U paraqit Kastriot Rexhepi: Nuk erdha në seancë pasi do të isha shënjestër e sulmeve verbale dhe fizike, jam ende pjesë e Besës

Katër ditë pas “zhdukjes” së tij dhe pas dështimit të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, paraditen e sotme në Kuvend ka dalë deputeti Kastriot Rexhepi, i cili deri pak kohë më parë mbronte ngjyrat e Besës në parlament, transmeton Portalb.mk.

Konferenca për media e paralajmëruar nga Rexhepi të premten filloi sot me njëzet minuta vonesë, pasi deputeti, siç tha, në fillim ishte në seancën e Komisionit për Financa dhe Buxhet, ku sot fillon debati për buxhetin e vitit 2022.

“Jam i qetë, me ndërgjegje të pastër. Nuk ka nder më të madh të drejtosh vendin tënd në rrugën e lirisë, demokracisë, të NATO-s dhe BE-së. Vullnetarisht jam strehuar në ditën e seancës së besimit në Qeveri për të mos lejuar që vendi të shkojë në një drejtim që është në kundërshtim me përkushtimin tim ideologjik”, tha Rexhepi para gazetarëve.

Rexhepi tha se, nuk është përjashtuar nga partia dhe se me vetëdëshirë është larguar në lokacion të panjohur të enjten, kur duhej të votohej për mosbesim të Qeverisë dhe jo se dikush e ka kidnapuar.

“Desha të enjten të vijë në seancë, të marrë fjalë dhe të votojë kundër rrëzimit të Qeverisë. Por, duke pasur parasysh atë që deputetët e shumicës nga LSDM dhe BDI thanë se nuk do të marrin pjesë, do të isha i vetëm në atë anë të sallës parlamentare. Do të isha vetëm në atë eufori. Vlerësova se do të jem në shënjestër të sulmeve verbale dhe fizike në ato momente, që sipas përvojës time, çdoherë kanë ditur të jenë tensionuese. Sa i përket kërcënimeve konkrete, unë kërkoj falje që jam distancuar në atë mënyrë dhe qëi kisha të fikur celularët. Kam marrë porosi, vlerësimi ishte se duhet të mirrja edhe sigurim fizik”, tha deputeti Rexhepi.

Ai tha se ka marrë porosi me kërcënime me jetë dhe i ka paraqitur në polici.

“Pse nënshkrova dhe nuk votova? Unë nuk mund të votoj kundër një ardhmërie të pasigurte. Nënshkrova kur Zaev dha dorëheqje, kur nuk dihej se kush do ta udhëheqë qeverinë. Nuk e dinim kur do të vinte iks mandatari. Kthesë ishte momenti me Zhelinën dhe ne filluam të merrnim sinjale, nga Makron nga Rutte për Maqedoninë dhe Shqipërisë. Zaev prolongoi dorëheqjen, Zhelina nuk shkoi në rivotim, unë vendos se si Kastriot Rexhepi, nuk mund t’i gjykojë Maqedonisë tani kur kemi sinjale aq të qarta. Vlerësoj se duhet të kemi durim deri më 14 dhjetor”, tha ai.

Sipas tij, ai është ende deputet dhe nënkryetar i Lëvijzes Besa dhe derisa nuk ndryshon statusi i tij, do të veprojë në atë mënyrë dhe për atë nuk do të kalojë në parti të tjera.

“Me deklaratë apo status në Facebook, as nuk hyhet, as nuk dilet nga Qeveria. Organet e partisë kur do të vendosin, atëherë partia del nga koalicioni. Nëse vendos Këshilli Qendror, do të mendoj. Me që ajo nuk ka ndodhur, Besa është ende në Qeveri”, vlerëson Rexhepi.

Përndryshe, deputeti Rexhepi të enjten nuk u paraqit në seancën kuvendore për votëbesimin e Qeverisë dhe me këtë i prishi numrat e shumicës së paralajmëruar prej opozitës dhe dështoi votimi i votëbesimit.

Ai nëpërmjet Facebookut njoftoi se nuk do të merr pjesë në seancë, për procesit dhe sinjaleve tw forta nga partnerët strategjik SHBA dhe shtetet e BE-së që i janë komunikuar nga përfaqësues të lartë diplomatik, se në muajin dhjetor vendi ka gjasa të mëdha të marrë datë për fillim e bisedimeve për anëtarësim në BE.

Pavarësisht deklarimit të tij, kryetarët e partive të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski dhe Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela dyshuan se ndoshta Rexhepi është ndaluar në mënyrë të pavullnetshme të vijë në seancë dhe nuk do t’i besojnë një statusi në FB, derisa Rexhepi nuk del me figurë dhe zë.

Për këtë, sipas informatave të Portalb.mk, Kasami e ka paraqitur në Polici si të zhdukur të premten në ora 17:10. Dyshimet për rrëmbimin e tij, vazhduan edhe pse, Rexhepi u paraqit me video-porosi se është shëndosh dhe mirë dhe s’ka nevojë askush të shqetësohet për shëndetin e tij.

Por të premten, Kastriot Rexhepi është paraqitur vullnetarisht në Stacionin Policor në Bit Pazar të Shkupit.

MPB, për Portalb.mk, njoftoi se Rexhepi ka dhënë deklaratë se paraqitja e djeshme për zhdukjen e tij është e pavërtetë.

“Ai ka deklaruar se asnjëherë nuk është zhdukur por vullnetarisht, pa asnjë trysni, me familjen e tij ka shkuar te një mik që të mbrohet nga publiciteti lidhur me seancën kuvendore”, theksuan për Portalb.mk nga MPB.

Pas kësaj, kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, tha se e ka përjashtuar deputetin e kësaj partie, Kastriot Rexhepin, nga strukturat e partisë

“Lëvizja BESA, respektivisht unë si Kryetar partie, konform normave statutore përkatësisht nenit 14 paragrafit 3 pika 3.3 të Statutit të Lëvizjes BESA, anëtarin e lartëpërmendur (v.j. Kastriot Rexhepi) e përjashtoj nga të gjitha pozicionet partiake dhe të qenurit anëtar i Lëvizjes BESA.”, deklaroi Kasami, duke sqaruar që ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

Ndërkohë, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, nga ana tjetër, fillimisht Rexhepin e krahasoi me deputetin e ndjerë Amdi Bajram, e më pas VMRO-DPMNE në të gjitha ditët në vijim doli me pretendime se Rexhepi ishte kidnapuar, edhe pse në ndërkohë ishte paraqitur vetë në polici, ku ka deklaruar se nuk ka munguar, por ka qenë me miqtë dhe familjarët për të shmangur publicitetin e seancës parlamentare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button