Konsumatori në RMV, i pasigurt dhe i pambrojtur, kritikohet edhe në raportin e KE-së

Edhe pse Maqedonia e Veriut pret datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), vendi çalon në zbatimin e një të drejte themelore të përcaktuar nga BE-ja. Institucionet nuk e bëjnë punën e tyre në zbatimin e të drejtës për mbrojtje dhe siguri të konsumatorit. Mbrojtja e konsumatorit është mbrojtje e të gjithë popullit, kjo nënkupton mbrojtje të shëndetit, parave dhe nevojave të çdo qytetari, shkruan Portalb.mk.

Qytetari i Maqedonisë së Veriut si konsumator është është i pambrojtur ndaj shërbimeve që merr në vendin e tij. Pasiguria fillon nga produktet ushqimore e deri te produktet teknologjike dhe shërbimet bankare. Sa i përket cilësisë që ushqimit, vetëm gjatë këtij viti jemi dëshmitarë të disa skandaleve si: tërheqja e mbi 4.000 kilogramëve gjalpë me afat të skaduar, gjetja e një miu të ngordhur në një produkt të paketuar ushqimor, prania e ushqimeve me afat të skaduar nëpër marketet e vendit, dhe të tjera.

Sipas Organizatës së Konsumatorëve në Maqedoninë e Veriut, probleme tjera me të cilat përballet konsumatori në vendin tonë kanë të bëjnë me produktet teknologjike, teknikë të bardhë shtëpiake ose telefona. Një problem mjaft aktual është edhe çështja e mashtrimit gjatë blerjeve “online”. Në shërbimet financiare, qytetarët ankohen për problemet me kostot dhe normat e larta të interesit për kreditë e shpejta, vonesat e kredive nga bankat, pritjet e gjata para bankave si dhe mungesën e shërbimeve bankare në zona rurale të zhvilluara.

Të drejtat e konsumatorit shkelen pothuajse në çdo domen, por problemet më të mëdha me të cilat përballen konsumatorët janë produktet e ndryshme, probleme me garancinë dhe servisin kryesisht të produkteve të bardha dhe pajisjeve teknike, kthimin apo ndërrimin e produkteve, produkte me cilësi të dobët, blerjet online, problemet me shërbimet e ofruara nga kompanitë publike, etj”, bëjnë të ditur për Portalb.mk nga Organizata e Konsumatorëve në RMV.

Në fushën e shërbimeve publike qytetarët përballen me problemet e faturave e larta të energjisë elektrike edhe pse nuk është harxhuar shumë rrymë, faturat e larta për furnizimi me ujë, faturat e larta për shërbimet e telekomunikacionit dhe pakënaqësia me cilësinë e shërbimeve të internetit.

Mbrojtja e të drejtave të konsumatorit do të thotë se në vend kemi një sërë ligjesh dhe rregulloresh të cilat duhet të mbrojnë konsumatorët në çdo segment kur blejnë mallra dhe shërbime në treg.

“Në çdo shtet është miratuar një ligj i veçantë që mbron të drejtat e konsumatorëve. Kur të drejtat e konsumatorit nuk mbrohen atëherë do të thotë që të gjithë ne si konsumatorë cenohemi, nuk jemi të mbrojtur dhe jemi të pasigurt kur blejmë mallra dhe shërbime. Është e nevojshme që vazhdimisht të ketë avancim dhe përmirësim të kuadrit ligjor për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve, i cili do të jetë vazhdimisht në përputhje me legjislacionin evropian”, theksojnë nga Organizata e Konsumatorëve.

Raporti i KE-së: RMV nuk ka progres në fushën e mbrojtjes së konsumatorit

Politikat e BE-së mbrojnë interesat ekonomike të konsumatorëve dhe sigurinë e produktit, imitimet e rrezikshme dhe garantojnë përgjegjësi për produktet me defekt. Këto politika, vendi jonë duhet ti harmonizojë dhe ti zbatojë sa më shpejtë për të qenë më afër integrimit në BE.

Në raportin e fundit të Komisionit Evropian për progresin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, vendi u kritikua se nuk ka bërë asnjë progres në fushën e mbrojtjes së konsumatorit dhe shëndetit.

“Maqedonia e Veriut mbetet mesatarisht e përgatitur në fushën e mbrojtjes së konsumatorëve dhe shëndetit. Nuk është bërë progres në periudhën raportuese. Në vitin e ardhshëm, vendi duhet në veçanti:

  • Duhet të harmonizojë kuadrin ligjor me direktivat e BE-së për mbrojtjen e konsumatorit, veçanërisht në lidhje me Ligjin për mbrojtjen e konsumatorëve, dhe të forcojnë strukturat operative që i shërbejnë mbrojtjes së konsumatorëve;
  • Të intensifikohen përpjekjet për kontrollin e duhanit;”

Më tej në raport theksohet se autoritetet e Maqedonisë së Veriut nuk kanë bërë asnjë hap në përshtatjen e Ligjit për mbrojtje të konsumatorit dhe përafrimin e rregullave kombëtare të sigurisë së produkteve me legjislativin e BE-së.

“Platforma e internetit që ofron informacion mbi mbrojtjen e konsumatorit ende duhet të zhvillohet. Skema e ndërmjetësimit vazhdon të jetë e shtrenjtë dhe e vështirë për t’u aksesuar nga konsumatorët. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për përcaktimin e udhëzimeve dhe procedurës për ankesat e konsumatorëve dhe mjetet e kompensimit”, theksohet në raportin e KE-së.

Çfarë të drejtash ka konsumatori në RMV dhe sa janë të vetëdijshëm qytetarët?

Qytetarët në vendin tonë nuk janë mjaftueshëm të informuar për të drejtat që ata i gëzojnë si konsumatorë, si pasojë ata mashtrohen më lehtë nga bizneset dhe tregtarët.

Nga ankesat e përditshme që pranojmë ne, shihet se konsumatorët nuk janë shumë të vetëdijshëm për të drejtat e tyre dhe për këtë arsye shpeshherë shkelen nga tregtarët. Ne si Organizatë Konsumatorësh përpiqemi çdo ditë që të edukojmë konsumatorët përmes këshillimit, medias, publikimit dhe promovimit të materialeve edukative (broshura, fletëpalosje, manuale, etj.)”, shtojnë nga Organizata e Konsumatorëve.

Të drejtat e konsumatorëve datojnë që nga viti 1958, kur Kombet e Bashkuara (OKB) e miratuan Rezolutën 39/248 me të cilën përcaktohen udhëzimet themelore për mbrojtjen e konsumatorit. Si pasojë, Organizata Botërore e Konsumatorëve miratoi tetë të drejta themelore të konsumatorit. Këto udhëzime paraqesin bazë për zhvillimin e legjislacionit për mbrojtje të konsumatorëve, si në Evropë ashtu edhe në botë. Të drejtat themelore të konsumatorit janë implementuar në pjesën më të madhe të Ligjit për mbrojtje të konsumatorëve në vend.

  • E drejta për informim – Kjo e drejtë imponon obligim për tregtarët që të na mundësojnë informata me kohë, të sakta dhe të besueshme për të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me produktin ose shërbimin që mos të mashtrohemi dhe që të mund të bëjmë zgjidhje të drejtë dhe të duhur të produkteve dhe shërbimeve.
  • E drejta për edukim – nënkupton se ne si konsumatorë duhet të edukohemi për të drejtat tona që nga mosha më e hershme. Edukimi duhet të fillojë nga shkollat fillore përmes fushatave të ndryshme, seminareve dhe broshurave informuese.
  • E drejta për mbrojtje të shëndetit dhe siguri – Kjo e drejtë nënkupton që produktet të cilat i konsumojmë duhet të jenë të sigurta kur lëshohen në treg, kur vihen në përdorim ose përdoren, veçanërisht për realizim dhe mbrojtje të interesit publik; mbrojtje të shëndetit tonë, kafshëve dhe bimëve dhe mbrojtje të mjedisit jetësor e natyrës.
  • E drejta për mbrojtje të interesave ekonomike – Kjo e drejtë përfshin:
    • Të drejtën për qasje deri te mallra dhe shërbime të shumëllojshme për të përmbushur nevojat tona themelore, me çmime të volitshme dhe cilësi të përshtatshme;
    • Mbrojtjen nga dispozita kontraktuale të pandershme, me të cilat të drejtat tona zvogëlohen, vështirësohen ose përjashtuar;
    • Mbrojtjen nga praktikat mashtruese dhe agresive në treg;
    • Përgjegjësinë e prodhuesit për produktet me mangësi dhe e drejta për servisim të produkteve.
  • E drejta për kompensim – E drejta për kompensim është një prej të drejtave tona më të rëndësishme si konsumatorë, e cila përfshin të drejtën për të kërkuar kompensim për dëmin që na është shkaktuar nga ndonjë produkt i dëmtuar, e për të cilin përgjegjësia bie mbi prodhuesin. Me termin produkt nënkuptohet
    çdo objekt i luajtshëm, përveç produkteve bujqësore primare dhe të faunës së egër, madje edhe nëse ato janë pjesë e ndonjë objekti tjetër të luajtshëm.
  • E drejta e përfaqësimit – Kjo nënkupton që ne si konsumatorë kemi të drejtë të organizohemi në organizata të konsumatorëve në nivel lokal, nacional dhe në nivel të Bashkimin Evropian, të cilat do të mbrojnë interesat tona, në organizata në të cilat mund t’i paraqesim ankesat tona, propozimet tona për përmirësimin e të drejtave tona, ku mund të marrim këshilla, si dhe përfaqësimin tonë në organet shtetërore ku diskutohet për të drejtat dhe interesat e konsumatorëve.

Disklejmer, baner, vertetematesi, NED

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button