Rizaov: Opozita nxitonte pasi kishte informacione serioze se do të fillojnë negociatat me BE-në

Vlerësimin e tij për atë që ndodhi dhe rëndësinë e gjithë asaj para dhe pas zgjedhjeve për ardhmërinë e vendit, që ishte edhe temë e ditës në Utrinski Brifing, e dha edhe gazetari Eroll Rizaov, transmeton Portalb.mk.

“Është për të ardhur keq dhe e vështirë gjithçka që ndodhi para dhe pas zgjedhjeve lokale. Pas fitores së madhe të opozitës, gjërat mund të bëheshin në mënyrë demokratike. Por pas valës së asaj fitoreje, u bënë veprime të gabuara. Filluan pazaret me deputetët dhe hynë në kuadrin e zgjedhjeve parlamentare”, tha Eroll Rizaov.

Ai shton se vetë dorëheqja e kryeministrit,  dhënë në një moment emocional, ndezi dëshirën e opozitës. Prej dje, koha nuk funksionon për opozitën, e cila duhej të insistonte në dorëheqjen e kryeministrit.

Koalicion i opozitës është koalicion joparimor. Nuk ka interes shtetëror. Si do të bjerë qeveria nëse ka parti me qëndrime të ngurta në marrëdhëniet ndëretnike dhe qëndrime të kundërta për integrimet euroatlantike?, thotë Rizaov.

“Ata u nxituan pasi kishin informacione serioze se do të fillojnë negociatat me BE-në. Dhe nxituan të përfitonin nga vala e rezultateve të zgjedhjeve lokale”, shtoi ai.

Kur është ne pyetje BE-ja asnjëherë nuk mund të pretendohet se diçka do të ndodhë. Nuk është rastësi që zyrtarë të lartë evropianë dhe amerikanë janë tani në Ballkan.

“Evropa nuk shqetësohet për ne, shqetësohet për vete. Nëse këtu ndodh destabilizim, ata do të kenë probleme. Është normale që edhe ata të kenë presion nga publiku i tyre, të cilëve iu ka ardhur në majë të hundës nga zgjerimi, kështu që duhet kohë dhe mënyrë të shpjegohet se Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës”, thotë Rizaov.

Rizaov konsideron se është absolutisht e sigurt që nuk ka fitues pas ditës së djeshme pasi njerëzit në këtë shohin destabilizim. Ai konsideron se në të ardhmen do të ketë vështirësi të mëdha si për pushtetin ashtu edhe për opozitën, pasi gjithçka që ndodh është në dëm të të gjithë qytetarëve.

“Në situata krizash, formohen qeveri të përbashkëta, si në vitin 2001. Por kjo bëhet në momente të jashtëzakonshme. Por, kjo do të thotë gjuhë e ndërsjellë e urrejtjes dhe në fund gjithçka do të përfundojë me zgjedhje të reja. Çështja është se kur i përshtatet Maqedonisë të shkojë në zgjedhje të reja. Fillimisht mendoj se tensioni duhet të qetësohet. Na pret një dimër i vështirë me shumë kriza dhe situata nuk është e mirë, prandaj duhet të arrihet konsensus mes partive politike, por kjo është e lehtë të thuhet”, tha Rizaov.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button