Deponitë ilegale në Komunën e Tearcës, Neziri: Kemi projekt për t’i shndërruar në hapësira të gjelbra

Në territorin e Komunës së Tearcës banorët e pandërgjegjshëm kanë krijuar disa deponi të egra, një ndër to si më e dukshmja është deponia e cila gjendet në hyrje të fshatit Odër, gjatë magjistrales që lidh Maqedoninë e Veriut me Kosovën. Kryetari i sapo zgjedhur kësaj komune, Nuhi Neziri, për Portalb.mk tha se kanë të paraparë projekt me partner të huaj për zgjidhjen e këtij problemi, shkruan Portalb.mk.

Problemi i mbeturinave dhe deponive ilegale është i pranishëm edhe në Komunën e Tearcës. Deponia që vërehet më shumë në këtë komunë gjendet përgjatë rrugës kryesore Tetovë-Jazhincë e cila lidh edhe Maqedoninë e Veriut me Kosovën. Edhe pse kjo deponi në të kaluarën u pastrua dhe u mbyll, e njëjta është riaktivizuar nga ndotësit e pandërgjegjshëm.

Deponia në f. Odër, Komuna e Tearcës
Deponia në f. Odër, Komuna e Tearcës

Për kryetarin e sapo zgjedhur të Komunës Tearcës, Nuhi Nezirin ka shumë për të folur veçanërisht për pastrimin e deponive të egra. Për Portalb.mk ai tha se në platformën e tyre parashihet që të gjithë deponitë e egra në territorin e Komunës së Tearcës në periudhë sa më urgjente të pastrohen.

Nuhi Neziri, foto nga facebooku i tij

“Unë nga e hëna jam në mandatin e ri, por mbi të gjitha ne jemi duke e bërë skanimin e gjendjes faktike në gjithë territorin e Komunës së Tearcës, për të parë se ku gjenden, ku janë dhe ku kanë arritur gjithandej të hidhen këto mbeturina inerte. Sepse ka dallim në mes deponive inerte dhe deponive të mbetjeve komunale. Për këtë ne kemi një projekt, jemi në bashkëbisedim me një partner të huaj i cili është i gatshëm të jetë në një bashkërendim me ne për një investim për të bërë riciklimin e të gjitha deponive inerte edhe pse këto janë në thonjëza të egra, dhe ripërshtatjen e këtyre terreneve në hapësira të gjelbra“, tha Nuhi Neziri.

I pyetur për atë se a ka një afat kohor kur kjo parashihet të realizohet, Neziri u përgjigj kështu:

“Afat kohor, unë besoj deri në javën e ardhshme do dal me planin aksional pasi të bëj këtë skanimin e gjendjes faktike në gjithë komunën, për çdo lëmi do të vendosim edhe afatizimet të realizimeve të synimeve tona. Do jeni edhe ju të thirrur që të merrni pjesë në pres konferencën që do organizohet nga komuna.”

Deponia në hyrje të fshatit Odër, u premtua se do të pastrohet gjatë mandatit paraprak, por këto mbetën vetëm fjalë

Komuna e Tearcës, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Komuna e Tearcës, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Portalb.mk gjatë muajit korrik alarmoi për këtë deponi si dhe ankesat nga ana e banorëve. Nga kabineti i kryetarit paraprak të Komunës së Tearcës, për Portalb.mk në korrik thanë se “në një periudhë të ardhme do të pastrohet edhe deponia në Odër”, por kjo nuk u bë.

Megjithatë, sipas asaj që thanë nga Komuna e Tearcës në korrik, deri në zgjidhjen përfundimtare të menaxhimit me mbeturina duhet të zgjidhet problemi i mungesës së deponisë rajonale.

Pollogu ende nuk ka deponi rajonale me standardet e duhura

Në rajonin e Pollogut për momentin ka vetëm një deponi në Gostivar, ajo është deponia “Rusino” e cila nuk plotëson asnjë standard. Për këtë problem kanë protestuar disa herë banorët lokal dhe e kishin bllokuar hedhjen e mbeturinave. Në fund të vitit 2020 nga 9 kryetarët e komunave dhe Qeveria u vendos që deponia “Rusino” të mbyllet deri sa të modernizohet, komunat të japin dhe para për ko-financim si dhe u themelua ndërmarrja publike rajonale “Rusino-Pollog”.

Deponnia Rusino, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Deponnia Rusino, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Sikurse deponitë e tjera komunale në vend, “Rusino” nuk ka A-leje ekologjike të integruar të lëshuar nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe mund të thuhet se deri më tani ka punuar ilegalisht, pa përmbushur standardet ligjore për një lokacion të tillë.

Në Maqedoninë e Veriut ka dhjetëra deponi ku mjedisi jetësor vazhdimisht ndotet, pa asnjë kontroll se kush çfarë hedh në këto vende, si dhe ku përfundon shkarkimi i mbeturinave që dekompozohen në natyrë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button