Mbi dramat politike dhe hipokrizinë

Ngjarjet politike në Maqedoninë e Veriut janë më interesante për t’u ndjekur se sa filmat thriller. Nuk mund të ankohemi se nuk ka çfarë të na mbajë të fokusuar dhe të vëmendshëm. Ajo që për romakët e vjetër ishin lojërat e gladiatorëve në Koloseum, sot për ne janë debatet televizive dhe ngjarjet dramatike ditore.

Thonë që në politikë nuk vlejnë kriteret që vlejnë në raportet e zakonshme ndërnjerëzore. Thonë që politika nuk ka rregulla dhe aty gjithçka është lejuar. Ka edhe të tillë që e krahasojnë politikën me disa zanate të vjetra, jo shumë të respektuara. E megjithatë, njerëzit përsëri shpresojnë dhe kanë pritshmëri që në ngjarjet politike të identifikojnë vlera themelore të njerëzimit.

Ajo që ndodhi gjatë kësaj jave në politikën vendase i tejkalon edhe skenaret e filmave më interesantë që të mbajnë mbërthyer në ekran. Të gjithë qytetarët kanë një javë që janë në pritje se çka do të ndodhë, do të bjerë ose jo qeveria. Askush nuk e di me saktësi se çfarë tamam është duke ndodhur.

Kryeministri aktual dha dorëheqje nën emocionet e fuqishme të humbjes që partia e tij pësoi në zgjedhjet lokale. Për një çast, fitohej përshtypje sikur ai vetë të ishte kandidat për qytetin e Shkupit dhe tani që humbi qytetin e dha edhe dorëheqjen. Por ai nuk ishte kandidat për qytetin e Shkupit, ai ishte kandidat për kryeministër dhe legjitimitetin për këtë post e fitoi në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar. Fitoi mandat katërvjeçar për ta udhëhequr shtetin, jo mandat njëvjeçar për ta mbajtur gjallë partinë e tij deri në zgjedhjet lokale. Gjërat duhen parë qartazi dhe pa emocione.

Pas dorëheqjes së kryeministrit, dolën në shesh apetitet e strukturave që menduan gabimisht se në pushtet vihet jo përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike por përmes lojërave politike për të krijuar shumica të reja parlamentare. Dhe u ulën në një tavolinë të gjithë ata që nuk fituan në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar dhe u morrën vesh të krijonin shumicë të re parlamentre. Me gjithë mend menduan se ashtu vihet në pushtet, pa zgjedhje dhe me ekuacione matematikore me shumë të panjohura. Dolën edhe në fotografi të cilën me shumë entuziazëm e shpërndanë në publik. Të ekzaltuar dolën nga takimi dhe shpallën që ka shumicë të re parlamentare me 61 deputetë me tendencë për tu rritur në 63 e deri në 67 deputetë!

Pastaj filluan reterimet dhe tërheqjet. Dikush tha që është mashtruar dhe nuk pranuaka të qëndrojë nënshkrimi i tij së bashku me atë të Levicës në një dokument. Deklarata të zjarrta u dhanë se nuk mund të hynë të gjithë një një thes dhe se është i papranueshëm bashkëpunimi me Apasievin që është kundër Marrëveshjes së Ohrit, kundër Marrëveshjes së Prespës, kundër NATOs dhe kundër njohjes së Kosovës si shtet i pavarur. E megjithatë, kur nënshkrimi i Apasievit u hoq, deputeti në fjalë u kthye, sërish në një thes me shumicën e supozuar që së bashku me Levicën do ta rrëzonte qeverinë.

Dita e seancës së sotme të Kuvendit ku në rend dite duhej të jetë votëbesimi ndaj qeverisë, kulminoi me situatë dramatike dhe me akuza të ndërsjella. Ata që thoshin se kanë shumicë të re prej 61, 63 apo edhe 67 deputetë nuk arritën të bëjnë as kuorum për seancën e Kuvendit. Pastaj filluan të shprehin shqetësime se një deputet është kidnapuar dhe se jeta e tij gjendet në rrezik. Deputeti shkruajti në rrjetet sociale e më vonë u paraqit edhe me video-inçizim se është mirë dhe se nuk dëshiron të votojë për rrëzimin e qeversië në të cilën çuditërisht edhe partia e tij bën pjesë!?

Pse është kaq për tu habitur që deputeti i shumicës aktuale parlamentare nuk dëshiron të votojë kundër qeverisë të cilën e ka votuar vet ai kur është krijuar? Ku shkruan se deputeti duhet detyrimisht të votojë kundër listës së deputetëve që ai e ka përfaqësuar në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe në kuadër të së cilës ka marë mandatin si deputet? Në të drejtën penale ka disa rregulla që sigurojnë që individi nuk mund të dëshmojë kundër vetvetes, nuk mund ta akuzojë vetveten, bile për të mos e fajësuar vetveten individi nuk është i obliguar as edhe ta thotë të vërtetën gjithmonë. Kur këtë e lejojmë në një procedurë penale, atëherë ku qëndrohn logjika që të kërkohet nga një deputet me doemos të votojë kundër mandatit të vet dhe kundër qeverisë që ai vetë e ka zgjedhur dhe ku ka ministër kolegë nga partia e vetë? E kundërta është e turpshme, që deputeti të votojë kundër qeverisë që ai vetë e ka votuar dhe të cilës ai vetë i ka dhënë mandat dhe nga e cila partija e tij vazhdon të përfitojë. Është e turpshme që të pritet që deputeti të votojë vet kundër vetëvetes.

Nga të gjitha ngjarjet dramatike të cilat i pamë gjatë këtyre ditëve do të mbeten në kujtesë tri nënshkrimet e deputetëve të partisë në pushtet të cilat u rradhitën fill pas Apasievit. Nuk është turp të tërhiqesh nga ai nënshkrim, është turp të vazhdosh të jesh i nënshkruar në atë listë. Në histori do të mbetet edhe deklarata e liderit të po asaj partie i cili tha që pushteti aktual është regjim kriminal. Të quash pushtetin pjesë e të cilit je regjim kriminal është me keq se ta akuzosh veten në procedure penale. Është kulmi i hipokrizisë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button