Shkup, filloi manifestimi tradicional “Ditët e Alfabetit”2021

Sot në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup (ITShKSh), filloi edicioni i tretë i manifestimit tradicional kulturor–shkencor “Ditët e Alfabetit”, me temën qendrore: “Gjuha, letërsia, kultura dhe tradita arbëreshe”, transmeton Portalb.mk.

Në hapje të manifestimit, drejtori i ITShKSh-së Skender Asani, tha se neve si studiues na takon të hedhim më shumë dritë mbi specifikat e mbijetesës arbëreshe nëpër shekuj.

“Na takon të zbërthejmë edhe më tepër vitalitetin e arbëreshëve, të cilët për më shumë se gjashtë shekuj e ruajtën identitetin e tyre nëpërmjet përdorimit të gjuhës shqipe, traditave, zakoneve, kulturës e mënyrës së jetesës, besimit e riteve fetare.” tha Asani.

Fillimin e këtij manifestimi e përshëndeti zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së RMV-së dhe ministër i Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi. Ai tha se përmes këtyre manifestimeve që kanë vënë vulë në krijimin e identitetit shqiptar, ITShKSh në përpikshmëri po e përmbushë misionin për të cilin është themeluar në frymën e Marrëveshje së Ohrit.

Më pas, fjalën e morën rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike në Tiranë, Luan Përzhita, dhe drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Hysen Matoshi, me të cilët ITShKSh kultivon raporte të ngrohta bashkëpunimi në kuadër të trekëndësisht albanologjik Tiranë – Prishtinë – Shkup.

Fjalë rasti në hapje të këtij manifestimi patën edhe drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës Shqipe, Ylber Sela dhe drejtori i Agjencisë së Arkikave të Kosovës, Bedri Zyberaj.

Kryeredaktori i edicionit “Ditët e Alfabetit – II”, Sevdail Demiri, promovoi  përmbledhjen e botuar me materialet e edicionit të dytë të këtij manifestimi, i cili vitin e kaluar iu kushtua iluministeve shqiptare.

Ndërsa në fund, soprano Besiana Mehmeti, e shoqëruar në piano nga Shkëlzen Baftjari, interpretoi këngën më të moçme shqiptare “Moj e bukura More”, e cila rrënjët i ka thellë në gjenezën arbëreshe.

Në “Ditët e Alfabetit -2021” në vijim do të ketë aktivitete të njëpasnjëshme deri më 22 nëntor, me ç’rast nga studiues të ndryshëm do të shtjellohen temat: “Letërsia arbëreshe në rrjedhë të shekujve”, “Gjuha arbëreshe, dëshmia kryesore e mbijetimit”, “Françesko Altimari studiues i gjuhës dhe i letërsisë arbëreshe”, “Matteo Mandala studiues i letërsisë dhe i filologjisë arbëreshe”, “Anton Nikë Berisha studiues i letërsisë së arbëreshëve të Italisë”, “Muzika arbëreshe”, dhe surpriza tjera.

“Ditët e Alfabetit -2021”
“Ditët e Alfabetit -2021”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button