ANALIZË: 2021 – vit i “cunamit” të çmimeve që do ta përfshijë edhe vitin e ardhshëm! (Infografik)

Produktet ushqimore bazë më të shtrenjta, e po ashtu edhe metalet, karburantet – çmimet po rriten me një ritëm më të shpejtë se parashikimi, dhe vlerësimet e fundit tregojnë se cunami i çmimeve do të vazhdojë edhe në vitin 2022. Sipas parashikimeve të fundit të rishikuara të BPRMV-së, inflacioni këtë vit do të arrijë në 3,1%. Ndërkohë – të gjitha të dhënat matin rritje të çmimeve për konsumatorët e fundit përmes rritjes së çmimeve të shitjes së prodhuesve, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Pothuajse në të gjitha industritë – rritje e çmimeve të shitjes së produkteve… 

Në shtator, çmimet e shitjes së prodhuesve nga industria janë rritur për 13.8% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Kjo rritje tashmë është reflektuar në jetën e përditshme të qytetarëve – shpenzimet e jetesës në tetor krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar janë rritur për 4,1%.

Pothuajse në të gjitha industritë ka rritje të çmimeve të shitjes së prodhuesve – kryesisht në sektorin e energjisë. Kështu çmimet e shitjes së industrisë me energji elektrike, gaz, ajër të kondicionuar u rritën për 24,5%.

Çmimet e shitjes u rritën ndjeshëm në industrinë ushqimore për 5,3%, prodhimi i lëkurës për 4,8%, prodhimi i produkteve kimike për 10,4%. Ka një rritje dramatike të çmimeve të shitjes për 55,2% në industrinë e prodhimit të metaleve, kurse në vazhdën e krizës energjetike, çmimet e shitjes në sektorin e minierave të qymyrit dhe linjitit janë rritur për 13,8%.

Këta tregues në industri tashmë janë reflektuar edhe te konsumatorët përfundimtarë – gjegjësisht janë përfshirë në produktet përfundimtare. Në tetor të këtij viti, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar – shpenzimet e jetesës për transport janë rritur për 18,4%, për ushqime dhe pije joalkoolike për 4,6%, për vajra dhe yndyra 24,9%, për karburante 31,9%, për gaz 33,3%. Sipas statistikave zyrtare – ka rritje të shpenzimeve për pothuajse gjithçka që do të thotë jetesë “bazë” – te buka, vaji i gatimit, perimet, benzina, gazi, transporti.

Rritje të çmimeve do të ketë edhe në fillim të vitit 2022… 

Viti 2021 përfundon me një cunami çmimesh – autoritetet pretendojnë se situata po monitorohet dhe se inflacioni është ende i moderuar. Në parashikimin e fundit të rishikuar, BPRMV-ja e rriti inflacionin në 3,1% për këtë vit, ndërsa pret një ulje prej 2,4% për vitin e ardhshëm.

“Rreziqet e inflacionit lidhen kryesisht me pasigurinë për çmimet botërore të mallrave primare, veçanërisht të energjisë, si dhe me ndërprerjen afatgjatë të zinxhirëve të furnizimit global që e kufizojnë ofertën e mallrave, gjë që tregon nevojën për një monitorim vigjilent” – theksojnë nga BPRMV-ja.

Guvernatorja Anita Bezhoska njoftoi se nuk do të merren masa të menjëhershme, sepse stabiliteti i çmimeve “mbrohet” me nivelin më të lartë historik të rezervave devizore prej 3,6 miliardë euro. Megjithatë – analizat tregojnë se trendi i rritjes së çmimeve të këtij viti do të vazhdojë edhe në vitin 2022.

“Aktualisht për këtë vit pritet rritje dukshëm më e lartë e çmimeve të ushqimeve, ndërsa për vitin e ardhshëm pritet rritje e moderuar, në vend të rënies së vogël të çmimit të grurit dhe rënies pak më të vogël të çmimit të misrit. Çmimet e metaleve për vitin 2022 parashikohen të rriten, pavarësisht rënies së vogël të pritur më parë. Edhe më tej pritet rritje e konsiderueshme e çmimit të naftës në vitin 2021, por më e madhe se sa ishte parashikuar në prill dhe një rritje e vogël, në vend të rënies, në vitin 2022. Rishikimi me një trend rritës është reflektim i rritjes së kërkesës globale, në kushte të ofertës së zvogëluar” – thuhet në Raportin e fundit tremujor të BPRMV-së.

Portalb.mk ka analizuar në vazhdimësi se këtë vit do të përballemi me rritje të çmimeve që ndikojnë në “uljen” e standardit të jetesës, duke cituar deklarata të ekspertëve, por edhe të importuesve, të cilët paralajmërojnë se që nga vera po përballen me çmime dukshëm më të larta për produktet e importuara, për lëndët e para për prodhim, të karburanteve – gjë që shkaktoi rritje të çmimeve përfundimtare për konsumatorët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button