja nuk arriti të fitojë në Tetovë dhe Gostivar, që janë dy qytete të rëndësishme politike për shqiptarët. Pikërisht në to, si pjesë e njësisë zgjedhore 6, janë përqendruar votat e shqiptarëve, nga ku zgjidhen numri më i madh i deputetëve nga radhët e partive etnike shqiptare.

Rëndësia e këtyre dy qyteteve tregohet nga fakti se Partia për Prosperitet Demokratik pësoi rënien e saj politike menjëherë pas humbjes së zgjedhjeve lokale të vitit 1996. Zgjedhjet në atë kohë i fitoi Partia Demokratike e Shqiptarëve, e udhëhequr nga Arben Xhaferi. Kryetar i Komunës së Tetovës u bë Alajdin Demiri, ndërsa i Gostivarit Rufi Osmani. Pas këtyre zgjedhjeve PDSH-ja shënoi rritje të madhe dhe pas zgjedhjeve të vitit 1998 u bë pjesë e qeverisë së Lupço Georgievskit.

BDI-ja po përpiqet të amortizojë humbjen e këtyre zgjedhjeve në dy qytete duke simuluar votat e fituara të shndërruara në rezultate për deputetë. Zëvendëskryeministri i BDI-së, Artan Grubi, ka postuar këtë simulim, në profilin e tij personal në Facebook, sipas të cilit partia e tij do të fitonte 18 deputetë, Aleanca e Shqiptarëve dhe Alternativa 8, Lëvizja BESA do të fitonte 3 deputetë dhe Partia Demokratike e Shqiptarëve nuk do të fitonte asnjë deputet.

Opozita shqiptare me rezultat të pakënaqshëm

Opozita shqiptare nuk mund të jetë aspak e kënaqur me votat e fituara në zgjedhjet lokale. Në raundin e parë të listave të këshilltarëve, koalicioni i përbërë nga Aleanca e Shqiptarëve dhe Alternativa fitoi 56 mijë vota dhe në zgjedhjet vendore të vitit 2017, kur Aleanca nuk ishte në koalicion me Alternativën, fitoi 49 mijë vota. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, ky koalicion fitoi 81 mijë ose 12 deputetë kundrejt 15 sosh, aq sa fitoi BDI-ja.

Edhe pse ky rezultat nuk është i kënaqshëm për opozitën shqiptare, Aleanca e Shqiptarëve arsyeton se partia e Ahmetit ka shfrytëzuar të gjitha resurset shtetërore në dispozicion në funksion të interesave elektorale të partisë. Sekretari i përgjithshëm i Aleancës dhe kryetar i sapozgjedhur i Gostivarit, Arben Taravari në emisionin debatues në TV 21 “Click Plus”, madje ka akuzuar se në shtëpinë e tij kanë shkuar persona të armatosur nga BDI-ja, e nuk ka pasur ku t’i denoncojë, sepse stacioni policor në Gostivar ishte shndërruar në një shtab partiak të BDI-së. Taravari fajësoi jo vetëm BDI-në, por edhe BFI-në, të cilës i hodhi akuza të rënda. Ai ka akuzuar se reisi Shaqir Fetahu ka punuar për BDI-në dhe ka kërkuar vota për ta. “Ai ka keqpërdorur pozitën e reisit dhe në emër të Zotit ka kërkuar të votojë për BDI-në. Ai duhej të qëndronte i paanshëm. Ai “shkrihet” kur takon Ahmetin. Më në fund i mundëm të gjithë së bashku në Gostivar”, tha Taravari.

Nga rezultati i zgjedhjeve lokale koalicioni i Ziadin Selës dhe Afrim Gashit fitoi Gostivarin dhe komunën e Vrapçishtit, ndërsa në Dibër në raundin e parë të zgjedhjeve lokale ishte në epërsi dhe për një numër të vogël votash nuk arriti të zgjedh kardiologun e njohur Bekim Pocesta.

Por përkundër këtij rezultati, kreu i Aleancës së Shqiptarëve, Zijadin Sela, nuk po mendon të japë dorëheqje. Në një intervistë për “Rruga drejt” në televizionin ALSAT ai tha se mbetet në postin e kreut të Aleancës dhe do të ishte i lumtur nëse strukturat e partisë kërkojnë dorëheqjen e tij.

Partneri i Aleancës, partia Alternativa, luftoi për kryetar komune në Komunën e Çairit, por kandidati i partisë, Bekim Sali, humbi nga kryetari aktual Visar Ganiu me 2000 vota diferencë. Për këtë parti në këtë periudhë është spekuluar shumë se mund të jetë pjesë e koalicionit qeveritar dhe me këtë të rrisë shumicën parlamentare të udhëhequr nga LSDM-ja, pas dorëheqjes së kryeministrit Zaev. Kreu i kësaj partie, Afrim Gashi, thotë se pyetja është e lehtë, por përgjigja është shumë e vështirë.

BESA na befasoi, fitoi Tetovën 

Surprizën e këtyre zgjedhjeve lokale e dhuroi Lëvizja BESA, e cila fitoi 25 mijë vota. Kjo parti fitoi numrin më të madh të votave në Tetovë, ku fitoi postin e kryetarit të komunës dhe me këtë e “pensionoi” parakohe politikisht Teuta Arifin, nënkryetare e BDI-së dhe kryetare e këtij qyteti në dy mandatet e kaluara. Por BESA e fitoi Tetovën me mbështetjen e disa votave të Aleancës së Shqiptarëve dhe Alternativës, kurse partia e Kasamit nga ana e saj mbështeti Taravarin në Gostivar.

Përveç Tetovës, BESA fitoi edhe komunën e Zhelinës dhe me këtë rezultat tregoi se ka të ardhme në skenën politike në vend! Në rezultatin e kësaj partie nuk ka ndikuar aspak fakti se në zgjedhjet e fundit parlamentare kjo parti ishte në koalicionin “Ne mundemi” me LSDM-në.

Kjo parti do të vendoset si subjekt i tretë politik, duke qenë se skena politike shqiptare është e pushtuar nga BDI-ja në njërën anë dhe Aleanca e Shqiptarëve dhe Alternativa në anën tjetër.

Pozicionimi i partive politike pas zgjedhjeve lokale

Pas zgjedhjeve lokale të mbajtura më 17 dhe 31 tetor, BDI-ja do të vazhdojë të prezantohet si parti fituese, por qëndrimi i saj në masë të madhe do të varet nga mënyra se si do të vazhdojë koalicioni qeveritar pas dorëheqjes së Zaevit dhe shtyrjes së dorëheqjes. Kjo parti dëshiron ta forcojë partinë e saj politike duke vazhduar në koalicionin qeveritar me LSDM-në, edhe pse do të ketë një kryeministër të ri për të formuar qeverinë e re politike. Duke gjykuar nga shifrat e kësaj partie, zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë të përshtatshme. Por ajo beson se zgjedhjet e parakohshme nuk janë të nevojshme, ndoshta për faktin se dy blloqe politike tashmë po profilizohen në baza etnike dhe VMRO-DPMNE-ja fituese nuk e sheh BDI-në si partner të ardhshëm të koalicionit qeveritar.

Opozita shqiptare do të vazhdojë të etablohet në skenën politike, por fillimisht do të angazhohet në një shumicë të re parlamentare dhe më pas në zgjedhje të parakohshme, sepse mendon se zgjedhjet me BDI-në në pushtet janë të pakuptimta. Partneri i partisë në zgjedhjet lokale, VMRO – DPMNE, kërkoi zgjedhje të menjëhershme të parakohshme, por të premten (4 nëntor 2021), së bashku me opozitën shqiptare, partia BESA e Bilall Kasamit dhe e majta e Dimitar Apasiev shpallën shumicën e re parlamentare. Kjo mazhorancë ka dështuar të votojë mosbesimin e qeverisë sepse deputeti i BESA-s, Kastriot Rexhepi nuk është paraqitur në Kuvend ditën e votimit dhe kështu nisma e opozitës si hap drejt formimit të qeverisë së re dështoi. Tani VMRO-DPMNE-ja kërkon zgjedhje të shpejta të parakohshme parlamentare. Opozita shqiptare beson se qytetarët duhet të jenë më të lirë në zgjedhje, sa herë që ato të ndodhin, sepse në zgjedhjet lokale, sipas kreut të Aleancës, Ziadin Sela, qeveria i ka frikësuar qytetarët.

Por ky koalicion nuk shfaq unitet para opinionit, sidomos pas spekulimeve se një nga partnerët e opozitës shqiptare, partia Alternativa, është në bisedime për t’iu bashkuar qeverisë për të rritur shumicën parlamentare, pas shtyrjes së dorëheqjes së kryeministrit Zaev.

Pozita e BESA-s në pushtet dhe bashkimi i saj në “koalicionin” e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, tronditi vendimin e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për përsëritje të votimit në komunën e Zhelinës, i cili mund të ndryshojë kryesimin e kësaj komune. Pas këtij vendimi të KSHZ-së, ministri i Bujqësisë, Arianit Hoxha, përmes profilit të tij në Facebook, ka dërguar një mesazh politik. “Zhelina, në të cilën ka lindur një parti (lëvizja BESA), mund të jetë edhe Zhelina që mund të rrëzojë një qeveri”, ka shkruar Hoxha.

Sigurisht që zgjedhjet lokale prodhuan një rezultat të përgjithshëm që padyshim ka shkaktuar një krizë politike, por gjithashtu të shkaktojë edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Shkruan: Sefer Tahiri

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button