Kurti: Rezultat jo i mirë për Vetëvendosjen

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se rezultati i partisë së tij në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale “nuk është i kënaqshëm”, shkruan REL, transmeton Portalb.mk.

Ky rezultat, tha Kurti, është pasojë e “disa defekteve të brendshme” që duhen analizuar, por edhe i “bashkimit të të gjithë të tjerëve kundër Lëvizjes Vetëvendosje”.

Kurti i bëri komentet në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.

Sipas analistëve, rezultati i zgjedhjeve të fundit lokale në Kosovë reflekton frymën e ndëshkimit të partive përmes votës së qytetarëve.

“Humbja e këtyre të dyjave [Prishtinës dhe Prizrenit] është disfatë jo vetëm në aspektin strategjik, por edhe për faktin që këto dy komuna janë ato, me të cilat Lëvizja Vetëvendosje ka qeverisur”, tha Donika Emini, drejtore ekzekutive në platformën CiviKos.

“Do të thotë, në Prishtinë ka qenë për një mandat e gjysmë, ndërkaq në Prizren ka qenë për dy mandate. Kështu që në këto të dyja tregon se, edhe pse ka pasur ndryshim të qeverisjes lokale, ka pasur një humbje të shpresës së qytetarëve dhe kthim të rezultatit – gjë që tregon një disfatë të Vetëvendosjes dhe një mungesë të kapacitetit që të ketë rrëfim suksesi në nivel lokal”, tha Emini.

Kurti u zotua se do të bashkëpunojë me të gjithë kryetarët e rinj të komunave.

“Do të kenë shumë beteja dhe punë në përballje me krimin dhe korrupsionin”, tha ai.

Ndryshe, dje në Kosovë u zhvillua rrethi i dytë i zjgjedhjeve lokale në pothuajse dy të tretat e vendit. Në 21 komuna u votua për postet e kryetarëve, ndërsa 17 të tjera zgjodhën kryetarët e tyre në raundin e parë, që u mbajt më 17 tetor. Sipas rezultateve, Partia Demokratike e Kosovës është partia shqiptare e cila ka fituar më së shumti komuna në zgjedhjet lokale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button