MPJ: Mbi 200 persona kanë bërë kërkesë për lëshim të pasaportave në Ambasadat tona në Berlin

Vendosja e stacionit bazë për lëshimin e dokumenteve të udhëtimit në Ambasadën e Republikës së Maqedonisë së Veriut në kryeqytetin e Republikës Federale të Gjermanisë ka filluar t’i japë rezultatet e para, thonë nga Ministria e Punëve të Jashtme, njofton Portalb.mk.

“Për më pak se një muaj, janë fotografuar më shumë se 200 persona, rreth 70 prej të cilëve tashmë janë pajisur me dokumente të udhëtimit, konfirmoi ambasadori ynë, Ramadan Nazifi.  Ambasadori thekson se përmes stacionit bazë zgjidhet një nga problemet më të mëdha, me të cilat është përballur diaspora dhe Ambasada”, deklarojnë nga Ministria e Jashtme.

Për procesin efikas dhe të lehtësuar të marrjes së dokumenteve të udhëtimit nëpër Ambasada, me ndihmën e sistemit të ri, shtojnë nga MPJ, e dëshmojnë edhe qytetarët tanë që tashmë i kanë përjetuar këto përfitime.

“Në dokumentacion thuhej se pasaportën e re do ta marrë për 3 deri në 4 javë. Ky është një lehtësim i vërtetë për të gjithë!”, tha një shtetas i Maqedonisë, duke komentuar përshpejtimin e procedurës.

Krahas komenteve të shumta pozitive që vijnë nga rrjeti diplomatik, por edhe nga diaspora, shtojnë nga MPJ, theksohen përfitimet e marrjes së dokumentit të ri të udhëtimit në Ambasadë, pa pasur nevojë për shpenzime shtesë dhe udhëtime për në vendlindje:

“Jam shumë i kënaqur që mund t’i marrim pasaportat këtu, në Gjermani, në Berlin. Nuk ka gjë më të mirë se kjo!”

Për herë të parë, në përfaqësitë tona diplomatike dhe konsullore janë vendosur nëntë stacione bazë dhe 4 stacione mobile, ndërsa synimi i ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani është që në periudhën e ardhshme ta avancojë këtë projekt, duke e rritur shtrirjen e Ambasadave, të cilët do t’ua ofrojnë këto shërbime qytetarëve tanë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button