Hekuran Duka i BDI-së fitoi në Dibër me 138 vota më shumë se Bekim Pocesta

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), kandidati i BDI-së, Hekuran Duka, ka fituar raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar komune në Dibër, ku kundërkandidati i tij ishte Bekim Pocesta nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa. Dibra është komuna e vetme në vend që votoi dje pasi në rrethin e parë asnjëri nga kandiatët nuk e siguroi censusin e nevojshëm për fitore, ndërsa më 31 tetor u përsërit votimi në një vendvotim, njofton Portalb.mk

Me 100 për qind të votave të përpunuara, Duka ka 4.291, që është 138 vota më shumë se Pocesta që fitoi 4.153.

Nga 19.211 persona të regjistruar me të drejtë vote, në 27 qendra votimi këtë të drejtë e kanë ushtruar 8.636 ose rreth 45%.

Të dy kandidatët dolën me deklaratat e para, të cilat i sjell TV 21.

Bekim Pocesta, kandidat nga ASh-AAA tha se nuk e prisnin këtë zhvillim duke dyshuar se si kanë mundur që votat për kundër kandidatin e tij të shtohen.

“Për ne ngelet që të bëjmë një analizë të gjithë proces verbaleve në ditën e nesërme dhe pastaj do të dalim me një deklaratë oficiale për procesin zgjedhor në këtë raund në qytetin tonë. Ne sigurisht e konsiderojmë veten fitues sepse me pastërti i fituam edhe raundin e parë edhe rivotimin në qendrën 0543 edhe gjithë ky proces i raundit të dytë është i dyshimtë sepse dolën në pah të gjitha metodat jo të pastra të atyre që vetëm 18 vjet e bëjnë të njëjtën gjë. Ngelet që ne me të gjithë komisionerët tonë t’i shohim të gjitha këto rezultate dhe si mundet që në disa vende edhe në qytet në mënyre drastike të rritet numri i votave të tyre për kohë kaq të shkurtër.” tha Bekim Pocesta.

Ai shtoi se në disa qendra janë bërë keqpërdorime, duke theksuar se nëse arrijnë të vlerësojnë se nuk është reale kjo rritje e numrave do të shqyrtojnë mundësinë për ankesa.

Bashkimi Demokratik për Integrim qysh mbrëmë nisi festën në Dibër. Në videon më poshtë nga TV 21 mund të shihet festa në Dibër te shtabi i BDI-së, nga ku këta të fundit shpallën fitore.

“Dibra për këto 4 vjet do të ndryshojë shumë, pasi ju kam juve mbrapa. Edhe këtë mandat ju premtoj se nuk hikën asnjë i ri nga Dibra më. Të gjithë do t’i angazhojmë këtu. Falënderoj edhe pushtetin qendrorë, në të cilat participojnë ministrat tonë nga radhët e BDI-së.” tha Hekuran Duka.

Gjatë festës në Dibër edhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi foli para qytetarëve nga ku i uroi për fitoren.

“Dibra gjatë historisë çdoherë ka ditur të zgjedh dhe të rreshtohet aty ku duhet dhe aty ku është nevoja, dhe aty ku është shqiptaria, ku është Bashkimi Evropian, ku është aleanca me SHBA.  Edhe pse humbën në Dibër, ju bëjmë thirrje që nga sot, hajdeni në familjen e madhe, hajdeni aty ku është progresi, aty ku është rruga për integrimet euroatlantike.” tha Kreshnik Bekteshi.

Të gjitha lajmet për procesin zgjedhor gjatë ditës së votimit në Komunën e Dibrës mund t’i ndiqni më poshtë në mënyrë kronologjike.

20:00

Kryetari i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve, Rilind Hasa, tha për Radion Evropa e Lirë se deri në orën 19, kur ka përfunduar votimi, kanë votuar gjithsej 8.529 persona ose 43% e numrit të përgjithshëm të votuesve, që është 19.211.

Përfaqësuesit e shtabit zgjedhor thanë se ankesa ka pasur në disa prej 27 vendvotimeve, por kryetari Rilind Hasa theksoi se KSHZ-ja do të japë informacione për to.

19:00

U mbyllën vendvotimet. Numri i qytetarëve me të drejtë vote në këtë komunë ishte 19.211 të cilët votuan në 27 vendvotime.

18:55

KSHZ njofton se nga të dhënat e arritura nga të gjitha 27 vendvotimet, deri në ora 18:30 jehona e votuesve është 44, 46 %.

Deri në ora 18:30 janë deponuar gjithësej 13 kundërshtesa për mbrojtjen e të drejtës personale të votës. Të gjithë kundërshtesat janë të pranuara.

17:30

KSHZ njofton se nga të dhënat e arritura nga të gjitha 27 vendvotimet, deri në ora 17  jehona e votuesve është  40,13 %.

Deri në ora 17 janë deponuar gjithësej 10 kundërshtesa për mbrojtjen e të drejtës personale të votës. Të gjithë kundërshtesat janë të pranuara.

15:30

KSHZ njofton se nga të dhënat e arritura nga  99,92 % e vendvotimeve, deri në ora 15 jehona e votuesve është  28,97%.
 
Deri në ora 15 janë deponuar gjithësej 8 kundërshtesa për mbrojtjen e të drejtës personale të votës. Të gjithë kundërshtesat janë të pranuara.

14:30

Në Komunën e Dibrës deri në ora 13:00 ka dalje më të madhe krahasuar me raundin e parë zgjedhorë për 3,8 për qind.

“Nga gjithsej 19.211 qytetarë të regjistruar në listën zgjedhore, deri në orën 13:00 e kanë ushtruar të drejtën e votës 3.520 qytetarë ose 18,3 për qind. Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale deri në ora 13:00 kanë votuar 2.981 persona ose 14.5 për qind.” tha Rilind Hasa, kryetar i KKZ -Dibër për TV 21.

13:20

KSHZ njofton se nga të dhënat e marra nga 49,49% e vendvotimeve, deri në orën 13:00 pjesëmarrja në votime është 17,19%.

Deri në orën 13 janë dorëzuar tetë ankesa për mbrojtjen e të drejtës së votës personale. Të tetë ankesat u pranuan.

13:00

Monitorimi i CIVIL-it evidenton edhe një rast të joaksesit në vendvotimet numër 0546, 0541, 0544 në shkollën fillore “Penestija”, ku më së shumti votojnë banorët e vendbanimit Venec 2.

Pajisjet biometrike të identifikimit të votuesve, përsëri, nuk funksionojnë në shumë raste.

Një votues nuk ishte në Listën zgjedhore në vendvotimin 0541.

11:30

Nga të dhënat e marra nga 65,99% e vendvotimeve, deri në orën 11 pjesëmarrja në votime është 8,16%.

Deri në orën 11 janë paraqitur dy ankesa për mbrojtjen e të drejtës së votës personale. Të dyja kundërshtimet janë pranuar.

10:00

Sipas KSHZ-së nga të dhënat e marra nga 99,92% e vendvotimeve, deri në orën 9 dalja e votuesve është 2,5%.  Krahasuar me raundin e parë, pjesëmarrja deri në orën 9 të mëngjesit është më e lartë me 0,75 për qind.

“Të drejtën e votës deri në orën 9 e kanë ushtruar 480 qytetarë, që përbën 2.5% nga numri total prej 19.211 votuesve të regjistruar në listën zgjedhore. Në rrethin e parë deri në orën 09:00, të drejtën e votës kishin shfrytëzuar 342 votues ose 1,75 për qind. ” njoftoi nënkryetarja e Komisionit Komunal Zgjedhor në Dibër, Jovanka Josifovska, përcjell TV 21.

09.30

CIVIL apelon te organet zgjedhore dhe partitë politike, pjesëmarrëse në garën zgjedhore, që të respektojnë Kodin Zgjedhor dhe praktikat e mira zgjedhore dhe të sigurojnë një ditë zgjedhjesh të qetë dhe dinjitoze.

Nga CIVIL u bëjnë thirrje qytetarëve që të votojnë lirshëm dhe me dinjitet dhe për çdo parregullsi t’i raportojnë CIVIL-it.

Ndryshe, në Komunën e Dibrës gjithsej 19211 votues kanë të drejtë vote të cilët votojnë në 27 qendra votimi. Nga KSHZ njoftuan se të gjitha qendrat e votimit janë hapur në orar të mëngjesit të sotëm dhe votimi është i pandërprerë dhe pa probleme.

Klikoni KËTU që të mund t’i ndiqni informatat më të fundit për sa i përket daljes së votuesve në zgjedhje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button