Arsovska: Nuk do ta bëj ‘metronë e autobusëve’ të Shilegovit, do të ketë transport falas – më jepni vetëm kohë

Kryetarja e Shkupit Danella Arsovska nuk do ta vazhdojë me projektin e metrosë Bas Rapid Transit (BRT) ose metrosë së autobusëve nga paraardhësi i saj Petre Shilegov. Arsovska thotë se në ditët në vijim do të ketë takime me ekspertë të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) me të cilët Qyteti i Shkupit realizon bashkërisht projektin, për t’u njohur me kushtet dhe çfarë është marrë vesh dhe është bërë deri më tani, por theksoi se nuk do ta realizojë, shkruan Sdk.mk, transmeton Portalb.mk.

“Nuk kam premtuar BRT, por transport publik të shpejtë, në kohë dhe falas dhe 250 autobusë të rinj. BRT ishte projekt i paraardhësit tim, i cili nuk u zgjodh në këto zgjedhje, që do të thotë se qytetarët nuk e zgjodhën atë projekt. Kur ai i fitoi zgjedhjet para katër vitesh, në fushatë nuk premtoi BRT, por e prezantoi më vonë. Unë do të fokusohem në realizimin e asaj që kam premtuar në programin tim dhe për atë për të cilën jam përzgjedhur”, tha Arsovska.

Tenderi për zgjedhjen e një kompanie për prokurimin e automjeteve dhe implementimin e BRT është shpallur njëzet ditë më parë në faqen e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Për realizimin e këtij projekti, Qeveria merr kredi në vlerë prej 70 milionë eurosh nga BERZH.

Çfarë do të ndodhë me kredinë, a do të mund të ridestinohet dhe a mund dhe në çfarë kushtesh të ndalohet procedura e tenderit, Arsovska nuk tregoi. Ajo tha se të gjitha detajet për gazetarët do t’i japë pas takimit me ekspertët e BERZH-it dhe personat që kanë punuar në projekt.

Kryetarja Arsovska në brifingun e parë me gazetarë nuk tha se si do ta realizojë projektin për transport publik falas që e kishte premtuar në fushatën zgjedhore, dhe as sa para do të nevojiten për realizimin e tij, duke pasur parasyshë atë se NQP “Shkup” funksionon me humbje prej vitesh.

“Unë atë që e thash do ta realizoj, por nuk mundem brenda dy ditësh. Njerëzit planifikojnë të lëvizin në Mars dhe të udhëtojnë në Hënë, gjithçka është e mundur, kështu që është e mundur të kemi transport falas me autobus. NQP “Shkup” nuk i ka të vetmet të hyra nga shitja e biletave, kanë edhe të hyra tjera. Jam dakord që kompania ka 30 vjet që funksionon me humbje dhe prandaj e përsëris vazhdimisht se duhet një menaxhim i mirë. Duhet të kontrollohen tenderët për blerjen e derivateve me çmime të larta”, shtoi Arsovska.

Kryetarja Arsovska tha se në periudhën në vijim do ta kontrollojë tërë funksionimin e ndërmarrjes së transportit publik për të parë pse me vite funksionon me humbje. Ajo njoftoi se do të bëhen korrigjime në linjat e autobusëve, përkatësisht linja të caktuara do të vazhdojnë për shkak se një gjë të tillë e kërkojnë qytetarët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button