Ministri Arjanit Hoxha dhe dy zëvendësministrat e Besës dhanë dorëheqje nga Qeveria

Ministri i Bujqësisë nga radhët e Besës, Arjanit Hoxha së bashku me dy zëvendësministrat e tjerë në Qeveri nga kjo parti kanë dhënë sot dorëheqje nga Qeveria. Në konferencën e mbajtur para objektit të Qeverisë, Hoxha tha se, ky vendim vjen pas, siç u shpreh ai, cenimit të demokracisë nga ana e BDI-së në zgjedhjet lokale dhe gjatë ditës së djeshme, shkruan Portalb.mk.

“Ashtu siç e kam paralajmëruar nga java e kaluar që për shkak të cenimit të demokracisë në zgjedhjet lokale nga një pjesë e këtij pushteti me në krye me zëvendëskryeministrin nga BDI ku u cenua e drejta e demokracisë në vend me metoda manipuluese, që vazhdojnë për fat të keq edhe gjatë ditës së djeshme, që ishte dita më e turpshme ë këtij vendi, unë jap dorëheqje nga pozita e ministrit së bashku me dy zëvendësministrat në Qeveri, pasi që nuk mund të identifikojmë veprimin tonë të Lëvizjes Besa me një partner të koalicionit, i cili po shihet qartë se përdor çdo veprim jodemokratik me të vetmin qëllim, mbetjen në pushtet. Vendimi për dorëheqje është akt moral, por edhe duke respektuar organet partiake të Lëvizjes Besa”, tha Hoxha.

I pyetur nëse do të japin dorëheqje edhe drejtorët e kësaj partie, ai tha se për këtë do të diskutojnë organet partiake.

“Organet partiake duhet që javën e ardhshme të ndajnë qëndrimin se si do të veprohet, ky nuk është qëndrim personal i imi është qëndrim i partisë. Gjithçka që ka ndodhur në këtë proces ka qenë qëndrim i dakordësuar dhe i përbashkët, ku kanë marrë pjesë përveç udhëheqësisë së ngushtë edhe deputetët, kështu që hapat se si do të vijohet, normalisht duke pasur edhe kujdes sepse bëhet fjalë për një krizë e cila mund të krijon krizë institucionale dhe nuk duam si Lëvizje Besa që të futim shtetin në krizë, sepse kemi dëshmuar si Lëvizje Besa se çdoherë kemi dal në krah kur ka pasur kriza të ngjashme”, tha ai.

Ndërkaq, në lidhje me deputetin Kastriot Rexhepi, ai tha se nuk informata shtesë nga ajo që ai ka publikuar në Facebook. Hoxha shtoi se nëse, vendimi për mospjesëmarrje në seancë ka qenë i tij, atëherë është vendim në kundërshtim me partinë dhe sigurisht do të ketë masa.

“Ne presim që të kthehet, siç ka paralajmëruar, të hënën t’i sqarojë veprimet e tija, të cilat dukshëm janë të ndryshme nga ajo që jemi marrë vesh dhe të ndryshme nga ajo që edhe ai ka vendosur nënshkrim në iniciativën. Kështu që, e lëmë të prononcohet vet Rexhepi”, tha ai.

Kujtojmë se, deputeti i Lëvizjes Besa, Kastriot Rexhepi, edhe pse kishte nënshkruar iniciativën për rrëzimin e Qeverisë, dje nuk erdhi në seancë, gjë që pamundësoi që opozita të ketë shumicën e neojshme për të votuar mocionin e besimit të Qeverisë.

Rexhepi dje nuk u paraqit fare në Kuvend dhe nuk ishte i kapshëm për anëtarët e partisë së tij, të cilët nuk kishin informacion se ku ndodhet.

Ai përmes rrjetit social Facebook tha se, nuk do të votojë për rrëzimin e qeverisë, pasi vendi pret fiklimin e bisedimeve për anëtarsim në BE.

Pas ngritjes së dyshimeve nga ana e Lëvizjes Besa se Rexhepi mund të jetë kidnapuar dhe të njëjtët e paraqitën rastin në polici, Rexhepi ka publikuar edhe një video në Facebook, ku ka thënë se është mirë dhe anëtarët e partisë nuk duhet të shqetësohen për të.

Ndërkaq, sot ai paralajmëroi se, të  hënën do të mbajë konferencë për media për t’u sqaruar para opinionit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button