Trenat për në Kërçovë, Koçan dhe Prishtinë nuk qarkullojnë prej gjysmë viti, heshtja nga Hekurudhat e RMV

Qytetarët prej muajsh në rrjetet sociale reagojnë për mos-mbajtjen e vijave të kryqëzuara në orarin e Hekurudhave të RMV-Transport për vitin 2021, ndërsa kompania shtetërore hekurudhore hesht për këtë situatë. Nga fillimi i majit të këtij viti është ndërprerë treni për udhëtar Shkup-Koçan-Shkup, ndërsa nga fundi i majit nuk funksionon as treni i vetëm ndërmjet Shkupit dhe Kërçovës, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Që nga fillimi i pandemisë kovid-19 nuk funksionon as treni i shpejtë në linjën Shkup-Prishtinë-Shkup, ndonëse transporti ndërkombëtar me autobus për në këtë destinacion ka kohë që funksionon.

Meta.mk dy herë në 10 ditët e fundit i ka dërguar pyetje udhëheqsisë së Hekurudhave të RMV-Transport lidhur me gjendjen në të cilën ndodhet transporti hekurudhor i udhëtarëve në vend, si dhe nëse do të kthehen trenat e pezulluar për në Koçan, Kërçovë dhe Prishtinë me orarin e ri, i cili duhet të hyjë në fuqi për një muaj.

Për momentin personat përgjegjësnga kompania shtetërore e transportit po heshtin për gjendjen me trenat e udhëtimit, ndërsa e vetmja e dhënë e disponueshme për qytetarët janë informacionet jozyrtare për gjendjen e keqe të parkut hekurudhor. Numri i garniturave të rregullta të motorëve elektrikë dhe me naftë që janë blerë së fundi nga Kina është reduktuar në dy deri në tre trena nga gjashtë të prokuruar, kurse në minimum janë edhe lokomotivat me naftë që mund të tërheqin trenat e udhëtarëve për në Koçan, Kërçovë dhe Prishtinë.

Treni i udhëtarëve nga Shkupi për në Koçan ka funksionuar çdo ditë me nisje nga kryeqyteti në orën 15:24, si dhe nga Koçani në orën 5:26. Përveç  për qytetarët e pjesës lindore të Maqedonisë, me këtë tren për në punë, fakultet dhe obligime të tjera çdo ditë udhëtonin për në Shkup edhe qytetarët e Velesit. Edhe pse rregullisht paguajnë bileta treni mujore dhe ka përfitime për bileta për kategori të ndryshme të qytetarëve, këtë tren banorët e Velesit nuk mund ta përdorin.

situatë identike tash e gjashtë muaj janë qytetarët e Tetovës, Gostivarit dhe Kërçovës, për shkak të pamundësisë së përdorimit të trenit si mjet transporti. Treni çdo ditë lëvizte nga Kërçova në orën 5:30, ndërsa nga Shkupi në ora 16:45.

Treni nga Shkupi për në Prishtinë niset çdo ditë në orën 16:10, ndërsa nga kryeqyteti i Kosovës niset në orën 7:10.

Të mos harrojmë se transporti hekurudhor është mënyra më e lirë dhe më ekologjike në transportin masiv të udhëtarëve. Bashkimi Evropian pikërisht vitin 2021 e shpalli si Viti evropian i hekurudhave, me qëllim që të motivojë qytetarët që të përdorin trenin si mjet transporti që emeton sa më pak gazra serrë në ajër dhe ndikon më pak në ngrohjen globale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button