Qeveria shpëtoi, por jo edhe shumica, a do të ketë rinkonstruim të Qeverisë?

Qeveria e Zoran Zaevit nuk iu nënshtrua mbrëmë testit të besimit, pasi seanca që ishte caktuar për këtë përfundoi pa votim dhe pa përcaktimin e rendit të ditës, pasi opozita nuk arriti të sigurojë kuorum në sallë, për shkak të mungesës së deputetit të Lëvizjes Besa, Kastriot Rexhepi, shkruan “360 shkallë”, transmeton Portalb.mk.

Deputetët e shumicës dje nuk u paraqitën në sallën parlamentare, me përjashtim të kryeparlamentarit, Talat Xhaferi, i cili e hapi dhe e mbylli seancën, ndërsa në ndërkohë udhëheqjen me seancën ia besoi nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e Besës, Fadil Zendeli.

Rreth mesnatës, kur Xhaferi e mbylli seancën, anëtarët e Qeverisë që ishin të vetmit në sallë uruan njëri tjetrin, por në mesin e tyre nuk ishte ministri i Besës – Arjanit Hoxha. Ai sot së bashku me dy zëvendësministrat e tjerë kjo parti kanë dhënë sot dorëheqje nga Qeveria.  Me këtë vendi i ministrit të Bujqësisë ka mbetur i zbrazët. Me këtë, formacioni aktual qeverisës në Kuvend, praktikisht mbetet pa mbështetje të shumicës në Kuvend, përkatësisht me 59 apo 60 deputetë, varësisht prej asaj se në cilën anë do të jetë Kastriot Rexhepi, i cili mbrëmë pengoi tentimin e opozitës që t’i votohet mosbesim të Qeverisë.

Vlerësimet në qarqet politike janë se është e mundur që Alternativa, e cila ka katër deputetë, të hyjë si partner i ri në Qeveri, me çka edhe shumica parlamentare do të rritje në 63 apo 64 anëtarë (përsëri varësisht prej pozicionit që do të zgjedh Rexhepi), përkundër 62 votave me të cilat dispononte deri tani tabori qeverisës në Kuvend.

Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, dje në TV 21, nuk përjashtoi mundësinë për hyrje në Qeveri.

“Të konsultohem me faktorin ndërkombëtar dhe do të sjell vendim. Nëse kemi konfirmim të fuqishëm se jemi afër datës, atëherë nuk kemi dilemë ku duhet të orientohemi”, deklaroi Gashi.

Partia e tij ishte pjesëmarrëse në kabinetin e kaluar të Zaevit, para zgjedhjeve parlamentare në vitin 2020, në të cilat Alternativa garoi në koalicion me Aleancën për Shqiptarët, ndërsa Besa ishte në koalicion me LSDM-në.

Në negociatat e pritura mes Zaevit dhe Gashit për kyçjen e Alternativës drejt Qeverisë, çështja është nëse Alternativa do ta zëvendësojë Besën në Ministrinë e Bujqësisë, apo do t’i takojë ndonjë resor tjetër që, në fakt, sjell rikonstruim të kabinetit qeveritar. Megjithatë, paralajmërimet e para janë se nuk do të bëhen ndryshime më të mëdha, përkatësisht se nuk do të shkohet në ndryshime të më shumë se një të tretës së ministrave apo resorëve, sepse ajo do të hapte procedura si për zgjedhje të Qeverisë së re.

Në ndërkohë, Këshilli Qendror i LSDM-së, në seancën para dy ditëve, praktikisht ka ngrirë dorëheqjet që i paralajmëroi Zaev në pozicionin e kryeministrit dhe të liderit të partisë, pas rrethit të dytë zgjedhor. Dorëheqjet, siç u tha, prolongohen deri sa të normalizohen proceset në shtet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button