Zgjedhjet lokale në Kosovë, kush fitoi e kush humbi (Infografik)

Në Kosovë u zhvillua rrethi i dytë i zjgjedhjeve lokale në pothuajse dy të tretat e vendit. Në 21 komuna u votua për postet e kryetarëve, ndërsa 17 të tjera zgjodhën kryetarët e tyre në raundin e parë, që u mbajt më 17 tetor, njofton Portalb.mk.

Sipas rezultateve të deritanishme, Partia Demokratike e Kosovës është partia shqiptare e cila ka fituar më së shumti komuna në zgjedhjet lokale. Në infografikun e mëposhtëm të pregatitur nga Radio Evropa e Lirë mund të shihen se cila parti cilat komuna i fitoi.

Infografik nga REL
Infografik nga REL

Klikoni këtu për të parë rezultatet nga KQZ.

Më poshtë janë të gjitha lajmet për procesin zgjedhor gjatë ditës së votimit në Kosovë, të rradhitura në mënyrë kronologjike. Burimi i informacioneve të mëposhtme është Radio Evropa e Lirë.

23:00 KQZ shpall rezultatet preliminare

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet preliminare për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë që u mbajtën më 14 nëntor.

Sipas rezultateve preliminare Lëvizja Vetëvendosje ka fituar në Komunën e Kamenicës me kandidatin Kadri Rahimaj, në Podujevë me Shpejtim Bulliqin, në Shtime me Qemajl Aliun dhe në Gjilan me Alban Hysenin.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar në Prishtinë me Përparim Ramën, në Istog me Ilir Feratin, në Fushë Kosovë me kandidatin Burim Berisha, në Junik me Ruzhdi Shehun dhe në Viti me Sokol Halitin.

Partia Demokratike e Kosovës fitoi Komunën e Prizrenit me kandidatin Shaqir Totaj, Gllogocin me Ramiz Lladrovcin, Dragashin me Shaban Shabanin, Kaçanikun me Besim Ilazin dhe Vushtrrinë me Ferit Idrizin.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës fitoi udhëheqësin në Gjakovë me Ardian Gjinin, Klinën me Zenun Elezajn dhe Rahovecin me Smajl Latifin.

Ndërkaq Nisma Social Demokrate arriti fitore në Malishevë me Ekrem Kastratin.

Në Komunën e Obiliqit zgjedhjet në rundin e dytë i fitoi Xhafer Gashi nga Iniciativa Qytetare për Obiliqin.

Në Komunën e Mamushës fitore arriti Abdulhadi Krasniq nga KDTP. Ndërkaq në Komunën e Kllokotit balotazhin e fitoi Vladan Bogdanoviq nga Lista Serbe.

21:45 Krasniqi: Populli ia ktheu shpinën Albin Kurtit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se partia e tij, në rundin e balotazhit fitoi në pesë komuna. Ai tha se ky rezultat dëshmon se populli i Kosovës refuzon modelin e sundimit nga një njeri.

“Pas këtyre zgjedhje tashmë skena politike në Kosovë ka ndryshuar. Nuk ka më një forcë politike dominuese siç ishte tetë muaj më parë. Populli i Kosovës ia ka kthyer shpinën Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje sepse populli i Kosovës ia ka kthyer shpinën modelit të sundimit nga një njeri.” tha Krasniqi para mbështetësve të partisë së tij në Prizren.

Krasniqi shpalli fitoren në Prizren, Drenas, Vushtrri, Kaçanik, Dragash dhe tha se partia e tij ka fituar në total nëntë komuna në dy rundet e zgjedhjeve lokale.

21: 20 LDK shpalli fitore të Prishtinë, Arben Vitia e pranoi humbjen 

Kandidati i kësaj partie për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama në një konferencë për media, u zotua se do të jetë kryetar i të gjithë qytetarëve të Prishtinës.

“Unë, Përparim Rama, kryetar i Komunës së Prishtinës, zotohem që do të jem kryetar i të gjithëve, ju që jetoni këtu, punoni këtu, që vini e që do të ktheheni”, tha ai.

Rama tha se do të zbatojë të gjitha premtimet e dhëna në fushatën për zgjedhjet lokale.

“Në Prishtinë do të kujdestarojmë me plot kujdes e përgjegjësi. Është një arritje e jashtëzakonshme për LDK-në dhe për kryeqytetin”, tha  kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia ka pranuar humbjen.

“Prishtinës i dëshiroj sukses. Inkuadrimi ynë i vonshëm në fushatë dhe moselaborimi i programit të mjaftueshëm ka ndikur.” tha Vitia.

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama, pas numërimit të 98.65 për qind të votave ka fituar 51.08 të votave ndërkaq, Arben Vitia 48.92 për qind të votave.

20: 50 Rezultatet e rrethit të dytë pas numërimit të mbi 70 për qind të votave

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke i publikuar në kohë reale rezultatet e rundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë.

Sipas rezultateve preliminare, me mbi 70 për qind të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje po udhëheq në Prizren me kandidatin Mytaher Haskuka, Kamenicë me kandidatin Kadri Rahimaj, në Podujevë me Shpejtim Bulliqin, në Shtime me Qemajl Aliun dhe në Gjilan me Alban Hysenin.

Lidhja Demokratike e Kosovës po prin në Prishtinë me Përparim Ramën, në Istog me Ilir Feratin, Fushë Kosovë me kandidat Burim Berishën, në Junik me Ruzhdi Shehun dhe në Viti me Sokol Halitin.

Partia Demokratike e Kosovës prin në Gllogoc me Ramiz Lladrovcin, Dragash me Shaban Shabanin, në Kaçanik me Besim Ilazin dhe Vushtrri me Ferit Idrizin.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po udhëheq në Gjakovë me Ardian Gjinin, Klinë me Zenun Elezajn dhe Rahovec me Smajl Latifin.

Ndërkaq Nisma Social Demokrate prin në Malishevë me Ekrem Kastratin.

Në komunën e Obiliqit po prin Xhafer Gashi nga Iniciativa Qytetare për Obiliqin.

Në komunën e Mamushës po prin Abdulhadi Krasniq nga KDTP. Ndërkaq në komunën e Kllokotit po prin Vladan Bogdanoviq nga Lista Serbe.

Ndërsa në Komunën e Obiliqit po prin Xhafer Gashi nga Iniciativa Qytetare për Obiliqin.

Deri më tani nëpër komuna të Kosovës disa parti dhe kandidatë kanë shpallur fitoret dhe kanë dalur për të festuar.

19:40 KQZ: Fillon numërimi i votave

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se pas mbylljes së vendvotimeve në 21 komunat e Kosovës, ka nisur numërimi i votave.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se në rrethin e dytë për zgjedhjet lokale, dalja ishte 37.88 për qind apo të drejtën e votimit e kanë ushtruar 475,751 qytetarë.

19: 20 DnV: Proces i qetë dhe pa incidente serioze

Koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim tha se rundi i dytë i zgjedhjeve lokale, që u mbajt më 14 nëntor në 21 komuna të Kosovës, ka qenë i qetë, por me një pjesëmarrje më të ulët në votime krahasuar me rundin e parë.

“Dita e zgjedhjeve nuk është karakterizuar nga ndonjë incident serioz brenda vendvotimeve, që do të mund ta cenonte integritetin apo kredibilitetin e procesit. Gjatë tërë ditës së votimit, është regjistruar një trend përgjithësisht linear i pjesëmarrjes në votime, pa ndonjë fluks të theksuar të votueseve në qendra të votimit”, thuhet në njoftimin e DnV-së.

19:05 Përfundoi procesi i votimit

Dalja në rrethin e dytë ishte rreth 38 për qind.

Garat u zhvilluan në Prishtinë, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prizren, Shtime, Viti, Vushtrri, Malishevë, Junik, Mamushë dhe në Kllokot.

Vendvotimet u hapën në ora 07:00 dhe u mbyllën në ora 19:00.

Të drejtë vote në këto zgjedhje kishin 1,260,571 qytetarë.

18:35 Votuesit e rinj kërkojnë arsim më cilësor

Sinan Korllak, një 18-vjeçar nga Prizreni, për herë të parë ka votuar në rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunës. Sinani thotë se rinia në këtë qytet nuk gëzon përkrahje, derisa kërkon nga kryetari i ri i komunës ngritje të nivelit të arsimit, si dhe fuqizim të rolit të rinisë.

16:55 Hapen tri raste për incidente në zgjedhjet lokale

Policia e Kosovës tha se ka pranuar 21 informacione të ndryshme lidhur me procesin zgjedhor dhe deri më tani, prokurorët kompetentë kanë hapur tri raste.
Sipas një njoftimi në Policisë së Kosovës, një rast është hapur në Junik të Pejës,për veprën “Pengim i procesit të votimit” ku një i dyshuar është ndaluar për 48 orë.Edhe rasti i dytë ka ndodhur në Junik të Pejës, ku është ndaluar një person për “Prishje të rendit dhe qetësisë publike” dhe i njëjti është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkaq, në Vushtrri një person dyshohet për “falsifikim të dokumentit2, por edhe ky rast është dërguar në procedurë të rregullt.
Ndërkaq, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka thënë se deri në ora 15:00 nuk ka pranuar informacione për ndonjë incident që do të mund të cenonte procesin zgjedhor.

Koalicioni i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim (DnV), tha se gjatë rundit të dytë të zgjedhjeve lokale, ka pasur trend të mosrespektimit të masave kundër koronavirusit.

Në pjesën e dytë të ditës, sipas DnV-së, kanë vërejtur mosrespektim të masave si nga stafi zgjedhor ashtu edhe nga votuesit.

Sipas masave në fuqi, votuesit duhet të mbajnë maska dhe të respektojnë distancën fizike gjatë procesit të votimit.

DnV-ja po ashtu tha se ka rënë përqindja e daljes së qytetarëve në zgjedhje, krahasuar me rundin e parë, që u mbajt më 17 tetor.

“Sipas raportimeve të vëzhguesve të Demokracisë në Veprim (DnV), pjesëmarrja e qytetarëve në votime deri në orën 15:00 është 23.6%, rreth 2% më e ulët se në rundin e parë të zgjedhjeve. Komunat me daljen më të madhe vazhdojnë të jenë Mamusha (45%), Juniku (41%) dhe Kllokoti (37%) kurse ndërsa dalja më e ulët deri në 15:00 është regjistruar në Komunën e Prizrenit (19%) dhe Dragashit (17%). Fushë Kosova, Obiliqi, Rahoveci, Vushtrria dhe Mamusha janë ndër komunat që krahasuar me daljen e votuesve në rundin e parë, kanë shënuar rënien më të madhe. Rritje domethënëse në trendin e votimit, krahasuar me rundin e parë, është shënuar në Junik, Podujevë dhe Shtime.” thuhet në njoftimin e DnV-së.

16:30 PZAP-ja pranon dhjetë ankesa

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP) tha se deri në orën 16:00 ka pranuar dhjetë ankesa në lidhje me procesin zgjedhor.

Mulë Desku, kryesues i Sekretariatit të PZAP-së, tha për Radion Evropa e Lirë se ankesat kryesisht janë bërë nga partitë politike.

“Gjatë ditës janë pranuar dhjetë ankesa. Krejtësisht janë nga partitë.” tha Desku.

16:20 Votimi i personave të verbër

Përmes fletëvotimeve me alfabetin e Braillet, personat e verbër në Kosovë mund të votojnë pa ndihmën e asistentëve të tyre. Radio Evropa e Lirë ka përcjellë nga afër procesin e votimit në zgjedhjet lokale të Mexhit Foniqit në Prishtinë më 14 nëntor.

15: 30 Jehona e votuesve deri ora 15:00 është rreth 24%

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri në orën 15:00 kanë votuar rreth 24 për qind e votuesve.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se nuk ka pasur incidente të rënda gjatë procesit zgjedhor.

“Nuk kemi pasur ndonjë parregullsi që do ta cenonte seriozisht procesin e votimit.” tha Radoniqi.

13:00 DnV: Vështirësi për gjetjen e emrit në listën e votuesve

Koalicioni i organizatave joqeveritare që monitoron zgjedhjet në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV), tha se pjesëmarrja e qytetarëve në procesin e votimit në 21 komunat ku po zhvillohet balotazhi, është përafërsisht e njëjtë me rundin e parë, rreth 7%.

Eugen Cakolli nga kjo organizatë bëri të ditur se komunat me daljen më të madhe janë komunat e vogla krahasuar me komunat me numër më të madh të banorëve.

Megjithatë, ai përmendi edhe disa nga parregullsitë në këtë proces zgjedhor. Sipas Cakollit, raportohet për vështirësi në gjetjen e emrit në listën e votuesve, ndonëse në nivele shumë më të ulëta sesa në rundin e parë.

Në rreth 14 për qind të vendvotimeve janë evidentuar deri në 10 raste kur qytetarët nuk e kanë gjetur emrin në listën e votuesve.

Deri më tani, tha ai, është raportuar për nivel jo të kënaqshëm të respektimit të masave anti-covid nga ana e komisionarëve, ndërsa qytetarët po tregojnë edhe më pak kujdes në respektim të masave kundër pandemisë në nivelin 56 për qind.

12:00 Osmani: Qytetarët t’i përgjigjen detyrimit për të votuar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pasi ka votuar, ka thënë se “detyrimi qytetar për kontribuuar në demokracinë e vendit tonë nuk ka përfunduar më 17 tetor”.

“Sot është ditë po aq e rëndësishme, e cila përcakton fatin e komunave ku gjithsecili prej jush dhe prej nesh jeton, prandaj është shumë me rëndësi që qytetarët t’i përgjigjen këtij detyrimi në mënyrë që nesër të kenë më shumë të drejta dhe kualitet më të madh të jetës në komunat ku ata jetojnë.” tha Osmani.

11:30 Vëzhguesit e BE-së po monitorojnë për së afërmi zgjedhjet në Kosovë

Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgim të Zgjedhjeve në Kosovë, Lukas Mandl, tha se 62 vëzhgues të BE-së po monitorojnë për së afërmi procesin zgjedhor në 21 komuna dhe se do të vëzhgojnë për së afërmi edhe procesin e numërimit.

“Inkurajoj qytetarët që të shfrytëzojnë të drejtën e votës të shkojnë në vendvotime, të votojnë për njërin ose tjetrin kandidat, dhe të kontribojnë në demokraci.” tha Mandl.

Ai tha se një raport preliminar sa i takon procesit zgjedhor do të publikohet nga ana e vëzhguesve të martën (16 nëntor).

11:00 Kurti: Komuna është qeliza e Republikës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha pas votimit se zgjedhjet komunale janë të rëndësishme, pasi “komuna është shumë e rëndësishme – në njërën anë është publikja e lagjes dhe në anën tjetër është qeliza e Republikës”.

“Më 14 nëntor po e përmbyllim një vit të suksesshëm elektoral, i cili nisi me zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, vazhdoi me zgjedhjet lokale të 17 tetorit dhe tash sot e kemi balotazhin. Republika e Kosovës ka dëshmuar se është një shtet demokratik, ku respektohen të drejtat e të gjithë qytetarëve dhe ku ata në mënyrë të lirë dhe të ndershme zgjedhin ata të cilët do të zgjedhin në vijim për neve.” tha Kurti.

10:30 Suspendohen dy zyrtarë policorë, dyshohen për komente politike gjatë fushatës

Policia e Kosovës njofton se më 13 tetor, ka suspenduar përkohësisht dy zyrtarë policorë, nën dyshimin se janë përfshirë në aktivitete dhe komente politike gjatë fushatës zgjedhore për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale, veprim ky që paraqet shkelje të rëndë disiplinore.

Sipas njoftimit të Policisë, njëri nga të suspenduarit përkohësisht, ka qenë në detyrë në kuadër të departamentit të hetimeve dhe tjetri me detyrë në kuadër të departamentit të kufirit.

Suspendimi i tyre është mbështetur në autorizimet ligjore, udhëzimin administrativ Nr.04/19 për shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore në Policinë e Kosovës, për të vazhduar me procedurat e mëtejme.

Policia e Kosovës, thuhet në një komunikatë për media, do të vazhdojë angazhimet e saj në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore, duke qenë profesionale në shërbim të vendit dhe të të gjithë qytetarëve pa dallime, andaj nuk do të tolerojë përfshirjen e asnjë punonjësi në aktivitete apo veprime që bien në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe udhëzimet administrative të Policisë.

10:00 DnV: 97 për qind e qendrave të votimit janë dezinfektuar

Koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim, që po monitoron rundin e dytë të zgjedhjeve lokale të 14 nëntorit në Kosovë, thonë se 97 për qind e qendrave të votimit janë dezinfektuar para hapjes, ndërsa udhëzimet se si të votohet sigurt duke respektuar masat kundër Covid-19 janë vendosur në 93 për qind të qendrave.

Në kohë pandemie Kosova ka mbajtur zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, ato lokale më 17 tetor dhe rundin e dytë të zgjedhjeve lokale që po zhvillohen të dielën më 14 nëntor.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve për respektim të masave mbrojtëse, si mbajtja e maskave mbrojtëse dhe mbajtja e distancës fizike.

Në njoftimin e mëngjesit të kësaj organizate, ndërkaq, thuhet se “ashtu sikur në rundin e parë të zgjedhjeve të 17 tetorit, edhe në balotazh rreth ¼ e qendrave të votimit janë të paqasshme për personat me nevoja të veçanta.

09:00 KQZ: Të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë (KQZ), Valmir Elezi, tha se në orën 07:00 janë hapur të gjitha vendvotimet për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Në konferencën e parë për media të KQZ-së, Elezi ka ftuar të gjithë qytetarët me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë për të votuar.

Sipas KQZ-së, të drejtë vote në këtë rund zgjedhjesh kanë 1,260,571 qytetarë dhe ata do të mund të votojnë në 575 qendra votimi me 1,638 vendvotime.

Përveç Prishtinës, qytetarët do të zgjedhin krerët e rinj të komunave në Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prizren, Shtime, Viti, Vushtrri, Malishevë, Junik, Mamushë dhe në Kllokot.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar përmes postës 1,571 pako të supozuara me fletëvotime nga votuesit që jetojnë jashtë Kosovës.

Vendvotimet në komunat ku zhvillohet balotazhi do të jenë të hapura deri në ora 19:00.

Ndryshe, mbi 10 mijë vëzhgues vendas e ndërkombëtare do të ndjekin procesin e votimeve.

Në raundin e parë, Partia Demokratike e Kosovës, fitoi në katër komuna e pasuar ngë Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmëirinë e Kosovës që dituan nga dy.

Lista Serbe, subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës që mbështetet e nga Beogradi fitoi 9 nga dhjetë komunat ku shumicë janë pjesëtarët e këtij komuniteti.

Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti, nuk fitoi asnjë post për kryetar komune në raundin e parë, por është në balotazh në 12 komuna, përfshirë edhe Prishtinën.

Një ekip vëzhguesish i Bashkimit Evropian, vlerësoi se zgjedhjet e 17 tetorit “ishin të organizuara mirë dhe liritë themelore u respektuan gjatë fushatës”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button