RMV, të rinjtë kanë nevojë për ndihmë për të përballuar stresin në mënyrë të shëndetshme

Kovid-pandemia e cila ende vazhdon, po i shteron dalëngadalë të ashtuquajturat bateri emocionale të popullatës së re, e cila është më e prekura dhe po i ndjen më së shumti pasojat nga masat që u imponuan gjatë dy viteve të fundit, por edhe janë ende në fuqi, thonë psikologët. Jeta e përditshme u kthye deri diku në normalitet, por sfidat e stresit mbetën, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Psikologia dhe psiko-terapistja Marija Kotevska Dimovska, e cila është edhe profesoreshë e asocuar, shpjegon për Meta se situata stresuese që zgjat prej kohësh ka shkaktuar rraskapitje, emocione të pakëndshme, frikë, trishtim, zemërim tek të rinjtë. Dhe gjithçka vazhdon me çdo valë të ardhshme me kovid.

“E gjithë kjo tashmë është e lodhshme dhe popullata e re është më e prekura, sepse tashmë është e rraskapitur. Si rezultat i gjendjes së zgjatur të stresit shfaqet ankthi, depresioni, agresioni. Megjithatë, besoj se popullata e re ka një fije shëndeti energjetik shpirtëror. Na takon ne si profesionistë t’u ndihmojmë atyre që kanë shfaqur ankth dhe agresivitet. Por mendoj se ajo që është e rëndësishme, ajo që duhet të bëjmë është t’i përkrahim në zhvillimin e kapaciteteve, si të përballen me sfidat, gjegjësisht situatat stresuese në mënyrë të shëndetshme”, tha Kotevska Dimovska.

Ajo beson se është e rëndësishme që të rinjtë të përqendrohen në mënyrën se si t’i shprehin siç duhet ndjenjat e trishtimit dhe frikës, sepse në të kundërtën ato mund të kthehen në ndjenja të përhershme negative ose çrregullime të tjera mendore.

“Prandaj, si psikoterapiste jam e fokusuar në parandalim. Shoqëria duhet të investojë në mënyra të ndryshme, përmes mediave, shkollave, mësuesve, të investojë në zhvillimin e potencialeve të të rinjve për të qenë fleksibil, gjegjësisht për të zhvilluar rezistencë ndaj situatave stresuese. Është normale të ndihen të mallëngjyer, mos të jenë të lumtur, të pakënaqur, të pafuqishëm. Është e pakëndshme të ndihesh kështu, por duhet të mësojnë si të përballen me ato emocione”, shton Kotevska Dimovska.

Bashkëbiseduesja jonë thekson se është e natyrshme vuajtja në situata të caktuara kur kemi faktorë kërcënues për jetën. Prandaj, në momente të tilla qasja sistematike është një gjë shumë e rëndësishme në trajtimin e të rinjve dhe kjo nënkupton edukimin e mësuesve nga psikologët në çdo shkollë, ndërsa mësuesit për edukimin e prindërve.

“Edukimi nuk është i vështirë, kemi shumë psikologë të edukuar. Në shoqëri ka individë cilësorë, por ne kemi problem në qasjen kolektive, pra nuk mund të punojmë në ekip. Kjo është shumë e rëndësishme nga aspekti që të rinjtë kanë aftësi, talent dhe aftësi të cilat zhvillohen vetëm në periudha të caktuara të rritjes dhe zhvillimit të tyre. Dhe për shkak të asaj që ka ndodhur në dy vitet e fundit, disa nga aftësitë, ngjarjet, përvojat mund të humbasin në mënyrë të pakthyeshme. Por jam optimiste se asgjë nuk është e pakthyeshme për të riun dhe me qasjen e duhur gjithçka mund të kompensohet”, shpjegon Kotevska Dimovska.

Sipas psikologes, për këto dy vite me krizën e Covid-it, ende jo gjithçka ka humbur. Me praninë fizike të fëmijëve në shkollë, proceset mund të kompensohen.

“Për shumë njerëz, si për të rritur ashtu edhe për të rinj, ndonjëherë kriza është stimul për zhvillim. Kriza mund t’ju bëjë të zhvilloheni, të arrini gjendje më të larta. Jo gjithmonë, por shpesh ndodh”, shton Kotevska Dimovska.

Këtë qëndrim të psikoterapistes e pohon edhe nxënësi Dejan Bogoevski i cili është në vitin e dytë të gjimnazit në shkollën “Taki Daskalot”.

Ai për “Meta” tha se kjo situatë ka kontribuar në një kuptim më të mirë të disa vlerave, siç është komunikimi me bashkëmoshatarët.

“Kovid-19 ma zgjoi vetëdijen për disa vlera që nuk i kishim vlerësuar më parë. Nuk do të ishim kurrë të vetëdijshëm për nevojën për komunikim dhe shoqërim nëse nuk do të ishte kovid-19. Secili në mënyrën e vet e ndjeu se si ishte kur nuk mund të dilnim dot dhe më pas se si zhvillohej puna me maska ​​dhe në distancë sociale. Krejt kjo na mësoi se si t’i shohim dhe interpretojmë më mirë disa gjëra dhe ka zhvilluar shumë nevoja tek ne”, tha Bogoevski, i cili bëri thirrje që sa më shumë shkolla të fokusohen në bisedat për shëndetin mendor të fëmijëve.

Ai shton se SHMK “Taki Daskalo” është shembull i shkëlqyer se secili që ka ndonjë problem mund t’i drejtohet lirisht kujdestarit të klasës apo psikologut.

“Është e nevojshme që mendimet tona si të rinj të na orientohen. Ajo ndikon tek ne dhe shëndeti ynë, si dhe në shumë sfera të tjera të jetës”, përfundoi Bogoevski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button