RMV, situata me kovid-19: sot do të mblidhet Komisioni për Sëmundje Infektive

Komisioni për Sëmundje Infektive sot do të mbajë mbledhje, në të cilën, siç njoftoi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, do të shqyrtohen propozimet për gjendjen me kovid-19 në vend, transmeton Portalb.mk.

“Situata epidemiologjike në vend vëren rritje të rasteve të reja me kovid-19 duke filluar nga periudha e dy javëve më parë. Analizat tregojnë se përqindja e rasteve të reja të diagnostikuara vitin e kaluar krahasuar me javën e kaluar është rritur me 25 për qind. Rritje ka edhe faktori i transmetimit P0 nga 1,05 në 1,14, që është një tregues i qartë se tani do të ketë ndryshim në situatën relativisht stabile epidemiologjike që kishim në periudhën paraprake”, tha Filipçe në një konferencë për shtyp disa ditë më parë.

Sipas tij, nuk nevojiten masa të reja kufizuese, mjafton të respektohen protokollet dhe të rritet shkalla e vaksinimit.

Një nga kriteret kryesore për futjen e mundshme të masave të reja, tha ai, do të jetë rreziku në kapacitetet spitalore, që tani akoma nuk është evidentuar. Kyçe, tha ai, është vaksinimi dhe respektimi i masave dhe protokolleve parandaluese.

Deri më 9 nëntor, siç informon Ministria e Shëndetësisë, janë vaksinuar gjithsej 811.226 qytetarë, janë rivaksinuar 782.460, ndërsa dozën e tretë e kanë marrë 48.087 qytetarë. Pesëdhjetë e katër për qind e qytetarëve mbi 40 vjeç janë vaksinuar dhe 33 për qind e popullsisë së moshës 18 deri në 39 vjeç kanë marrë të paktën një dozë vaksine. Vaksinimi me një dozë të popullatës së rritur është 57 për qind, kurse me dy dozë 46 për qind të qytetarëve mbi 18 vjeç. Sipas numrit të vaksinave të aplikuara, 39% e të gjithë popullsisë në vend janë vaksinuar dhe 37% kanë marrë dy doza vaksine.

Ndërkohë ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, pritet që të japë deklaratë sot pas orë 11:00, pasi Ministria e Shëndetësisë ka organizuar forum për nder të 14 Nëntorit, Ditës Botërore të Diabetit, së bashku me Shoqatën e diabetikëve të RMV. Nuk përjashtohet që përveç lidhur me këtë temë, Filipçe të flasë edhe për gjendjen me kovid-19 në vend, apo konkluzionet e KSI-së, nëse takimi i tyre do të ketë përfunduar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button