Filipçe: Ka rritje të rasteve të reja me korona virus, të premten do të mblidhet Komisioni për Sëmundje Infektive

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe në konferecën e sotme për media, tha se numri i rasteve të reja me korona virus po rritet. Sipas tij, përqindja e rasteve të reja është rritur për 25 përqind, ndërsa ajo që është më shqetësuese është që po rritet edhe transmetimi, që sipas tij, është indikator i qartë se do të kemi ndryshime në gjendjen e deritanishme stabile që ishte një periudhë më të gjatë, transmeton Portalb.mk.

Ai tha se, incidenca në dy javët e fundit është rritur për 28,5 përqind, ndërsa numri i personave që hospitalizohen për korona virus është rritur në 15 përqind, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, duke folur në konferencën e sotme për media për statistikat e fundit për korona virus në vend në dy javët e fundit, transmeton Portalb.mk.

“Në dy javët e fundit përqindja e rasteve të reja është rritur për 25 përqind edhe atë në 35 qytete, ndërsa në shtatë gjendja është ose e pandryshueshme ose ka ulje. Një rritje e këtillë mund të thuhet se është e pritshme dhe nëse krahasojmë me valët paraprake përqindja e të hospitalizuarve është ulur, me siguri për shkak të faktit që ka numër më të madhe të të rinjve që janë sëmurë, ndërsa ka edhe persona që janë vaksinuar, ndërsa janë të infektuar”, tha Filipçe.

Momentalisht, janë të hospitalizuar 518 pacientë me korona virus, që është 6,4 përqind nga rastet aktive. Filipçe tha se, në pjesën e vaksinimit ka stagnim dhe bëri thirrje që sa më shumë njerëz të vaksinohen.

Sa i përket popullatës së mitur, ai tha se ka 1068 raste aktive me korona virus. Dy fëmijë janë me mbështetje të oksigjenit, ndërsa është hospitalizuar edhe një foshnje dymujore, por gjendja e tyre shëndetësore është stabile.

“Tani jemi në fazë ku shohim se edhe në vendet e tjera ka rritje të numrit të rasteve, por personat e vaksinuar kanë pasqyrë më të lehtë klinike dhe ajo me siguri do të jetë ashtu në përgjithësi. Gradualisht janë kthyer shprehitë e jetës dhe në këtë rast më e rëndësishme është që të mos shkelen protokollet dhe sa më shumë njerëz të vaksinohen”, deklaroi Filipçe.

Ai tha se të premten do të ketë mbledhjen me anëtarët e Komisionit për Sëmundje Infektive, për të diskutuar për analizat e reja.

“Në lidhje me masat, do t’i dëgjojmë propozimet, si dhe pikëpamjet. Atë që unë mund ta them dhe nga ajo se si zhvillohen punët në rajon, vlerësoj se proceset gjithëpërfshirës të vazhdojnë me masat preventive dhe insistimin në mekanizma që të rritet përqindja e vaksinimit. Sot u kemi dërguar letër gjithë mjekëve amë që t’u bëjnë thirrje për vaksinim gjithë pacientëve të tyre të cilët nuk janë vaksinuar dhe shpresoj se kjo do të jetë edhe një mekanizëm për motivim dhe sa është i rëndësishëm ky proces”, tha ministri.

Maqedonia e Veriut dje ka regjistruar sot 677 raste të reja me korona virus, nga 3,317 testimeve të bëra, 13 raste të vdekjes dhe 517 pacientë të shëruar.

Numri i personave të diagnostifikuar me korona virus që nga fillimi i pandemisë ka shkuar në 206.910, 191.649 pacientë janë shëruar, 7.255 pacientë kanë ndërruar jetë, ndërsa momentalisht ka 8.006 raste aktive.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button