Ku janë shqiptarët në stinë pështjellimesh?

Historia thotë se akoma pa përfunduar mirëfilli Lufta e Dytë Botërore nisi përçarja ndërmjet aleatëve që luftuan fashizmin hitlerian – SHBA-së dhe BRSS-së. Kjo ndodhi për shkak të ideologjive të papajtueshme të dy kampeve, por më shumë për shkak të ambicjeve hegjemone për ndarjen e botës më dysh dhe vënien e saj nën kontrollin e dinozaurëve. Kështu, në krah të SHBA-së u radhitën vendet e fuqishme kapitaliste perëndimore, me BRSS-në vendet komuniste të Evropës Lindore, kurse jashtë mbetën shtetet e ligës ZH.

Viteve në vijim hullia e ndarjes erdhi duke u thelluar dhe kjo lindi Luftën e Ftohtë dhe garën e çartur të armatimit ndërmjet Aleancës Veri-Atlantike (NATO-s) dhe Paktit të Varshavës, që zgjati nga viti 1946 gjer në shembjen e Murit të Berlinit më 1991, kur filloi shthurja e BRSS-së dhe kur u duk se bota po demilitarizohet dhe po nis një kapitull i ri i paqes afatgjate në nivel global. Shenjat ishin shumë shpresëdhënëse, sepse, pas bashkimit të Gjermanisë së ndarë dhunshëm, u mëvetësuan gati të gjitha shtetet e gjendura pa vullnetin e tyre brenda barkut të pangijshëm të arushës ruse. U dekompozua dhe sajesa artificiale jogosllave, u ndanë Çekia e Sllovakia, u çlirua me luftë Kosova nga kthetrat serbe dhe ndodhën një sërë ndryshimesh të tjera, që korrigjuan në njëfarë mase padrejtësitë e së shkuarës…

Dhe, sado që marrëveshja mes dy superfuqive për kufizimin dhe shkatërrimin e armëve bërthamore nuk i ndali konfliktet e përmasave të vogla, ajo ngjalli shpresën se nuk do të ndodhin më luftëra të reja botërore, që mund t’i japin fund jetës njerëzore në planetin Tokë. Mjerisht, ëndrra për shpëtimin nga kataklizmat e tilla nuk zgjati shumë, sepse mungoi ripërtëritja e besimit ndërmjet fuqive të Perëndimit dhe Rusisë, e cila nisi sërish garën e armatimit dhe përpjekjet për të rikthyer ndikimin në ish shtetet e BRSS-së, disa prej të cilave kishin hyrë në NATO.

Ndërkohë garës së armatimit iu bashkangjit dhe Kina, që ngritjen ekonomike e shfrytëzon me mjeshtri për shtrirjen e ndikimit politik kudo që i jepet mundësia. Oreksi i të fortëve për tregje e territore të reja dhe për kontrollin e burimeve energjetike të tokës e të detrave, nisi të prishë baraspeshën ndërmjet aleatëve dhe nisi ta bëjë jetën gjithnjë e më të pasigurtë. Muajve të fundit kjo shihet në veprimet e pakoordinuara të shteteve anëtare të NATO-s, që janë në favor të tendencave ruso-kineze për t’u bërë zot të Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm. Si të shpjegohet ndryshe përkrahja dhe armatosja e Greqisë nga Franca dhe përkrahja dhe armatosja e Turqisë nga Gjermania, që mund të fusë në luftë jo vetëm Turqinë e Greqinë po dhe përkrahësit e tyre Francën e Gjermaninë, sado që tanipërtani kjo duket e pamundshme.

Si të shpjegohet ndryshe e dhëna se disa shtete të BE-së bëjnë kinse nuk i kuptojnë përpjekjet luftënxitëse të Serbisë së Vuçiqit në Kosovë, Bosnje e Hercegovinë, Mal të Zi…, pa çka se paramilitarët e saj vetëm para pak vitesh bënë gjenocidet më të tmerrshme pas Luftës së Dytë Botërore. Si të shpjegohen raportet e acaruara të Turqisë herë me Rusinë, herë me aleatin e saj në NOTO -SHBA-në. Si të shpjegohen aleancat e reja ndërmjet Arabisë Saudite dhe Izraelit dhe shumë aleanca të reja, që deri dje dukeshin të pamundshme, përveçse me të dhënën se  bota po ndryshon me të shpejtë dhe ka gjasa të mos kthehet kurrë në binarët e djeshëm.

Në kësi rrethanash shtrohet pyetja, ku gjenden shqiptarët dhe a janë të vetëdijshëm se mund të mbijetojnë vetëm me rrënjosjen e miqësive me aleatët që i kanë ndihmuar nga mëvetësimi i Shqipërisë londineze e këndej? Dhe që është më e rëndësishme: a janë të vetëdijshëm se në stinë pështjellimesh me plot të panjohura, nuk ua zgjat dorën kush nëse vazhdojnë me kacagjelimet ndërvëllazërore për poste, veçmas me hasmëritë idiote për pushtete fiktive si këto në vendin e çudirave, ku, siç do të thoshte Migjeni: ndrydhen vullnetet nën themra kurkushësh.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button