RMV, votëbesimi dështoi, kryeparlamentari Xhaferi e mbylli seancën

Sot në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut u tentua të votohet mocioni për mosbesimin e Qeverisë së vendit, kërkesë e ngritur nga deputetët e partive opozitare maqedonase dhe shqiptare, shkruan Portalb.mk. Por, opozitës i mungoi një votë prandaj dhe u tërhoq, kërkoi zgjedhje të shpejta të parakohshme parlamentare.

Më poshtë ndiqni gjitha të rejat të radhitura në mënyrë kronologjike:

23:45- Kryeparlamentari Talat Xhaferi dhe ministrat e koalicionit LSDM-BDI, së bashku me kryeministrin Zoran Zaev u kthyen në Parlament për ta shpallur të mbyllur seancën. 20 minuta para mesnate ai konstatoi se nuk është votuar mocioni për mosbesimin e Qeverisë.

21:38 – Deputeti i VMRO DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski tha se opozita tërhiqet nga votëbesimi i sotëm. Ai tha se opozita kërkon zgjedhje të shpejta parlamentare, kjo sipas tij, është e vetmja zgjidhje.

20:45 – Mickoski nuk i ka votat për të rëzuar Qeverinë në RMV, ai i nënshtrohet intervenimit në spital

19:55 – Bilall Kasami ka sqaruar që në momentin që ka shkuar me anëtarët e familjes së deputetit Kastriot Rexhepi të paraqesin rastin në Polici, është publikuar video në rrjetin e tij social, video ku ai deklaron se është mirë.

18:55 – Deputeti i LSDM-së, Jovan Mitreski në paraqitjen e tij për media në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, vlerësoi që Mickoski ka gënjyer për shumicën e re parlamentare dhe votimin e mosbesimit të Qeverisë.

18:30 – Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, e ka paraqitur në polici rastin e mungesës së deputetit të Lëvizjes Besa, Kastriot Rexhepi, në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, në ditën kur duhet të votohet mocioni i mosbesimit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

18:00 – Deputeti i Lëvizjes Besa, Kastriot Rexhepi, është paraqitur përmes një video-incizimi në Facebook, ku kërkon nga kryetari i Lëvizjes Besa mos të shqetësohet për deputetin, pasi është me shqiptarët.

16:00 – Edhe në tentativën e tretë, Kuvendi nuk e miratoi rendin e ditës për votëbesimin e Qeverisë, pasi që në sallë nuk kishte 61 deputetë, për të përmbushur kuorumin e nevojshëm.

Nënkryetari i Kuvendit, Fadil Zendeli e ndërpreu seancën dhe tha se do ta vazhdojë gjatë ditës së sotme.

“Plotësisht do të ju informoj se në sa ora do të vazhdojë”, tha Zendeli.

13:00 – Deputeti dhe kryetari i partisë “E Majta”, Dimitar Apasiev, pas pauzës njëorëshe që e kërkoi VMRO-DPMNE, sërish kërkoi pauzë.

“Kërkoj një orë pauzë që të vijë kryetari i Kuvendit dhe të vazhdojë ta udhëheqë seancën, pasi që nuk janë të plotësuara kushtet e Rregullores. Sipas rregullores, kryetari i thirr dhe i mban seancat”, tha Apasiev.

Në ndërkohë, pas lajmit se deputeti Kastriot Rexhepi nuk do të marrë pjesë në seancën e votëbesimit të Qeverisë, në Kuvend kanë ardhur edhe kryetarët e VMRO-DPMNE-së dhe Lëvizjes BESA, Hristijan Mickoski dhe Bilall Kasami.

Mickoski para gazetarëve tha se Kastriot Rexhepi është Amdi Bajrami i ri, ndërkaq Kasami tha se “nuk është i habitur” me veprimin e Rexhepit.

Rikujtojmë se pas deklarimit të Rexhepit se nuk do të marrë pjesë në seancën për votëbesimin e Qeverisë, në Kuvend nuk ka kuorum për të filluar seanca. Për këtë, kërkohet vazhdimisht pauzë.

11:30 – Seanca për votëbesimin e Qeverisë sërish u shty për një orë, pasi deputetja e VMRO-DPMNE-së, Dafinka Stojanovska kërkoi pauzë nga nënkryetari Fadil Zendeli, i cili udhëheqë me seancën.

Partitë që janë mbledhur për ta rrëzuar Qeverinë, për ta kaluar rendin e ditës duhet të kenë 61 deputetë. Paraprakisht, deputeti Kastriot Rexhepi nga Lëvizja BESA, tha se nuk do të marrë pjesë në seancën e votëbesimit dhe sipas kësaj partitë nuk kanë kuorum prej 61 deputetësh.

11:00 – Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi dha 10 minuta pauzë pasi që, siç tha, nuk e përkrahë iniciativën për votëbesimin e Qeverisë dhe për këtë me seancën duhet të udhëheqë nënkryetari.

08:00 – Sot në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut pritet të votohet mocioni për mosbesimin e Qeverisë së vendit, kërkesë e ngritur nga deputetët e partive opozitare maqedonase dhe shqiptare. Kuvendi disa ditë më parë e ka pranuar kërkesën për votimin për besimin ndaj Qeverisë dhe e njëjta është arkivuar nga shërbimet përgjegjëse, shkruan Portalb.mk.

Partitë opozitare, kanë riformuluar të mërkurën listën e nënshkrimeve të mbledhura për mocionin e mosbesimit, duke larguar nënshkrimet e dy deputetëve të partisë e “E Majta” dhe të disa deputetëve të VMRO-DPMNE-së.

Fillimisht kërkesa për mocion ishte dorëzuar me 61 nënshkrime të deputetëve, por njëri prej tyre, deputeti i Alternativës, Skender Rexhepi tërhoqi nënshkrimin pasi nuk dëshironte që të nënshkruhej në të njëjtën listë ku qëndrojnë edhe emrat e deputetëve të partisë e “E Majta”, e cila nga opozita shqiptare kritikohet për qëndrimet e saj, siç thotë, antiperëndimore dhe antishqiptare.

VMRP DPMNE-ja beson se mocioni do të votohet me mbi 61 vota.

“E njëjta do të mbetet në procedurë dhe për të do të votohet të enjten. Do të ketë më pak nënshkrime nga ato që ishin në fillim. Por besojmë se kundër Qeverisë nuk do të jenë 61 firma të deputetëve, por do të ketë më shumë se 61. Opozita do të votojë për largimin e kësaj Qeverie”, ka deklaruar deputeti i VMRO DMNE-së, Antonio Milloshoski.

Në bazë të rregullores për punën e Kuvendit, për mocionin votohet në mesnatë ndërsa paraprakisht zhvillohet debat lidhur me kërkesën e opozitës.

Për rrëzimin e Qeverisë nevojiten 61 vota të deputetëve, nga 120 sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.

Kërkesa për mocion u paraqit nga opozita pasi kryeministri Zoran Zaev refuzoi të paraqesë dorëheqjen në kuvend, të cilën e kishte paralajmëruar më 31 tetor.

Organet më të larta të Lidhjes Social-Demokrate (LSDM) vendosën të martën që dorëheqja e Zaevit të shtyhet, për shkak të siç u tha, “gjendjes në të cilën ndodhet vendi”.

“Për shkak të gjendjes në të cilën ndodhet vendi, Komiteti Qendror i partisë vendosi që të shtyhet dorëheqja. Organet e partisë vendosën njëzëri shtyrjen e dorëheqjes deri në zgjidhjen e gjendjes në vend. Pas shumë vitesh regjim, shteti është ndërtuar mbi vlera të vërteta demokratike dhe liridashëse me parime të bashkëjetesës. LSDM-ja po ngrihet në lartësinë e asaj detyre dhe do të punojë në interes të qytetarëve”, ka deklaruar Pero Kostadinov, anëtar i kryesisë të LSDM-së.

Partia e kryeministrit Zaev ka shënuar humbje në zgjedhjet lokale, ndërsa ajo opozitare, VMRO-DPMNE ka fituar shumicën e 80 komunave, sa kanë qenë në garë.

Ndryshe, kryeministri Zoran Zaev dhe kryetari i LSDM-së, të dielën më 31 tetor, pas disfatës së partisë së tij në zgjedhjet lokale dha dorëheqje nga të dy funksionet.

“Marr përgjegjësinë për rezultatet e këqija të këtyre zgjedhjeve”, theksoi Zaev, duke uruar oponentët politikë për fitorennë zgjedhje.

Në funksionin e kryeministrit, Zaev është që prej 31 majit 2017 dhe fitoi mandatin e dytë si Kryeministër në zgjedhjet e 15 korrikut të vitit të kaluar. Zaev është kryetar i LSDM-së që nga viti 2013. Qeveria e LSDM-së dhe BDI-së ka marrë mbështetjen e 62 deputetëve në këtë përbërje parlamentare. Në shumicën parlamentare, si pjesë e koalicionit me të cilin LSDM kandidoi në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, marrin pjesë Besa, NSDP, DOM, LDP, Bashkimi Demokratik për Integrim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button