“Psychalb” u bën thirrje prindërve për kujdes ndaj “Squid Game”: Shfaq efekt negativ te fëmijët

Qendra për edukim dhe shërbime psikologjike “Psychalb”, bën thirrje deri te prindërit e fëmijëve dhe adoleshentëve që të jenë më të kujdesshëm dhe të kenë kontroll mbi atë se çfarë filma shohin dhe çfarë lojërash luajnë fëmijët e tyre, transmeton Portalb.

“Kohës së fundit është përhapur një film që është shumë i ndjekur nga fëmijët dhe adoleshentët. Bëhet fjalë për “Squid game” i cili është një serial shumë i përfolur i “Netflix”-it, por me një numër shumë të madh të efekteve negative që shfaqen te fëmijët dhe adoleshentët pas ndjekjes së filmit. Versioni film dhe lojë me po të njëjtin titull, përmbajnë skena të frikshme keqtrajtimi, dhune dhe skena vdekjesh. Pas ndjekjes së këtyre lojërave tek fëmijët e moshave më të hershme shfaqen shqetësime të dukshme, ndërsa tek moshat më të rritura shqetësimi është më pak i dalluar. Zakonisht ato shfaqin simptoma ankthi dhe shqetësimi, ndërsa qëndrimi i gjatë para ekraneve teknologjike shpije edhe në sjellje të pavullnetshme, humbjen e kontaktit vizuel me bashkë-biseduesin, çrregullim të vëmendjes dhe koncentrimit si dhe probleme të komunikimit”, thonë nga “Psychalb”.

Sipas ekspertëve kjo lojë nuk është diçka që fëmijët duhet ta shikojnë.

“Nuk ka asgjë të mirë apo pozitive këtu për fëmijët,” thotë psikologu klinik Dr. Robin Gurwitch, gjithashtu sipas pediatres Dr. Elizabeth Murray “ka potencialin të krijojë, para së gjithash, sjellje të papërshtatshme … dhe mund të çojë në ankth të lartë tek fëmijët. Ato do të kenë vështirësi në nxjerrjen e imazheve nga mendjet e tyre, gjë që mund të çojë edhe në çrregullime gjumi dhe koncentrimi. Fëmijët shpesh nuk e kuptojnë se këto skena nuk janë reale dhe mund të krijojnë dyshime se “A mund të ndodhë vërtetë kjo?”, shtohet në kumtesë.

“Psychalb” rekomandon disa masa që duhet t’i ndërmarrin prindërit në këto raste?

1. Reduktimin dhe kufizimin e përdorimit të pajisjeve teknologjike
2. Të kontrollojnë përmbajtjet e filmave dhe lojërave që ndjekin fëmijët e tyre
3. Të bisedojnë me ta duke iu shpjeguar se realiteti ndryshon nga ajo që e shohin në lojëra/filma
4. Të luajnë me fëmijët lojëra argëtuese jashtë ekraneve
5. Të angazhojnë fëmijët me programe edukative dhe psiko-sociale
6. Të kujdesen për shëndetin dhe mirëqenien psikologjike të fëmijëve para se të merren me efektet e gjërave negative që dëmtojnë gjendjen psikologjike të tyre.
7. Nëse prindërit nuk mund të menaxhojnë me këto situata, atëherë le të konsultohen me profesionist.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button